Ndërlidhjet

Lajçi: Dita e Flamurit - emocion që nuk shkëputet lehtë


Driton Lajçi
Driton Lajçi

"Dita e Flamurit kombëtar shqiptar është një emocion që nuk shkëputet lehtë, që nuk mund të mbulohet lehtë me një flamur tjetër apo me ndonjë datë tjetër", thotë analisti politik Driton Lajçi, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Lajçi, Qeveria e Kosovës ka miratuar një projektligj për festat zyrtare, në të cilin nuk është përfshirë 28 Nëntori, Dita e flamurit kombëtar shqiptar. Një vendim i këtillë ka nxitur reagime të ashpra tek disa subjekte politike. Ju, çka mendoni?

DRITON LAJÇI
Qeveria e Kosovës, tash për tash, duket se me përpikëri, me besnikëri të plotë, është duke implementuar pakon e Ahtisaarit.

Sipas pakos së Ahtisaarit, Kosova është shtet i gjithë qytetarëve të saj, është shtet multi-etnik dhe ndërtohet mbi parimet e qytetërimit, civilizimit, dhe nuk lejohet që ndonjë grup etnik, qoftë shqiptar apo serb, të dominojë mbi tjetrin.

E dyta, pakoja e Ahtisaarit dhe vetë Qeveria e Kosovës, e udhëzuar edhe nga fuqitë e mëdha, nuk dëshirojnë të lënë të kuptohet se është krijuar një shtet i dytë shqiptar në Ballkan, por është krijuar një shtet i ri, i ndërtuar mbi bazat e standardeve evropiane, integrimeve euroatlantike, mbi vizionin e një shteti qytetar.

Prandaj, Qeveria e Kosovës nuk dëshiron të keqkuptohet apo të japë ndonjë argument në dorë, që të thuhet se është krijuar një shtet i dytë shqiptar në Ballkan, andaj edhe janë shumë të kujdesshëm.

Mirëpo, në anën tjetër, me kalimin e kohës, unë mendoj se Qeveria dhe institucionet e saj duhet t’ia mundësojnë secilit grup etnik, secilit komunitet, secilit popull në Kosovë, që t’i shënojë dhe respektojë edhe festat kombëtare dhe ato shtetërore.

Por, këto shqetësime janë të natyrshme, janë të kuptueshme, janë qëndrime që shprehin emocionin e shqiptarëve të Kosovës në lidhje me flamurin shqiptar, flamurin historik të shqiptarëve dhe Ditën e Flamurit. Do të thotë, është një emocion që nuk shkëputet lehtë, që nuk mund të mbulohet lehtë me një flamur tjetër apo me ndonjë datë tjetër.

Mirëpo, meqenëse Kosova është duke krijuar shtetin e saj, është në fazën e krijimit të një shteti të ri, po ndryshon pak a shumë edhe identiteti i saj edhe kombëtar, edhe historik, edhe tradicional e kështu me radhë.

RADIO EVROPA E LIRË

Sipas njoftimeve të fundit, fillimi i misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë nuk do të nisë më 15 qershor. Ku mendoni se qëndron problemi?

DRITON LAJÇI
Problemi qëndron në Këshillin e Sigurimit, i cili është organi kompetent, vendimmarrës, që të vendosë për largimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara, modifikimin, ridizajnimin, rikonfigurimin e forma të tjera që ia ndryshojnë përmbajtjen Misionit të OKB-së në Kosovë.

Mirëpo, që të arrihet deri te kjo, është e domosdoshme, është çështje procedurale aprovimi ose unifikimi, qëndrimi i përbashkët i pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.

Tash për tash, ne e dimë se Rusia, e deri diku edhe Kina, kanë një qëndrim ndryshe prej tre anëtarëve të tjerë dhe kjo punë do të zhargitet deri te një kompromis që duhet të vijë në mes të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.

Pa vendimin e Këshillit të Sigurimit në Kosovë, nuk mund të veprojë legalisht, proceduralisht asnjë mision tjetër, si dhe nuk mund t’i transferohen kompetencat Qeverisë së Kosovës, e as kompetencat e mbikëqyrjes misionit të EULEX-it.

RADIO EVROPA E LIRË
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës janë zotuar së pas 15 qershorit, kur pritet të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, do ta shtrijnë autoritetin në gjithë Kosovën. A mendoni se do të ndodhë kjo edhe në veri të Mitrovicës?

DRITON LAJÇI
Kjo është çështja më e komplikuar tash për tash, ose sfida më e madhe e Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian – shtrirja e autoritetit, sovranitetit të tyre në gjithë territorin e Kosovës, sidomos në veriun e Kosovës - për faktin se strukturat e krijuara atje, në heshtje kanë fituar njëfarë njohjeje.
Veriu është sfida më e madhe e Qeverisë së Kosovës dhe BE-së, për faktin se strukturat e krijuara atje, në heshtje kanë fituar njëfarë njohjeje.


Ato ‘de facto’ ekzistojnë vite me radhë dhe nuk është ndërmarrë asnjë aksion politik apo ndonjë aksion tjetër i sigurisë, i cili do të krijonte terren të favorshëm, paqësor, për funksionimin e autoriteteve dhe institucioneve të Kombeve të Bashkuara, të Qeverisë së Kosovës, të organizatave ndërkombëtare.

Do të thotë, është një hap i guximshëm, i fuqishëm, me përkrahje të fuqive të mëdha, që duhet të ndodhë, në mënyrë që Qeveria e Kosovës të mund të realizojë atë që ka thënë edhe kryeministri, që pas 15 qershorit Kushtetuta e Kosovës të ketë shtrirje në gjithë territorin e saj.

Pra, është një çështje e komplikuar që nuk do të varet krejtësisht nga Qeveria e Kosovës, mirëpo Qeveria e Kosovës duhet të jetë më e vendosur, më e guximshme, që përnjëmend ta shtrijë autoritetin e vet dhe më pas të fitojë përkrahjen ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi, Rusia, Kina dh India kanë ngritur sërish çështjen e bisedimeve të reja midis Kosovës dhe Serbisë. Cili është mendimi juaj në këtë drejtim?

DRITON LAJÇI
Është e natyrshme se secili prej këtyre shteteve, shtete me fuqi regjionale, ekonomike, politike, me ndikim të madh në regjion dhe në botë, bëjnë pazare me interesat e veta, secili prej tyre i ka problemet e brendshme në radhë të parë; Kina me Tibetin dhe disa probleme të tjera, India me Pakistanin – çështjen e Kashmirit, Rusia dëshiron ta ruajë në njëfarë mënyre prezencën e saj në Ballkan, në Evropë.

Secila prej këtyre shteteve dëshiron që t’i shtyjë interesat e brendshme, nuk dëshiron të sensibilizojë apo internacionalizojë problemet e veta që i kanë dhe këto i pengojnë ato që të njohin shtetin e pavarur të Kosovës.

Ka marrë fund gjithçka. Kosova është fakt i kryer. Nuk ka territor, nuk ka hapësirë, nuk ka mundësi për bisedime të reja sa i përket statusit politik të Kosovës.
Kosova është fakt i kryer. Nuk ka territor, nuk ka hapësirë, nuk ka mundësi për bisedime të reja sa i përket statusit politik të Kosovës.


Natyrisht se është e mundshme që të ketë bisedime dhe duhet biseduar me të gjitha vendet në regjion, përfshirë edhe Serbinë, për problemet që janë të përbashkëta. Duhet të ketë biseda për fusha të përbashkëta, luftën e korrupsionit regjional, të krimit të organizuar e kështu me radhë.

Do të thotë, ka vend dhe mundësi që Kosova dhe Serbia duhet të bashkëpunojnë, mirëpo nuk besoj se ka mbetur hapësirë që të ketë bisedime për statusin politik të Kosovës.
XS
SM
MD
LG