Ndërlidhjet

Kamatat për kredi në sistemin bankar



Ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se normat e interesit për kredi në sistemin bankar në Kosovë janë shumë të larta dhe njëherësh më të lartat në rajon. Ndryshe, kamatat e interesit për kredi sillen prej 11 deri në 15 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë.

Eksperti Xhemshit Duriqi pohon se këto norma janë më të lartat në rajon si dhe të papërballueshme për biznesin kosovar.

“Normat e interesit janë të mëdha. Sa janë reale ato? Janë reale aq sa i cakton oferta dhe kërkesa e kapitalit. Raporti mes ofertës dhe kërkesës i dikton ato kamata. Dihet se ato janë shumë të larta, sepse nëse kamata është mbi normën e shtimit të ekonomisë, ajo është e padurueshme”, thotë Duriqi.

Edhe Ali Jakupi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, pohon se kamatat për kredi janë të larta dhe, sipas tij, bankat komerciale po e shfrytëzojnë situatën në Kosovë.

“Për më tepër edhe emrin e kanë banka komerciale; këtu është një biznes komercial. Përndryshe, nuk ka të bëjë gjithmonë me mbulimin e rrezikut, se sikur të jetë kamata e lartë, sikur e ultë, rreziku ekziston edhe tek ne, edhe gjetiu. Prandaj, kamatat janë më tepër si një eksploatim që vjen si pasojë e shfrytëzimit të situatës tek ne”, shprehet Jakupi.

Arsye e gjithë kësaj, sipas Xhemshit Duriqit, është se mjetet materiale të disa institucioneve të Kosovës mbahen në bankat jashtë Kosovës.

“Një pjesë e kapitalit vendor, siç janë mjetet e AKM-së, mjetet e Trustit Pensional të Kosovës, po të ishin krejt në funksion, sigurisht që norma e kamatave do të ishte tjetër nga ajo që është”, thotë Duriqi.

Normat e interesit për kredi duhet të jenë deri në tetë për qind, thotë Ali Jakupi, varësisht nga lloji i kredisë. Ai pohon se vetëm me uljen e normave të interesit, mund të ketë edhe zhvillim të përgjithshëm ekonomik.

“Me këtë kredi e kanë shumë vështirë dhe nuk shpresoj se do të kenë perspektivë të zhvillimit. Do të thotë, ata i kryejnë disa obligime aty për aty, por në aspektin e akumulimit të mjeteve dhe krijimit të buxhetit më të favorshëm, e kanë të vështirë që të arrijnë një qëllim të tillë”, thekson Jakupi.

Zhvillimi ekonomik i Kosovës është i lidhur, ndër të tjera, edhe me zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, thotë Duriqi . Kjo kategori e ndërmarrjeve, thotë ai, nuk është në gjendje që të përballojë kamatat e larta dhe kohën e shkurtër për kthimin e kredive. Duriqi pohon se kamatat e larta të kredisë ndikojnë edhe në zhvillimin e ekonomisë së paligjshme.

“Kamata përfshin krejt fitimin legal që mund të ketë. Ajo jo vetëm që ndikon në zhvillim, por ndikon edhe në paraqitjen e ekonomisë së zezë. Subjektet ekonomike janë të detyruara që të bëjnë diçka që të mund të mbijetojnë”, thotë Duriqi.

Ndryshe, normat e kamatës për kredi i përcaktojnë vetë bankat me politikat e tyre ekonomike. Edhe pse në Kosovë ekziston Autoriteti Qendror i Bankave dhe Pagesave, nuk ka asnjë kompetencë që të ndërhyjë në politikat afariste të bankave. Megjithatë, ky institucion kontrollon dhe mbikëqyr sistemin bankar në Kosovë.
XS
SM
MD
LG