Ndërlidhjet

Çështjet sociale e ekonomike - brenga kryesore të kosovarëve


Prishtina
Prishtina

Kosovarët kanë ngritur çështjet ekonomike në vend të atyre politike, si çështjet më shqetësuese, të cilat kërcënojnë stabilitetin në Kosovë. Ky përfundim është nxjerrë nga Raporti i Paralajmërimit të Hershëm, i përpiluar nga UNDP-ja.


Varfëria dhe papunësia janë shqetësimet kryesore të kosovarëve. Përderisa para shpalljes së pavarësisë, statusi brengoste më tepër qytetarët, tani ata konsiderojnë problemet me të cilat përballen çdo ditë, si çështje fundamentale që kërkojnë zgjidhje.

Mbi 70 për qind të qytetarëve të anketuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), konsiderojnë papunësinë, ngritjen e çmimeve, varfërinë apo furnizimin me energji elektrike si problemin më të madh me të cilin ballafaqohet Kosova.

“Shumica e kosovarëve pas 17 shkurtit e kanë kthyer vëmendjen te sfidat e zhvillimit. Pra, fokusi në çështjet politike ka rënë”, thotë shefi i UNDP-së në Kosovë, Frode Mauring.

“Këtë herë më shumë se 70 për qind e të anketuarve i shohin çështjet ekonomike si problemin më të madh në Kosovë. Kjo përqindje është ngritur nga 50 sa ka qenë në anketën paraprake. Nga ta, rreth 10 për qind shohin ngritjen e çmimeve si problemin kryesor në Kosovë. Ndërkaq, rreth 90 për qind e shqiptarëve të anketuar i shohin çështjet e ndryshme sociale dhe të qeverisjes si kërcënim kryesor për Kosovën”, shpjegon Mauring.

Faktet e shpejta të Raportit të Paralajmërimit të Hershëm, që u publikuan sot, tregojnë se aktualisht qytetarët janë më të disponuar për të protestuar për shkaqe ekonomike, sesa për ato politike.

Pavarësisht përkatësisë etnike të të anketuarve, shumica e tyre janë shprehur se të ardhurat nuk u kanë ndryshuar krahasuar me një vit më parë.

Ajo që vihet në pah në raportin, i cili ka për bazë anketën e zhvilluar në dy javët e para të këtij muaji, është se si shqiptarët, ashtu edhe serbët, ndjehen në masë të madhe të brengosur gjatë ditës; te shqiptarët, arsyet për këtë janë ekonomike; serbët i shqetëson pasiguria.

“Përqindja e serbëve, që nuk i besojnë institucioneve të sigurisë në Kosovë në përjashtim të policisë së UNMIK-ut ka, rënë. Përqindja e serbëve, që janë të gatshëm të punojnë me shqiptarët ka rënë. Këto përqindje ndoshta janë ndikuar nga shpallja e pavarësisë, megjithatë paraqesin sfidë”.

“Kosova ka nevojë për tolerancë, aq sa ka nevojë edhe për kurajo. Shumica e popullatës duhet të ndërtojë tolerancën dhe të inkurajojë minoritetet e Kosovës. Kurajë për t’u kthyer, kurajë për të besuar, për të marrë pjesë dhe për t’u bërë anëtar i shoqërisë së Kosovës”, shprehet Mauring, i cili i sugjeron qeverisë që të vë në prioritetet e saj ngritjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe përmirësimin e raporteve ndëretnike.

Ndryshe, sipas anketës, institucionet më pak të besueshme mbeten gjykatat. Ndërkaq, KEK-u dhe AKM-ja prijnë në listën, që qytetarët i perceptojnë të jenë më të korruptuarat.

Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm është komponentë e një kornize rajonale të UNDP-së, që synon të ndërtojë kapacitete të analistëve lokalë, për të paraparë kriza të mundshme dhe të këshillojë politika për parandalimin e krizave. Projekti bashkëfinancohet nga UNDP-ja dhe USAID-i.
XS
SM
MD
LG