Amnesty International sot është njëra nga organizatat më të njohura, e cila i dokumenton shkeljet e të drejtave të njeriut në botë.
Në një raport për vitin 2008, organizata shfrytëzon rastin që t'i përkujtojë qeveritë e botës për idealet, të cilat nuk janë diçka e re.
Në fakt, ato janë pjesë e një marrëveshjeje ndërkombëtare, të cilën të gjitha vendet e botës e kanë nënshkruar dhe e cila sivjet i mbush plot gjashtë dekada.
Korniza në fjalë është Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor, 1948.
Në kohën kur u miratua, liderët botërorë e mirëpritën me entuziazëm radhitjen e të drejtave themelore të çdo qenieje njerëzore.
Eleonor Roosevelt, e veja e presidentit amerikan Franklin W. Roosevelt, e cilësoi deklaratën si shpresa e botës.
"Kjo Deklaratë Universale për të Drejtat e Njeriut mund të bëhet një Magna Carta ndërkombëtare për të gjithë njerëzit kudo në botë", tha ajo.
Por, Amnesty International thotë se shumë regjime autoritare sot ende janë larg nga pranimi i këtij koncepti.
Magna Carta është marrëveshja e njohur nga shekulli XIII në Angli, e cila e detyroi mbretin që të pranojë se edhe ai duhet t'u nënshtrohet ligjeve.
Në vend të kësaj, në raportin e Amnesty International vërehet se njerëzit ende burgosen nga regjimet, të cilat i shpërfillin obligimet ndërkombëtare dhe vazhdojnë ta shtypin fjalën e lirë dhe aktivitetin politik.
Organizata thotë se viti 2007 kishte plot dëshmi për abuzimet e tilla nga Rusia në Azinë Qendrore dhe deri në Iran.
Sekretarja e përgjithshme e Amnesty International, Irene Khan, thotë se u mbush kupa.
"Sivjet është 60-vjetori i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut dhe është koha që qeveritë të kërkojnë ndjesë për gjashtë dekadat e dështimit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Është koha që ata edhe një herë t'u përkushtohen premtimeve që i kanë bërë në vitin 1948", thotë Khan.
Ajo thotë se ngjarjet në vitin 2007 treguan se njerëzit, të cilët jetojnë nën regjime shtypëse, i dinë të drejtat e tyre dhe i kërkojnë. Por, qeveritë e tyre nuk i dëgjojnë.
"Nëse i hedhim një sy vitit 2007, ajo që më kujtohet janë murgjit në Birmani dhe gjykatësit në Pakistan, të cilët kërkonin drejtësi, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Ishin protestat e njerëzve në rrugë ato që i bënë qeveritë të turpërohen në vitin 2007", thotë Khan.
Zemërimi i saj më i madh që e pasqyron frustrimin e shumë aktivistëve për të drejtat e njeriut, është për shkak të status-quo-s dhe sjelljes së shumë qeverive, që e abuzojnë Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, të cilën e kanë nënshkruar.
Frustrimi është më i zëshëm në rastet kur disidentët politikë dhe aktivistët e të drejtave të njeriut nga vende të ndryshme takohen për të diskutuar se si t'i ndryshojnë qeveritë.