Ndërlidhjet

A barazohet komunizmi me nazizmin?


Një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian kanë inicuar idenë që Bashkimi Evropian të shpallë 23 gushtin – Ditë evropiane për përkujtimin e viktimave të stalinizmit dhe nazizmit. Në këtë datë, në vitin 1939, u nënshkrua Pakti Molotov-Ribbentrop ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë naziste.


Peticioni i paraqitur tek 785 deputetët e Parlamentit Evropian paraqet kthesë të re në përpjekjet për të dënuar komunizmin rreth krimeve kundër njerëzimit.

Marianne Mikko, deputete nga Estonia, njëherësh autore e peticionit, tha për Radion Evropa e Lirë se projekti synon nderimin për viktimat e këtyre regjimeve.

"Qëllim i deklarimit është që 23 gushti të shpallet ditë e përkujtimit të viktimave të komunizmit dhe nazizmit", tha ajo.

Pakti Molotov – Ribbentrop, i nënshkruar ndërmjet BRSS-së dhe Gjermanisë hitleriane, parashihte që palët të mos sulmonin njëra-tjetrën. Ai gjithashtu përmbante një protokoll sekret për ndarjen e Evropës Lindore. Si rezultat i tij, Bashkimi Sovjetik aneksoi vendet balltike dhe një pjesë të Rumanisë, Polonia u nda, kurse filloi lufta me Finlandën, pasi ky vend nuk iu bind kërkesave të BRSS-së.

Deputetja Mikko përkujton se në këtë vit shënohet 60 vjetori i Paktit.

Debati historik rreth komunizmit, i nxitur në BE nga vendet e reja anëtare, deri tani e ka futur Unionin në rrugë pa krye. Në mesin e qeverive evropiane nuk ka unitet, pasi shumica e vendeve perëndimore nuk duan acarim me Rusinë, e njëkohësisht vlerësojnë se gjykimi i komunizmit mund t’i relativizojë krimet e nazizmit.

Komisioni Evropian ende po e shqyrton nëse ekziston bazë ligjore, ndërsa vendimi përfundimtar mund të pritet vitin e ardhshëm.

"Qëllimi nuk është aq sa për të dënuar komunizmin, stalinizmin apo krimet tjera kundër njerëzimit. Ne, në fakt, duam një mundësi simbolike për të shënuar ndarjen e Evropës për një kohë të gjatë, asaj Evrope që tani, më 2008, është sërish e bashkuar", tha Mikko.

Peticioni, sipas saj, deri tani ka marrë më shumë se 150 nënshkrime, por i duhen të paktën 393, në mënyrë që Parlamenti Evropian të kërkojë nga vendet anëtare të BE-së që ta marrin në shqyrtim.

XS
SM
MD
LG