Ndarja funksionale në vija etnike e Kosovës përjashtohet nga institucionet vendëse, përderisa Zyra Civile Ndërkombëtare nuk e përjashton si rrezik që i kanoset Kosovës.
Zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Andy McGuffie, ka deklaruar se në Kosovë ekziston rreziku i ndarjes funksionale, të cilin e pati propozuar ministri serb, Sllobodan Samarxhiq, por se komuniteti ndërkombëtar nuk do të lejojë që kjo të ndodhë.
“Nëse pyet nëse ka rrezik, nuk mund ta përjashtosh mundësinë. Por, ne do të bëjmë çfarëdo që të mundemi, për të siguruar se Kosova është një hapësirë e vetme legale dhe se organizatat ndërkombëtare do të punojnë në mënyrë koherente dhe me marrëveshje me njëra-tjetrën”, tha McGuffie.
Gazeta britanike ‘Financial Times’ ka cituar përfaqësuesin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, të ketë deklaruar se letra e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, i siguron serbët se edhe për një kohë të caktuar në mjediset e tyre do të vazhdojë status quo-ja.
Në këtë kuadër, gazeta citon Feithin të ketë thënë se ndarja funksionale po ashtu është e mundur. Por, McGuffie thotë se kjo nuk do të lejohet.
“Po, ekziston rreziku, por organizatat ndërkombëtare do të punojnë shumë fuqishëm për të siguruar një të ardhme multietnike për Kosovën. Zoti Feith nuk ka thënë se do të ndodhë, por vetëm se ekziston rreziku dhe se ICO-ja dhe EULEX-i do të punojnë që të sigurojnë se nuk do të ndodhë”, tha McGuffie.
Serbët në veri dhe në enklavat serbe nuk pranojnë Kosovën e pavarur dhe bojkotojnë institucionet vendëse. Pavarësisht kësaj, zëdhënësi i Presidencës, Xhavit Beqiri, hedh poshtë çdo mundësi të së ashtuquajturës ndarje funksionale të Kosovës.
“Kosova është e pavarur në tërësinë e saj territoriale, të njohur ndërkombëtarisht tashmë nga 43 shtete anëtare të OKB-së, nga 7 shtete te G8-ës, nga pjesa dërrmuese e shteteve të BE-së dhe besojmë shumë shpejt nga shumica e shteteve anëtare të OKB-së. Kështu që as nuk mund të diskutohet çështja e integritetit territorial; ajo është çështje e mbyllur”, tha Beqiri.
Institucionet e Kosovës kanë pranuar në parim letrën e Ban Ki Moon-it, duke u pajtuar që OKB-ja do të vazhdojë të kryejë, edhe për një kohë të kufizuar, funksione të zbatimit të ligjit, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, derisa, siç thuhet, Bashkimi Evropian të mund ta kryejë rolin e vet operativ.
Megjithatë, serbët e Kosovës interpretojnë letrën e Ban Ki Moon-it në mënyrën e tyre. Ata thonë se zoti Ban ka njohur gjendjen reale. Nebojsha Joviq, nga Këshilli Nacional Serb në Mitrovicë, vlerëson se komuniteti ndërkombëtar e ka parë se ndarja funksionale në terren është e vetmja mundësi.
“Zoti Ban Ki Moon nuk ka thënë asgjë të re. Ai vetëm e ka njohur realitetin dhe kjo është një lëvizje pozitive, ku përfundimisht një pjesë e komuniteti ndërkombëtar, që nuk ka pasur sensin për kërkesat tona, ka filluar të shohë realitetin dhe kjo është pamundësimi i shtrirjes së institucioneve të Kosovës së pavarur në veri”, thekson Joviq.
Serbët vazhdojnë të kundërshtojnë praninë e misionit të Bashkimit Evropian në veri. Sidoqoftë, Andy McGuffie thotë se në verë do të fillojë zbarkimi i EULEX-it në tërë Kosovën.