Ndërlidhjet

"Tensionohet Qeveria"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Ish-ambasadori i OKB-së në Kosovë, diplomati me ndikim në Evropë, Soren Jesen-Petersen, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet t'i bëjë presion Serbisë që ta njohë shtetin e Kosovës si "kërkesë të kushtëzuar" për integrimin e saj në BE. Ish-shefi i UNMIK-ut theksoi se "BE-ja duhet ta ashpërsojë qëndrimin e saj rreth asaj se a dëshiron ta pranojë Serbinë në familjen evropiane. Bashkimi Evropian duhet t'i bëjë këtë kërkesë të kushtëzuar Serbisë dhe jo vetëm të shpresojë se një ditë Serbia do ta njohë Kosovën. Është shumë me rendësi që qeveria pro-evropiane në Serbi ta kuptojë këtë porosi se njohja e shtetit të Kosovës është rruga e vetme për Serbinë që të anëtarësohet në BE". "Serbia duhet ta kuptojë se ajo nuk mund të ndjekë politika shkatërruese të dhunës, ndarjes e bllokimit të misionit të BE-së, ndërsa kërkon anëtarësim në BE. Bashkimi Evropian nuk duhet ta pranojë Serbinë derisa ajo të mos e njohë Kosovën", ka shtuar diplomati evropian...

KOHA DITORE
Një shkëmbim i ashpër fjalësh me ministrin e Transportit dhe Telekomunikacionit nga radhët e PDK-së, Fatmir Limaj, që thuhet se ka përfshirë edhe fjalë të rënda e fyese në llogari të Qeverisë, i ka kushtuar me post qeveritar tashmë ish-zëvendësministrit të Tregtisë dhe Industrisë nga radhët e LDK-së, Naser Osmani... E tëra ka nisur pas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së që nga rendi i ditës se seancës së Kuvendit të Kosovës të hiqet shqyrtimi i rekomandimit të organit përzgjedhës lidhur më emërimin e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, pasi që në listën e propozuar ishin emrat e vetëm tre kandidateve nga pesë, sa janë të paraparë për organin përkatës, që është dashur të konstituohet qëmoti. "Organi është dashur të bëhet qysh në fund të vitit 2007 dhe konsideroj se jemi vonuar në këtë drejtim, por ky organ mund të funksionojë me tre anëtarë, me kusht që brenda një kohe të shkurtër të propozohen nga Qeveria edhe dy anëtarë të tjerë", ka thënë kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Por, ky propozim i kryeparlamentarit është kundërshtuar nga deputetët e LDK-së, dhe pas paraqitjes në foltore të ministrit Fatmir Limaj, i cili doli për ta arsyetuar pse Qeveria mendon se domosdoshmërish duhet votuar edhe listën e mangët, me vetëm tre emra, ai u ndërpre nga zv/ministri Osmani, i cili kërkoi prej ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit që të largohej nga foltorja, sepse, sipas tij, ministri Limaj "nuk kishte të drejtë të fliste" as në emër të Qeverisë e as si deputet i PDK-së, pasi që minutat për këtë i kishte shfrytëzuar deputeti tjetër i PDK-së, Gani Koci...

EPOKA E RE
Gazeta britanike "Independent" ka shkruar në numrin e së hënës se Kuvendi i serbëve të Kosovës, të cilin UNMIK-u dhe autoritetet e Prishtinës e kanë quajtur jolegal, nuk ka kurrfarë kompetencash, por shpreh ndarjen gjithnjë e më të thellë etnike të Kosovës, prejse Prishtina në shkurt ka shpallur pavarësinë. Parlamenti, shumicën dërrmuese të të cilit e përbëjnë ultra-nacionalistët e afërt me qeverinë në largim të Vojisllav Koshtunicës, përfaqëson rreth 50 mijë serbë, të cilët jetojnë në veri të Kosovës. Sipas gazetës, ky kuvend i serbëve në Kosovë i ka dhënë "një grusht" udhëheqjes shqiptare të shtetit të ri...

KOSOVA SOT
Presidenti i Republikës së Kosovës nuk do të ketë kohë që t'i presë të gjitha procedurat ligjore dhe pastaj të publikojë emrat e ambasadorëve të parë të Kosovës në nëntë kryeqytetet më të rëndësishme për interesat e vendit. Procedurat e ngarkuara, si konkursi, shqyrtimi dhe të tjerat procedura që kërkojnë kohë, kanë bërë që i pari i vendit të vendosë që brenda javës të emërojë nëntë të ngarkuarit me punë në ambasada, të cilët me procedurë ligjore emërohen shumë më lehtë. Presidenti Sejdiu tha se janë në përgatitje e sipër të procesit për hapjen e ambasadave, ndërsa pritet që me një konkurs të shpallur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës të bëhet edhe selektimi zyrtar edhe për ambasadorët. "Do të jetë e pamundur që të shkohet direkt me emërimin e ambasadorëve në kuptimin ligjor të fjalës, por do të ketë të ngarkuar me punë, gjë që do të bëhet më shpejt", tha presidenti Fatmir Sejdiu...

LAJM
Një Debëllde tjetër është duke ndodhur në perëndim të Kosovës. Kryefjalë e bisedimeve mes Kosovës dhe Malit të Zi do të jetë pika kufitare mes dy shteteve fqinje. Çështja e "gurit" të kufirit do të shërbejë si test për marrëdhënie ndërshtetërore mes Kosovës dhe Malit të Zi. Sipas Pakos së Ahtisaarit, kufijtë e Kosovës do të mbesin në vijat kufitare të vitit 1988. Por, për zyrtarët e Komunës së Pejës, vijat kufitare të vitit 1988 lënë jashtë kufijve natyrorë të Kosovës qindra hektarë tokë e pyje. "Ish-shteti jugosllav, kufijtë administrativë i ka lëvizur disa herë. Vija e tashme kadastrale s'përputhet me planet e mëhershme e as me kufijtë natyrorë. Kufijtë kadastralë janë të moçëm që nga viti 1932. Kufijtë shtetërorë kërkojnë edhe të dhëna historike, jo vetëm kadastrale", thotë Faruk Hysenaj, gjeodet në Drejtorinë Komunale për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Pejë. Ai thotë se dy pikat kufitare me Malin e Zi, ajo e Çakorrit mbi fshatin Kuqishtë dhe ajo në Kullë, janë pikat më të ndjeshme, që do të shërbejnë si model për gjithë vijën kufitare mes këtyre dy vendeve fqinje. Ndërsa Ali Lajçi, ish-kryetar i Pejës dhe deputet ne Parlamentin e Kosovës, thotë se çështja e kufirit me Malin e Zi, duhet të diskutohet në nivele ndërshtetërore...

BOTA SOT
Komisioni Evropian ka mbështetur qëndrimin e UNMIK-ut se i ashtuquajturi "Kuvendi i serbëve të Kosovës" nuk ka bazë ligjore. "UNMIK-u ka thënë se zgjedhjet lokale serbe dhe rezultatet e lyre nuk janë të ligjshme dhe nuk kanë ndikim në Kosovë". Ndaj edhe Komisioni Evropian e mbështet këtë qëndrim, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian në emër të euro-komisionarit Oli Ren. Ndryshe, formimin e të ashtuquajturit "Kuvend i serbëve të Kosovës" e kanë dënuar ashpër edhe institucionet e Kosovës, duke e cilësuar atë si krijesë ilegale, e cila nuk do të ketë kurrfarë ndikimi në proceset politike në vend. Formimi i të ashtuquajturit "Kuvendi i serbëve të Kosovës” është pritur me reagime edhe te shqiptarët e Kosovës Lindore. Prefekti i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, deklaroi se ky kuvend është provokim edhe për shqiptarët e Luginës, ngase serbët është dashur që problemet e tyre t'i zgjidhin përmes institucioneve legjitime të Kosovës, ashtu siç e bëjnë këtë shqiptarët e Kosovës Lindore...

INFOPRESS
Ambasadorja izraelite në Tiranë, Amira Arnon, ka deklaruar se Izraeli është një nga vendet donatore në mbështetje të zhvillimit të shtetit të ri të Kosovës. Në këtë drejtim, tha ajo, do të ketë një sërë projektesh në fushën ekonomike si dhe në ekspertë. Së fundi, një projekt shumë i rëndësishëm është programi për trajnimin e mjekëve kosovarë në Kosovë. Këto komente, ambasadorja e Izraelit në Tiranë i bëri në një takim me kryeministrin Sali Berisha, gjatë një pritjeje me përfaqësuesin e Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Pinhas Avivi. Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme izraelite i përcolli kryeministrit Berisha përshëndetjet e përzemërta të kryeministrit izraelit Ehud Olmert, si dhe urimet e autoriteteve të larta izraelite për marrjen nga ana e Shqipërisë të ftesës për anëtarësim në NATO, si një garanci më shumë për paqen dhe stabilitetin në rajon...

EXPRESS
Incidenti mes Fatmir Limajt dhe Naser Osmanit realisht i takon një grupacioni politik brenda LDK-së, i cili dëshiron që të fuqizohet përmes përleshjes me Qeverinë, thotë analisti Baton Haxhiu. Megjithëse nuk do të bartet në Qeveri, konflikti mundet që ndërkohë të ketë refleksione edhe më gjerë. "Ky debat nuk do të bartet në Qeveri, do të bartet brenda LDK-së, ku pastaj do të reflektohet në koalicion, por jo në këto momente", ka thënë Haxhiu, për Express. Kriza e fundit rreth mungesës së liderit të LDK-së, pas ngrirjes së postit të kryetarit nga Fatmir Sejdiu, si duket është edhe njëra nga arsyet e këtyre përplasjeve. Prandaj, thotë Haxhiu, grupacioni i Osmanit është duke insistuar në idenë e zgjedhjes së një kryetari të ri… Menjëherë pas incidentit janë shtuar zërat për rrezikimin e përshkallëzimit të konfliktit brenda koalicionit qeveritar. Por, këtë e sheh të pamundur Haxhiu, ish-Drejtori i Expressit. "Nuk do të ketë rrezik të koalicionit, pasi ky koalicion e ka një inercion të zhvillimit. Nuk mundet aq lehtë të prishet koalicioni për një gjuhë të pakujdesshme”...
XS
SM
MD
LG