Ndërlidhjet

Qeveria ua zgjat mandatin kryetarëve të komunave serbe


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria ka vazhduar validitetin e vendimit ekzekutiv të UNMIK-ut për mandatin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe, të cilin Joachim Ruecker s'e kishte ripërtërirë më 18 qershor. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se vazhdimi i mandatit është bërë në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë.



Vendimin që nuk e kishte ripërtërirë ish-shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, e ka bërë Qeveria e Kosovës - ajo ua ka zgjatur mandatin përfaqësuesve të emëruar të komunave serbe. Por, tashmë në këto komuna, pushtetin e kanë marrë autoritetet e dala nga zgjedhjet e 11 majit.

Presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se vazhdimi i mandatit është bërë në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë. Ai ka pranuar se institucionet janë duke hasur në vështirësi të zgjerimit të shtrirjes së autoritetit të tyre, për shkak të obstruksioneve që vijnë nga Beogradi.

“Ka vështirësi dhe nuk mund të themi se mund të jetë lehtë gjithçka, sepse ka një obstruksion të vazhdueshëm që vjen nga shtytjet apo nga mbështetja e drejtpërdrejtë dhe e dirigjuar nga Beogradi. Por, ne do ecim në një qasje progresive të aksionit tonë paralel, bashkë me punën ndihmëtare apo mbështetëse të bashkësisë ndërkombëtare.”

“Kujtojmë se në këtë proces të rëndësishëm duhet sa më tepër të shtohet vetëdija edhe tek pjesa e qytetarëve serbë, që Kosovën ta pranojnë si një realitet të vetin, t'i kthehen jetës praktike dhe të integrohen në jetën e përditshme dhe atë institucionale”, tha Sejdiu, duke shtuar se jo të gjithë serbët e Kosovës i binden politikës së Beogradit.

“Është mirë që ne kemi përfaqësues të tyre në jetën institucionale të Kosovës. Dhe, kini parasysh këto manifestimet e fundit që kanë qenë si provokacione - me shënimet që ne disponojmë, njerëzit që kanë ardhur për t'u bërë kremten e miteve të trilluara, janë kryesisht nga Serbia”.

“Pra, është një pjesë ë paktë e qytetarëve serbë nga Kosova që janë bashkëngjitur në atë aksion të diversionit politik”, tha Sejdiu.

Ndryshe, Qeveria ka marrë vendim për zgjatjen e mandatit të katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe të Kosovës, në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Shtërpcë.

Sipas zyrtarëve të Qeverisë, vendimi bazohet mbi dispozitat kushtetuese, të cilat lejojnë zgjatjen e mandatit për institucionet që nuk bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Por, në anën tjetër, tashmë në këto komuna, pushteti lokal është marrë nga serbët që thonë se kanë fituar në zgjedhjet serbe të 11 majit, që u mbajtën edhe në Kosovë.

Tash dy ditë, këto struktura kanë uzurpuar objektin komunal të Shtërpcës, në të cilin deri tash kanë qenë përfaqësuesit e emëruar dhe ata shqiptarë. Zvonko Mihajloviq, nga Partia Radikale Serbe, që e konsideron veten kryetari i Komunës së Shtërpcës, në bazë të zgjedhjeve të 11 majit, thotë se formimi i këtij pushtetit lokal bën që institucionet e Serbisë të jetojnë serish në Kosovë.

“Ne nuk duam të hyjmë përmes derës së vogël, por duam të punojmë në ndërtesën që është e duhur për këtë pushtet dhe e cila i përket Republikës së Serbisë. Shteti serb, me mbajtjen e zgjedhjeve lokale, ka konfirmuar integritetin dhe sovranitetin në këto hapësira dhe për ne kjo është me rëndësi”, tha Mihajloviq.

Ndërsa serbët konstituojnë organet komunale, duke thënë se në to duhet ulur vetëm përfaqësuesit legjitimë të serbëve që i ka zgjedhur komuniteti serb, administrata e OKB-së thekson qëndrimin e saj lidhur me pushtetet lokale serbe.

“UNMIK-u do të bashkëpunojë vetëm me përfaqësuesit legjitimë të serbëve të Kosovës dhe ne nuk i pranojmë kuvendet komunale, që janë rezultat i zgjedhjeve të 11 majit, sepse këto zgjedhje UNMIK-u i ka shpallur të paligjshme”, thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusel Geekie.

XS
SM
MD
LG