Ndërlidhjet

Rexhepi: Serbët politizuan Suhodollin


Bajram Rexhepi
Bajram Rexhepi

“Pala shqiptare nuk ka hyrë në këtë projekt me politikë, por ndoshta (Zannier) nuk ka pasur guxim ta thotë që pala serbe e ka politizuar atë pa nevojë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Mitrovicës, Bajram Rexhepi.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, fillimisht si e vlerësoni takimin e liderëve kosovarë me sekretaren Rice dhe çfarë rëndësie do të ketë për Kosovën edhe takimi i së hënës me presidentin Bush?

BAJRAM REXHEPI
Po, ky është një takim i një rëndësie historike, për arsye se pritet në nivelet më të larta, kur dihet që SHBA-të kanë qenë përkrahësit kryesorë në të gjitha këto procese, por edhe në njohjen e shtetit të pavarur e sovran.

Nëse ju kujtohet që edhe pas proklamimit të pavarësisë, deklarimi i parë i SHBA-ve e ka shtuar edhe fjalën ‘sovran’ dhe ata janë konsistentë që shteti i Kosovës të bëhet një shtet i mirëfilltë, funksional, demokratik, i zhvilluar dhe atë e kanë përsëritur edhe njëherë në takimin e kaluar.

Dhe, sigurisht, në fuqinë e tyre politike dhe ekonomike do të ndikojnë që edhe shtetet e tjera, një numër i madh i tyre të na pranojnë. Prandaj, është fatbardhësi që kemi përkrahjen e një aleati kaq të fortë siç janë SHBA-të.

RADIO EVROPA E LIRË
Të kalojmë tek zhvillimet në vend, përkatësisht në Mitrovicë. Duket se problemi i Suhodollit nuk ka gjetur një zgjidhje të plotë. Çfarë është situata këtu?

BAJRAM REXHEPI
Realisht, pas takimit të djeshëm, ku ishte një grup punues nga përfaqësuesit e fshatrave Vinarc, Gushavc, të drejtorive për shërbime publike dhe urbanizëm, ekspertëve të UNMIK-ut dhe KFOR-it, është arritur ujdia që nën menaxhimin apo kontrollin e UNMIK-ut, ky projekt të vazhdojë. Tash janë duke u caktuar modalitetet.

Ne kemi qenë gjenerozë dhe kemi lejuar që në gypin e ri që vendoset, të kyçet edhe komuniteti serb. Pra, ne nuk bëjmë ndasi etnike dhe janë të gjithë qytetarë të Kosovës dhe kjo mund të ketë pengesa te vogla teknike, por kjo do të realizohet dhe nuk ka alternativë realizimi i saj.

Fillimisht, pengesat kanë qenë nga kryeadministratori Zannier, i cili ka qenë i përkushtuar që të bëhet, por ka qenë në nivel regjional nga Gallucci dhe Kozaku, që kanë propozuar disa ide djallëzore – “duhet të bëhet ritenderim nga ana e UNMIK-ut”.

Pra, kjo është humbje ose blerje kohe, që ne e kemi refuzuar kategorikisht dhe pas shpjegimeve që kanë bërë ekspertët, nuk kanë pasur kurrfarë aduti më tutje.

Të dhënat i kam se UNMIK-u do të kërkojë nga KFOR-i që ta bëjë hapjen e atyre kanaleve. Kështu shkojnë procedurat, ndërsa KFOR-i ka mekanizma dhe mund ta bëjë për një kohë të shkurtër, për disa ditë.

RADIO EVROPA E LIRË
UNMIK-u e mori përsipër menaxhimin e punimeve për ujësjellësin në fshatin Suhodoll. Ju keni shprehur pakënaqësinë me dinamikën e punës. Do të lejoni që UNMIK-u t’i përfundojë punët në këtë ujësjellës?

BAJRAM REXHEPI
Për mua është më rëndësi që të përfundojë ujësjellësi dhe të mos ketë tensionime politike.

Mirëpo, ne kemi qenë shumë të vendosur dhe nuk kam thënë rastësisht se ne këtë projekt vital për qytetarët e këtyre tre fshatrave, për më tepër se 2500 banorë, do ta bëjmë me UNMIK-un ose pa UNMIK-un. Më mirë është më UNMIK-un që të mos ketë tensionime, por nëse ata bëhen pengesë, ne do ta bëjmë atë edhe pa UNMIK-un.

RADIO EVROPA E LIRË
E shihini këtë si sfidim të strukturave kosovare të qeverisjes?

BAJRAM REXHEPI
Ne ballafaqohemi me sfida për më tepër se nëntë vjet. Kjo është vetëm një në vazhdën e sfidave që dalin, aq më parë kur nuk dihet mandati i qartë i UNMIK-ut, pa u bërë rikonfigurimi i UNMIK-ut.

Sa për informimin tuaj, ajo pjesë te Vinarci, Gushavci, edhe me pakon e Ahtisaarit është territor i komunës që menaxhohet nga ne, pra, kushtimisht them, e pjesës jugore. Pra, ata nuk kanë kurrfarë ingirence dhe nuk ka qenë qëllimi i banorëve serbë të fshatit Suhodoll ta bëjnë këtë, por ata janë detyruar nga strukturat e reja komunale jolegjitime që të bëjnë një gjë të tillë.

Më në fund, ata duhet të vetëdijesohen se pa një mirëkuptim, pa një bashkëpunim me bashkëfshatarët, me fqinjët e tyre, ata nuk mund të mbijetojnë, për arsye se çdo gjë i lidh ata, çdo ditë lëvizin lirshëm nëpër seksionin shqiptar të Suhodollit, natën, ditën, pa pengesa, kalojnë gypat e ujësjellësit, të rrymës, të telefonit.

Veprimet e paarsyeshme mund të gjenerojnë veprime të paarsyeshme, andaj duhet të jenë të vetëdijshëm. Unë jam i bindur se tensionet do të bien dhe ata do të shohin përfitim nga ky projekt i ujësjellësit.

RADIO EVROPA E LIRË
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, ka vlerësuar se rasti i Suhodollit është politizuar pa nevojë. Ju, çfarë mendoni për këtë?

BAJRAM REXHEPI
Po, unë pajtohem shumë që është politizuar, por këtu i mungon vetëm një sqarim, është politizuar nga pala serbe, jo nga pala shqiptare. Është dashur të dihet adresa e saktë se kush e ka politizuar.

Ky projekt ka filluar që një vit e gjysmë si ide, është aprovuar edhe nga zoti Gallucci në atë kohë, është bërë projekti, tenderimi, të gjitha procedurat, janë siguruar mjetet dhe në momentin kur ka filluar realizimi, e ka politizuar pala serbe.

Pra, pala shqiptare nuk ka hyrë në këtë projekt me politikë dhe vetëm kjo i mungon asaj që është dashur, por nuk ka pasur guxim ndoshta ta thotë, që pala serbe e ka politizuar pa nevojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga ana tjetër, autoritetet e sigurisë kanë tërhequr vërejtjen se përsëritja e incidenteve në veri si ai i Suhodollit, mund të përshkallëzojë situatën e sigurisë. Sa është i madh ky rrezik?

BAJRAM REXHEPI
Ky rrezik gjithmonë ekziston. Nganjëherë shkëndijat e vogla shkaktojnë zjarr.

Por, edhe strukturat e sigurisë duhet të dinë se kontributin më të madh për mbajtjen e sigurisë edhe në kohën para proklamimit të pavarësisë, edhe në kohën pas asaj, është i KFOR-it, i imi personalisht dhe i strukturave komunale. Nuk është as i UNMIK-ut, as i policisë së UNMIK-ut, as i Shërbimit Policor të Kosovës që është fragjil në pjesë veriore.

Kryesisht këto dy segmente e kanë mbajtur sigurinë, KFOR-i që ka qenë në nivel dhe strukturat tona komunale, që kemi qenë politikisht të pjekur, i kemi bërë organizimet e duhura dhe që gjashtë muaj kemi punuar paraprakisht, që të elaborojmë çdo skenar të mundshëm se çka pritet dhe si do të veprohet.

Motoja jonë ka qenë që të punohet në mënyrë preventive ose të veprohet menjëherë, e jo të merremi me konsekuenca, sepse të gjithë kemi nxjerrë mësime nga ngjarjet tragjike të marsit 2004.

RADIO EVROPA E LIRË
Strukturat paralele në veri të Mitrovicës, siç është edhe formimi i parlamentit serb, sa e pengojnë integrimin e serbëve në shoqëri?

BAJRAM REXHEPI
Kur kam propozuar javë më parë, para se të formohet, se një akt i tillë duhet të injorohet dhe nuk duhet t’i jepet peshë nga mediat, ka pasur analistë që më kanë kritikuar dhe kanë thënë që nuk bën të injorohen gjërat e tilla dhe se duhet të merremi me to.

Mandej, pas themelimit, ka pasuar deklarimi i zotit Casey, zëdhënësit të Departamentit, që i ka përsëritur fjalët e mia – ‘Ky parlament nuk paraqet asgjë dhe duhet të injorohet’. Pra, janë vërtetuar fjalët e mia.

Ai shkakton përçarje më shumë ndërmjet serbëve, përndryshe për ne është inekzistent, për ne nuk ka vlerë. Mirëpo, e ka bërë përçarjen mes partive radikale, se ai kryesisht është parlament i radikalëve të Sheshelit dhe DSS-së së Koshtuncës. Por, shumë të tjerë nuk e respektojnë ose e injorojnë, siç është Oliver Ivanoviq, Bogdanoviq, Rada Trajkoviq e shumë të tjerë.

Pengesa e drejtpërdrejtë operative që e pengon, është prezenca e strukturave paralele të sigurisë, MUP-i i Serbisë dhe ‘rojet e urave’. Këto, por edhe Këshilli Nacional Serb, edhe ky parlament, janë dorë e zgjatur e politikës së Serbisë, në radhë të parë e Koshtunicës dhe e radikalëve dhe këta janë vetëm zbatues të asaj politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë u bë me nismën për krijimin e komunës së Mitrovicës veriore dhe bordit të përbashkët?

BAJRAM REXHEPI
Edhe në këtë projekt kemi hyrë shumë seriozisht. Ju e dini se është aprovuar edhe nga Ekipi i Unitetit, edhe nga Parlamenti dhe nuk kthehemi prapa tash që të refuzojmë diçka që kemi pranuar. Pra, ne jemi të përkushtuar që ky plan të realizohet, një qytet me dy komuna dhe bordin e përbashkët.

Mirëpo, ka pasur konfuzion në mes të UNMIK-ut, ICO-s dhe EULEX-it. ICO-ja dhe EULEX-i kanë dashur që kjo të kryhet sa më shpejt gjatë mandatit të UNMIK-ut. UNMIK-u nuk ka qenë shumë i vullnetshëm dhe meqenëse është votuar një rezolutë e re që do ta abrogonte Rezolutën 1244, faktikisht për ta plani i Ahtisaarit është inekzistent dhe ata kanë dashur që vetëm ta bëjnë legalizimin e komunës veriore, por pa preambulën si qytet me dy komuna dhe pa bordin e përbashkët.

Unë kam qenë kategorik se një gjë e tillë nuk pranohet dhe nuk ka shmangie nga plani i Ahtisaarit.

Dhe në fund, pas bindjeve, argumenteve që i kemi pasur, kanë hequr dorë, edhe ICO, dhe kanë pritur që në kuadër të planit të decentralizimit, pasi që të kryhen të gjitha ligjet, të bëhen përgatitjet e duhura, të gjitha komunat e reja me shumicë serbe do të legalizohen përnjëherë, e jo Mitrovica të jetë prapë si një pilot-projekt, të bëhet koncesion për diçka që nuk ke kurrfarë përfitimi. Me atë nuk i inkurajon serbët që të integrohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, problemi kryesor qëndron tek institucionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë apo edhe tek mosbashkëpunimi i serbëve?

BAJRAM REXHEPI
Mosbashkëpunimi i serbëve është edhe si pasojë e politikës së Serbisë në rend të parë, që edhe më tutje, edhe pse kjo është një rrugë njëkahshe, pa kthim, janë të vetëdijshëm për atë, por mundohen të bëjnë pengesa në funksionalizimin e institucioneve qendrore të Kosovës në tërë territorin e saj, por edhe e neglizhencës ose butësisë së tepruar të institucioneve ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG