Ndërlidhjet

“Rikonfirmohet mbështetja amerikane për Kosovën”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Vizita që presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri Skënder Hyseni po zhvillojnë në SHBA vlerësohet lart nga udhëheqësit e partive kosovare. Takimi me Sekretaren e Shtetit, Condoleezza Rice, me diplomatë të ndryshëm dhe takimi me presidentin George Bush, që pritet të mbahet të hënën (sot), konsiderohen si historikë dhe rikonfirmojnë miqësinë që SHBA-të kanë me popullin e Kosovës. Nënkryetari i AAK-së, Bajram Kosumi, tha se vizita e udhëheqësve kosovarë në SHBA, së pari, është një moment i rëndësishëm për t'i falënderuar ata për punën e madhe që kanë bërë në këto dekada të fundit për ta ndihmuar popullin e Kosovës që ta fitojë lirinë dhe shtetin e vet. "Duke qenë se SHBA-të janë faktori numër një që kanë ndihmuar në bërjen, por edhe në njohjen e shtetit të Kosovës, atëherë ne presim që, po ashtu, SHBA-të dhe BE-ja të jenë faktori numër një që do ndihmojnë në krijimin e stabilitetit politik dhe krijimin e paqes në Kosovë”, tha Kosumi. Ibrahim Makolli, nënkryetar i AKR-së, tha se ftesa e presidentit Bush bërë udhëheqësve më të lartë të Kosovës dëshmon edhe një herë përkushtimin që kanë SHBA-të për shtetin më të ri. "Kjo është edhe një mbështetje e radhës nga miqtë tanë amerikanë. SHBA-të po i tregojnë Serbisë dhe disa vendeve që janë rreshtuar kundër pavarësisë se çështja e Kosovës është e përfunduar”, tha Makolli...

EPOKA E RE
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, duke komentuar takimin e sotëm me presidentin amerikan George Bush, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, ka thënë se ky është kulmimi i qëndrimit të SHBA-së ndaj Kosovës dhe ndaj qytetarëve të saj. Këto komente Sejdiu i bëri në një intervistë në seksionin shqip të Zërit të Amerikës. Duke u përgjigjur në pyetjen për pritjet nga takimi i sotëm me presidentin Bush, presidenti Sejdiu u shpreh se është kulmimi i qëndrimit të SHBA-së ndaj Kosovës dhe ndaj qytetarëve të saj. Sejdiu ka thënë se në të njëjtën kohë është një rezultat i jashtëzakonshëm dhe njohje e punës që ne kemi bërë, në partneritet të vazhdueshëm dhe të thellë, në ecjen e gjatë, të rëndësishme dhe jo të lehtë që ka pasur Kosova. "Ne presim që presidenti Bush të mbështesë këtë qasje që ne kemi pasur, sepse sinjalet janë rezultat i bashkëpunimit të thellë të deritanishëm, e nga ana tjetër ta kemi zotimin për mbështetjen e mëtejshme të zhvillimit të Kosovës", ka theksuar presidenti Sejdiu...

ZËRI
Përfaqësues të forcave politike opozitare në vend thonë se Qeveria e Kosovës po tregohet e papërgjegjshme ndaj obligimeve që ka, duke zvarritur në pakuptimësi plotësimin e resorëve të ndryshëm me njerëz adekuatë dhe profesionistë, derisa kjo, sipas tyre, është edhe një tregues për raportet e brishta, siç vlerëson opozita, midis partnerëve të koalicionit në pushtet PDK-LDK. Opozita shprehet tepër kritike ndaj pamundësisë së pozitës që deri tash të caktojë njerëzit përgjegjës në postin e ministrit dhe zëvendësministrit të Mbrojtjes, zëvendësministrit të Jashtëm dhe tri posteve të tjera në Agjencisë Kosovare të Inteligjencës: atë të drejtorit, zëvendësdrejtorit dhe shefit të inspektoratit, ndërkohë që, pozita thotë se, e rëndësishme është që të gjenden njerëzit e duhur e jo faktori kohë dhe se për këtë, përfaqësues nga Qeveria thonë se ka shumë gjasa që të vendoset pas kthimit nga Uashingtoni të presidentit Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi. Avni Arifi, anëtar i Kryesisë së AAK-së, thotë se mungesa e aftësisë së Qeverisë për të caktuar njerëzit në këto përgjegjësi, flet për mungesën e saj që të jetë vendimmarrëse me kohë në shumë procese të rëndësishme dhe kjo, sipas tij, e ka dëmtuar procesin e ecjes më të shpejtë të Kosovës, ndër të tjera edhe në njohjen e saj ndërkombëtare dhe konsolidimin e brendshëm si shtet...

INFOPRESS
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka deklaruar se takimet në ShBA të krerëve të lartë të Kosovës janë dëshmi e garancisë së funksionimit të shtetit të ri dhe rolit amerikan. Këto komente Mjako i bëri për Radio Blue Sky. Ai tha se niveli më i lartë i mbështetjes për Kosovën gjen shprehje te takimi me presidentin George Bush. Ish-kryeministri i Shqipërisë, gjatë luftës së Kosovës, Pandeli Majko, tha se vizita në ShBA e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe e kryeministrit Hashim Thaçi duhet parë në disa aspekete që lidhen me shtetin e ri, të shpallur të pavarur më 17 shkurt dhe të mbështetjes amerikane për të... "Mendoj se vizita duhet parë shumëplanëshe. Së pari, ajo përcakton Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe politikën e saj në vazhdim si protagoniste kryesore në periudhën e post-pavarësisë", tha ai. Më tej Majko pohoi se duket qartë që vizita në Shtetet e Bashkuara e presidentit dhe kryeministrit të Kosovës përbën jo thjesht një prioritet, por në fund të fundit tregon një tendencë për ta parë politikën e ShBA-ve si një moment, i cili stabilitetin në rajon e shikon të fillojë me shqiptarët, ndryshe nga ndonjë lob evropian që e shikon çështjen e stabilitetit nga Beogradi dhe jo nga Prishtina...

KOHA DITORE
Serbia do t'i kthejë ambasadorët e saj ne vendet e Bashkimit Evropian, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ka bërë të ditur ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq. Ai ka paralajmëruar se në takimin e ardhshëm të Qeverisë do të propozojë kthimin e të gjithë ambasadorëve nëpër vendet evropiane, nga të cilat ishin tërhequr pas 17 shkurtit. Jeremiqi ka thënë në një konferencë për shtyp se do të propozojë edhe rishikimin e Planit të Veprimit për Kosovën, i cili i takon Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe menjëherë pas miratimit të tij, do të fillojë procesi i kthimit të ambasadorëve. "Pas bisedimeve në Paris, Moskë e Nju Jork dhe pas konsultimeve me kryetarin e Serbisë, Boris Tadiq, Ministria e Punëve të Jashtme ka vendosur që në seancën e radhës të Qeverisë të propozojë ndryshimin e Planit të Veprimit. Do ta propozojmë ndryshimin e pjesshëm të Planit të Veprimit, përkatësisht kthimin e ambasadorëve të Serbisë në vendet e BE-së dhe normalizimin e marrëdhënieve", ka thënë Jeremiqi. Ai ka thëne se ky hap është marrë për shkak se integrimet evropiane janë prioritet kyç i Qeverise së Serbisë...

KOSOVA SOT
Vizitat madhështore që janë duke bërë liderët tanë shtetërorë, presidenti Fatmir Sejdiu e kryeministri Hashim Thaçi, që takohen sot edhe me presidentin Bush, dëshmojnë se Kosova ka vendin mik, Amerikën, si mbështetës për të ardhmen. Ndihma dhe përkushtimi amerikan ka bërë që Kosova të fitojë pavarësinë dhe të ndërtojë një shtet funksional e demokratik, me të gjitha garancitë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë. Por, e veçanta e kësaj vizite është rikonfirmimi amerikan për të ardhmen e Republikës së Kosovës. Qytetarët e Kosovës takimin e parë të liderëve tanë shtetërorë e konsiderojnë si një rast shumë historik, ngase, sipas tyre, populli amerikan është populli më demokratik dhe më mik i Republikës së Kosovës, dhe në këtë takim do të përsëritet edhe një herë ndihma dhe përkrahja e madhe amerikane ndaj popullit të Kosovës, por edhe do të këtë një influence të fuqishme në njohjet e tjera ndërkombëtare të shtetit tonë të pavarur dhe sovran. Sipas tyre, ky takim ka një rëndësi historike për Kosovën, meqë forcon legjitimitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës si shtet...

EXPRESS
Për Lidhjen Demokratike të Kosovës çështja "Osmani" është një kapitull i mbyllur, definitivisht. Kryesia e LDK-së aktualisht po shikon mundësinë e nxjerrjes së një emri tjetër për ta deleguar në postin e zëvendësministrit të Tregtisë dhe Industrisë, post ky që mbeti vakant kur kryeministri Hashim Thaçi shkarkoi Naser Osmanin pas një zënke që pati me ministrin Fatmir Limaj. Të dielën, në një prononcim për Express, Ramë Manaj, sekretar i përgjithshëm i LDK-së, ka thënë se Kryesia e partisë do të dalë shumë shpejt me emrin e ri për këtë post. "Shumë shpejt ne do ta nxjerrim emrin e ri për zëvendësministër të Tregtisë", ka deklaruar ai përmes telefonit. Burime të Express thonë se aktualisht Kryesia e LDK-së i frikohet hedhjes për diskutim të zëvendësimit të Naser Osmanit, për shkak të reagimit që mund të pasojë nga mbështetësit e tij. Por, Ramë Manaj është shprehur i bindur se nuk do të ketë probleme në këtë aspekt, duke thënë se zëvendësimi duhet të bëhet gjithsesi...

BOTA SOT
Investimet e jashtme të drejtpërdrejta gjatë vitit 2007, krahasuar me një vit më parë, janë rritur për 70 për qind, duke shkuar në shifrat prej 246 milionë euro, por kjo nuk duhet të na gëzojë shumë për shkak se shumica prej tyre janë siguruar nga procesi i privatizimit dhe shitja e ndërmarrjeve shoqërore. "Investimet e Huaja Direkte (IHD) në vitin 2007 janë rritur për 70.1% (245.7 milionë euro), duke qenë kryesisht rezultat i të hyrave nga privatizim dhe fitime të riinvestuara, të cilat në vitin 2007 kanë arritur shumën e tërësishme prej 42.9 milionë euro", thuhet në raportin vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës. Procesi i privatizimit të Ndërmarrjeve në Pronësi Shoqërore (NPSH) në fund të vitit 2007 arriti të grumbullojë 405 milionë euro. Të ardhurat totale nga privatizimi të pranuara nga AKM-ja deri tani kanë arritur në 362 milionë euro, ndërsa rreth 43 milionë të tjera do të pranohen në ndërkohë...


XS
SM
MD
LG