Ndërlidhjet

OKB përshendet arrestimin e Karaxhiqit


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki moon lëvdoi autoritetet në Serbi për arrestimin e Radovan Karaxhiqit, si njëri ndër të kërkuarit kryesor të Tribunalit të Hagës, për krime lufte në Bosnje.

"Ky është moment historik për viktimat, të cilat kanë pritur për 13 vite që Karaxhiqi të sillet para drejtësisë" tha Ban Ki moon, në komunikatën e lëshuar nga Kombet e Bashkuara.

Ndërkohë, ndërmjetësi amerikan për Ballkanin gjatë viteve të '90-a Richard Holbrooke e cilësoi Karaxhiqin si Osama bin Laden të Evropës, "arkitekt real dhe të vërtetë të vrasjeve masive".

Edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur arrestimin e tij.

Presidenti i Serbisë Boris Tadiq përmes një komunikate ka njoftuar se Karaxhiqi është arrestuar mbrëmë "në aksionin e shërbimeve serbe të sigurisë".

Detajet për arrestimin dhe ekstradimin e tij në Hagë paralajmërohet se do të publikohen gjatë ditës.
XS
SM
MD
LG