Ndërlidhjet

Obama: Afganistani – fronti qendror në luftën kundër terrorizmit


Kandidati demokrat për president amerikan, Barack Obama, tha sot se Afganistani është fronti qendror në luftën kundër terrorizmit dhe përsëriti qëndrimin e tij se më tepër trupa duhet të dërgohen atje për t'i luftuar kryengritësit.

Këto komente senatori Obama i bëri në Aman të Jordanisë, ku po qëndron në kuadër të turneut të tij tejoqeanik.

- Ne shkuam në Afganistan, para se gjithash, pasi është fronti qendror në luftën kundër terrorizmit. Atje u planifikuan sulmet e 11 shtatorit dhe sot në Afganistan dhe në rajonin kufitar me Pakistanin, al-Kaida dhe talibanët, po e shtojnë ofensivën kundër sigurisë së popullit afgan dhe atij pakistanez, ndërsa planifikojnë sulme të reja kundër Shteteve të Bashkuara, tha Barack Obama.

Ai mëtutje tha se duhet bërë më tepër presion ndaj Pakistanit, që të merret me ekstremizmin atje.

Senatori Obama në Jordani arriti nga Iraku, ku u takua me liderët fisnorë, të cilët u janë bashkuar forcave amerikane dhe irakiane në luftën kundër militantëve.
XS
SM
MD
LG