Ndërlidhjet

Vazhdon greva e ish-punëtorëve të RTP-së


Ish-punëtorët e RTP-së në grevë
Ish-punëtorët e RTP-së në grevë

Më 5 korrik, 18 ish-punëtorë të Radio-Televizionit të Prishtinës kanë hyrë në një grevë, që simbolizon 18-vjetorin e dëbimit me dhunë nga puna nga forcat e atëhershme serbe.




Që 25 ditë me radhë grevistët qëndrojnë në një tendë të improvizuar para ndërtesës së Radio Kosovës, në qendër të Prishtinës, duke kërkuar kthimin në vendet e tyre të punës, kompensimin për 9 vjetët e kaluar dhe pranimin e përvojës së punës.

Qemajl Sokoli, kryetar i këshillit grevist, thotë se pa u realizuar kërkesat, greva nuk do të ndërpritet.

“Do të vazhdojmë deri sa mos të hyjmë brenda, në shtëpinë tonë jetike, në shtëpinë tonë jetike dhe shpirtërore, sepse kemi shumë materiale, vepra, shumë sende tjera tejet të vlefshme, e që dikush tash po i keqpërdor ato”,
thotë Sokoli.

Ndryshe, në shtator të vitit 1999, Radio Televizioni i Kosovës ka filluar transmetimin në objektet e Radio-Televizionit të Prishtinës.

Por, deri më tani, grevistët nuk kanë kërkuar takim dhe nuk kanë pasur ndonjë takim me udhëheqës të Radio Televizionit të Kosovës. Kështu thotë zëdhënësi i këshillit grevist, njëherësh ish-gazetar dhe redaktor në Radio-Televizionin e Prishtinës, Safedin Xhafolli.

“Ne nuk kërkojmë bisedime me njerëz që janë uzurpatorë, me ata që i kanë zënë shtëpitë tona. Ne kërkojmë lirimin e objekteve tona, sepse ne jemi pronarë të këtyre objekteve”, tha Xhafolli.

Kjo çështje ndërkaq është ngritur edhe në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, me ç’rast zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se qeveria nuk ka të drejtë të kthejë në punë ish-punëtorët e RTP-së, por, megjithatë, ai thotë se u kanë premtuar grevistëve realizimin e disa kërkesave, të cilat mundëson ligji dhe buxheti.

“Në kuadër të kërkesave të tyre, ne u kemi garantuar se do të njohim stazhin e punës së tyre, që kanë punuar prej 1974-ës deri më 1990, dhe po ashtu u kemi thënë se do të mundohemi që përmes Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të shikojmë pronën e ish-RTP-së. Ka edhe raste sociale, të cilat kemi menduar se duhet të trajtohen përmes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale”, thotë Kuçi.

Por, me këto premtime nuk janë pajtuar grevistët. Ata thonë se Qeveria e Kosovës duhet t’i plotësojë të gjitha kërkesat. Grevisti tjetër, Rrok Berisha, njëherësh ish-redaktor i programit informativ në Radio-Televizionin e Prishtinës, thotë se forma e grevës do të ndryshojë nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre.

“...sepse kemi kërkesa shumë të mëdha nga të gjitha sindikatat tjera në Kosovë, që të vijnë këtu dhe të na japin përkrahje, dhe në vend të kësaj çadre, krejt ky shesh të mbushet me çadra deri tek qeveria”, shprehet Berisha.

Edhe grevistët tjerë pohojnë se janë të vendosur që të qëndrojnë në grevë, çfarëdo forme që merr ajo, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Njëri prej tyre është Myzafer Qafleshi, ish-redaktor i redaksisë së muzikës.

“Që 18 vjet po presim për t’u kthyer në vendin tonë të punës. Vendosmëria jonë është që të mbesim këtu deri në realizmin e pesë pikave, që i përmban kërkesa jonë. Do të thotë, pa u realizuar pesë kërkesat tona, nuk do të largohemi nga këtu. Për këtë është e informuar edhe qeveria”, pohon Qafleshi.

Ndryshe, në faqen zyrtare të internetit të Radio Televizionit të Kosovës thuhet se RTK-ja nuk trashëgon RTP-në.

Në këtë faqe thuhet se prej muajit prill të vitit 2006, RTK - si transmetues publik i Kosovës, funksionon në bazë të Ligjit për Radio-Televizionin e Kosovës, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, ligj ky që e rregullon statusin e RTK-së, si institucion të ri.

Kështu që RTK-ja, thuhet në faqen e internetit, nuk ka bazë ligjore për punësimin kolektiv të ish-punëtorëve të RTP-së.
XS
SM
MD
LG