Ndërlidhjet

Mitrovica dhe statusi i saj


Mitrovica
Mitrovica

Në Prishtinë, institucionet qendrore hedhin poshtë çdo ide për statusin e Mitrovicës, me të cilën parashihen ndarjet në baza etnike. Por, përfaqësuesit serbë në Mitrovicë pohojnë se e vetmja zgjidhje për të gjetur një rrugëdalje nga situata e krijuar, është që veriu i qytetit të funksionojë në mënyrë të pavarur nga jugu.


Autoritetet qendrore në Prishtinë thonë se çdo opsion që parasheh ndarjen e Mitrovicës në baza etnike është i papranueshëm dhe nuk do të mund të zbatohet.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se i vetmi plan që mund të zbatohet është plani i hartuar nga Martti Ahtisaari, për të cilin edhe Kuvendi ka dhënë miratimin e tij.

"Mendoj që Kosova ka bërë kompromisin e madh, njëkohësisht të dhembshëm dhe mjaft të durueshëm për shumicën shqiptare përmes planit të presidentit Ahtisaari. Ndonjë kompromis më i madh do të prishte balancën në mes të shumicës dhe pakicës në Kosovë, do ta bënte Kosovën jofunksionale në kuptimin institucional dhe do të vinte dilema se kush në Kosovë do të dëmtojë të drejtat e të tjerëve", tha Kuçi.

Sipas tij, idetë tjera nuk mund ta ndryshojnë gjendjen politike dhe ligjore në Kosovë.

"Logjika e ndarjeve etnike dhe logjika e ndarjeve të tjera administrative duket se nuk kanë funksionuar dhe kanë qenë një shembull i keq. Logjika e ndarjeve etnike është logjikë që i ka takuar viteve të 90-ta dhe logjikë që ka instaluar politika e Millosheviqit", shtoi ai.

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës thonë se për ta opsioni i vetëm i pranueshëm për Mitrovicën është që pjesa veriore e qytetit të jetë e pavarur nga pjesa jugore.

Nebojsha Joviq, nga Këshilli Kombëtar Serb, sqaron qëndrimin e tij:

“Në fund të fundit, nuk është vetëm lumi Ibër ai që na ndan, por janë edhe ngjarjet e fundit dhe ngjarjet që janë zhvilluar në dekadat e kaluara”, thotë Joviq, duke shtuar se ka shumë plagë ndërmjet dhe duhet kohë e gjatë për sanimin e tyre.

Nëse dështon opsioni që veriu i Mitrovicës të funksionojë në mënyrë të pavarur, Joviq thotë se ekziston edhe opsioni i dytë.

“Atëherë mund të shqyrtohet opsioni që veriu i Mitrovicës t'i bashkohet Komunës së Zveçanit”, edhe pse, siç thotë ai, udhëheqësit lokalë serbë e kanë dëshmuar që mund të funksionojnë në veri si qytet më vete.

Sidoqoftë, çështja e Mitrovicës është një prej sfidave kryesore me të cilat vazhdojnë të përballen institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare në Kosovë. Me planin e Ahtisaarit, është paraparë që ky qytet të shndërrohet në dy komuna dhe që për një periudhë të caktuar të mbikëqyret nga një bord ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG