Ndërlidhjet

Medvedev, Sarkozy prezantuan planin e paqes


Presidenti i Rusisë Dmitry Medvedev dhe presidenti i Francës Nicholas Sarkozy e kanë prezantuar planin për dhënien fund të armiqësive në Gjeorgji.

Plani 6 pikësh, i prezantuar pas bisedimeve në Moskë, u bën thirrje trupave ruse dhe gjeorgjiane që të tërhiqen në pozicionet fillestare para luftimeve që shpërthyen rreth rajonit separatist gjeorgjian të Osetisë së Jugut.

Plani bën thirrje edhe për bisedime ndërkombëtare mbi statusin e ardhshëm të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, rajonit tjetër separatist në Gjeorgji.

Medvedev tha se paqëruajtësit rusë do të mbeten në të dyja zonat.

Më herët, Medvedev urdhëroi ndalimin e operacionit ushtarak në Gjeorgji pas pesë ditë luftimesh, duke thënë se ai e ka arritur qëllimin.

Njoftimi për dhënien fund të armiqësive u mirëprit si "tejet pozitiv" nga diplomati i lartë amerikan Matthew Bryza, i cili ndodhet në rajon si pjesë e përpjekjeve ndërmjetësuese ndërkombëtare.

Nga Moska, Sarkozy u nis për në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi për të biseduar me presidentin Mikhail Saakashvili.
XS
SM
MD
LG