Ndërlidhjet

“Në shtator, Maqedonia njeh Kosovën”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Maqedonia do ta njohë pavarësinë e Kosovës në muajin shtator, bëjnë të ditur për gazetën "Lajm" të Shkupit burime të larta nga Qeveria e Maqedonisë. Këto burime nuk e kanë saktësuar datën kur Shkupi zyrtar do ta njohë Kosovën, por vetëm bëjnë të ditur se në shtator do të bëhet njohja e shtetit të Kosovës. Po ashtu, në shtator pritet që një numër i madh i shteteve ta njohë Kosovën. Para disa ditëve, edhe zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, Abdylaqim Ademi, i BDI-së, tha se Maqedonia shumë shpejt do ta njohë Republikën e Kosovës. Pavarësia e Kosovës, e cila u shpall para gjashtë muajve, deri tani është njohur nga 45 shtete, kryesisht vende anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe të NATO-s. Maqedonia deri tash ka hezituar ta njohë shtetin më të ri të botës, me arsyetimin se do të udhëhiqet nga interesat e saj nacionale dhe shtetërore. Një ndër shkaqet pse është vonuar njohja e Kosovës, sipas disa informacioneve, ka qenë demarkacioni i kufirit me Kosovën, si dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, të cilat u mbajtën më 1 qershor...

EPOKA E RE
Janusz Bugajski, drejtor i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, ka deklaruar se nuk duhet të tërhiqen paralelet në mes të aksionit të tashmë ushtarak të Moskës në Gjeorgji dhe mënyrës si është zgjidhur çështja e Kosovës. "Mendoj se Rusia do të intervenonte në Gjeorgji pa marrë parasysh se çfarë ka ndodhur në Kosovë. Madje, edhe nëse statusi i Kosovës nuk do të ishte zgjidhur, nuk besoj se Rusia do të priste më gjatë dhe të lejonte që Gjeorgjia ta marrë kontrollin mbi Osetinë Jugore", ka vlerësuar Bugajski në një bisedë për Zërin e Amerikës. Sipas tij, me intervenimin e saj ushtarak në Gjeorgji, Rusia ka vlerësuar se kjo është mënyra më e mirë që të ndahet Gjeorgjia dhe të pengohet hyrja e saj në NATO, ose edhe të rrëzohet qeveria në këtë vend, të shkaktohet destabilizimi i tij, të shkatërrohen kapacitetet ushtarake të tij dhe të rimëkëmbet sfera e ndikimit rus në regjion...

EXPRESS
Tanket dhe aeroplanët rusë bombarduan caqet e ushtrisë gjeorgjiane në Abkhazi dhe Osetinë Jugore, derisa diplomacia e saj po përpiqet të ngre paralele mes këtyre krahinave dhe Kosovës. Moska po shfrytëzon tymin dhe flakën që krijoi në këto rajone që, përveç tjerash, t'ia përkujtojë edhe njëherë Perëndimit "profecinë" e saj për precedentin e rrezikshëm qe krijon pavarësia e Kosovës. Përfaqësuesi i Federatës Ruse në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin, duke iu kundërpërgjigjur akuzave të kolegëve të tij perëndimorë, përdori statusin e Kosovës si atu. "Dihet se çfarë kanë bërë Shtetet e Bashkuara në Serbi", u shpreh ai. Por, nuk është vetëm diplomacia ruse ajo që po ngre paralele mes Kosovës dhe rajoneve separatiste të Gjeorgjisë. Tymi dhe mjegulla që u krijua ne brigjet e Detit të Zi po u mjegullon pamjen edhe disa mediave dhe analistëve të vendeve perëndimore. Kështu, Tim Marshall, redaktor i politikës së jashtme në Sky News, shtroi pyetjen nëse tash që forcat e Gjeorgjisë nuk do të lejohen të kthehen prapa në Osetinë e Jugut, a do ta njohë komuniteti ndërkombëtar pavarësinë e saj, apo përvetësimin nga Rusia...

BOTA SOT
Situata e sigurisë në rajonin e lindjes vlerësohet të jetë stabile dhe pa probleme, tha gjenerali Larry Kay, komandant i Brigadës Shumëkombëshe të Lindjes gjatë një takimi në Gjilan. Sipas tij, KFOR-i nuk bashkëpunon me ato struktura të cilat nuk njihen nga UNMIK-u. Tri shtylla të misionit janë: vazhdimësia, përkushtimi dhe shkathtësia. "Unë kam premtuar se ne do të mbajmë një vazhdimësi me të kaluarën do të jemi të njëtrajtshëm dhe do t'i trajtojmë të gjithë me dinjitet dhe respekt. Ne nuk do të tolerojmë dhunë dhe as ata që e mbështesin atë. Themeli i sigurisë dhe qetësisë që e kemi ne sot, janë të ndërtuara mbi mundin e të gjithë atyre që kanë qenë para nesh", tha komandanti i kampit amerikan Bondsteel, Larry Kay. "Unë jam ushtar me një mision të vetëm për të siguruar qetësinë këtu" Sipas gjeneralit, qëllimi i tyre është të vazhdojnë detyrën dhe misionin e KFOR-it në Brigadën Ushtarake Shumëkombëshe të Lindjes. Ai thotë se është plotësisht i përkushtuar dhe i vendosur në ruajtjen e gjendjes së qetë dhe të sigurt në Kosovë, por megjithatë ky është mund ekipor...

KOSOVA SOT
Përderisa institucionet e Kosovës vazhdojnë ritmin e qetë politik, shtatori duket se do të jetë më i nxehtë për politikën kosovare, kur pritet të qartësohet më tepër roli i prezencës ndërkombëtare, ndërtimi i institucioneve të reja dhe çështja e reformimit të pushtetit lokal, i cili pritet të fillojë në fund të atij muaji. Me gjithë vështirësitë, institucionet vendore konsiderojnë se me një angazhim permanent do t'i tejkalojnë ato. Paralajmërimin për zvogëlimin e stafit të UNMIK-ut në Kosovë, presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, e vlerëson si proces racional, në përputhje me rikonfigurimin e këtij misioni, ndërkaq koncentrimin e UNMIK-ut në veri të Kosovës, ai e shesh si impuls pozitiv për integrimin e këtij rajoni. "Çështja e rikonfigurimit të UNMIK-ut është një proces në frymën e udhëzimeve që ka marrë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Ne e kemi vlerësuar këtë qasje si qasje racionale të përfundimit të misionit të UNMIK-ut në Kosovë dhe marrjen e kompetencave graduale nga EULEX-i dhe ICO-ja", tha ai. Por, një nga sfidat do të jetë procesi i reformimit dhe i decentralizimit të pushtetit lokal, ku disa liderë serbë të Kosovës nuk kanë shfaqur minimumin e gatishmërisë për të bashkëpunuar në këtë drejtim, duke iu nënshtruar politikës së Beogradit. Por presidenti Sejdiu tha në Çagllavicë se disa janë të manipuluar...

INFOPRESS
Edhe pse me të marrë detyrën e shefit ekzekutiv të Organit Ekzekutiv të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ish-ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Blerim Kuçi, ka paralajmëruar se menjëherë do të fillojë reformat me partinë, një proces i tillë ende nuk ka ndodhur. Ndërsa arsyetim për mosfillimin e implementimit të reformave në këtë parti është sezoni i pushimeve. Andaj, zyrtarë të saj kanë bërë të ditur se me përfundimin e pushimeve dhe fillimin e muajit shtator në LDK do të fillojë procesi i reformimit në krye me Blerim Kuçin... I kontaktuar nga 'Infopress', Kuçi ka thënë se nuk ka filluar ende asgjë në drejtim të fillimit të procesit të reformave në parti, pasi ka vendosur që paraprakisht të shkojë në pushime. "Jo ende nuk ka filluar asgjë se tani jam në pushim. Do të fillojë në një fazë shumë shpejt", është shprehur shkurt Kuçi, duke mos dhënë ndonjë detaj të ri rreth planit të tij për reformimin e partisë së dytë në vend, pasi të gjitha të rejat tjera, sipas tij, priten diku rreth muajit shtator, atëherë kur përfundojnë edhe pushimet verore për zyrtarët e kësaj partie...

ZËRI
Zbatimi i pakos se Ahtisaarit, sipas autoriteteve qeveritare në Prishtinë, e ka jo vetëm vullnetin politik, por edhe bazën juridike të miratuar nga Kuvendi, ndërkohë që pengesë kryesore konsiderohet mosbashkëpunimi i komunitetit serb për zbatimin e këtij dokumenti. I njohur si Plani Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, dokumenti i Ahtisaarit mbetet dhe testi kryesor i funksionimit të shtetit të Kosovës. Zyra Civile Ndërkombëtare në Prishtinë vlerëson se Kosova e ka nisur mirë me zbatimin e pakos së Ahtisaarit. Zëdhënësi i ICO-s, Endi MekGafi, merr si shembuj të progresit draftimin dhe miratimin e Kushtetutës, fillimin e procesit të demarkacionit të kufirit me Maqedoninë, si dhe formimin e grupeve punuese që udhëheqin procesin e decentralizimit. "Qeveria po punon në vazhdimësi në zbatimin e Planit Gjithëpërfshirës për Statusin, me një mbështetje të plotë të ICO-s", thotë MekGafi. "Ne presim intensifikimin e zbatimit të Planit Gjithëpërfshirës për Statusin si dhe të fushave të identifikuara", thotë MekGafi, duke veçuar sidomos mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare dhe reformat në fushën e sigurisë. Ndërkaq, në Qeverinë e Kosovës, përveç zotimeve për zbatimin e këtij plani, theksohen edhe disa pengesa dhe të papritura, ndër të cilat ishte edhe ecuria e ngadalshme e tranzicionit nga UNMIK-u te EULEX-i...

KOHA DITORE
Këshilli i Sigurisë i Kosovës, një mekanizëm ky që do të ishte autoriteti ekzekutiv në vend, në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, nuk është krijuar ende. Sipas Kushtetutës dhe ligjit, ky këshill është dashur të bëhej dy muaj më parë. Pushteti ka thënë se po bëhen përgatitje dhe se nuk do të vonohet shumë me themelimin e këtij këshilli. "Tash, pas emërimit të ministrit të FSK-së, kryeministri shumë shpejt do ta themelojë këshillin", ka thënë zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi. "Ka nevojë edhe për pak përgatitje teknike, por ne besojmë se nuk duhet shumë kohë që kjo të rregullohet". Emërimi i ministrit në fjalë ka mundur të jetë pengesë për shkak se ai duhet te jetë njëri nga anëtarët e përhershëm me autoritet ekzekutiv në këshill. Por, vonesa mund të zgjasë derisa të emërohet edhe drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, pasi që edhe ai duhet të jetë anëtar i përhershëm, por me rol këshillëdhënës në KSK. Opozita, ndërkaq, e quan vonesën që është bërë me këtë rast një shkelje te rëndë të Kushtetutës. Shkumbin Demaliaj, deputet i AKR-së dhe nënkryetar i parë i Komisionit për siguri në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se krijimi i mekanizmave të sigurisë sikur që është KSK-ja kanë mbetur peng i vendimeve të kryeministrit dhe të presidentit të vendit...
XS
SM
MD
LG