Ndërlidhjet

Hyseni: Priten njohje të reja


Skënder Hyseni
Skënder Hyseni

"Gjithsesi që ditët, javët e ardhshme, priten shumë njohje tjera, deri te përmbyllja krejtësisht e procesit të njohjeve dhe këtu s'duhet të ketë dilemë", thotë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skënder Hyseni.




RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hyseni, si e vlerësoni vizitën në Republikën Çeke?

SKËNDER HYSENI
E vlerësoj të shkëlqyeshme në rend të parë, por krahas kësaj një rast shumë të mirë, një vizitë që po vjen në një moment shumë të rëndësishëm kontekstual edhe të Kosovës, por edhe të marrëdhënieve dypalëshe në mes vendeve tona.

Ishte një rast shumë i mirë që me ministrin Schwarzenberg, me zëvendëskryeministrin po ashtu, të këmbejmë mendime, të këmbejmë informacione për situatat që rrethojnë vendet tona dhe që kanë të bëjnë me vendet tona në kontekste të ndryshme.

Ishte po ashtu një rast i mirë që të bisedojmë edhe për format e bashkëpunimit të ndërsjellë, sidomos në fushën e integrimeve evropiane, karshi presidencës së radhës që Republika Çeke do ta marrë më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Jemi pajtuar që gjatë presidencës çeke, në Pragë të jemi të pranishëm përmes ndonjë oficeri të ndërlidhjes nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës që do të vendoset në Ministrinë e Jashtme të Republikës Çeke, për të shërbyer si ndërlidhje e përditshme, sistematike mes dy ministrive tona.

Po kështu kemi biseduar gjerë e gjatë me ministrin Schwarzenberg sidomos rreth procesit të njohjeve të reja të shtetit të ri e të pavarur të Kosovës, rreth përgatitjeve që Kosova po bën për të qenë e pranishme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe forma e trajta të ndryshme të përkrahjes që mund të vazhdojë t'i japë Republika Çeke Republikës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Folët për njohjen. Këto ditë, Malta e njohu Kosovën. A priten njohje të reja ditët e ardhshme?

SKËNDER HYSENI
Gjithsesi që ditët e ardhshme, javët e ardhshme, muajt e ardhshëm, priten shumë njohje tjera deri te përmbyllja krejtësisht e procesit të njohjeve dhe këtu nuk duhet të ketë dilemë askush.

Të kesh dilemë në këtë proces të njohjeve, do të thotë të mos besosh në kauzën elementare të pavarësisë së Kosovës dhe gjithsesi unë nuk jam nga ata që nuk besojnë. Jam nga ata që besojnë me fanatizëm, që kanë besuar gjithmonë dhe besojnë edhe më tutje, përkundër përpjekjeve aty-këtu nga ndonjë anë për të futur pesimizëm të pafre, por pa asnjë bazë, do ta them troç.

Kosova po ecën në drejtimin e duhur, njohjet do të vijnë në kohën e duhur, natyrisht u takon vendeve veç e veç që të marrin vendimin përfundimtar. Kosova po bën çdo gjë që është e mundshme dhe që është në mandatin e saj, në pushtetin e saj, sa i përket njohjeve.

Kosova nuk mund t'u diktojë vendeve të rruzullit tokësor kur duhet ta bëjnë njohjen, përkundrazi Kosova jep informacionin e duhur, ofron krejt çka ka nevojë dhe që i kërkohet Kosovës të ofrojë.

Natyrisht, mëton, punon dhe insiston të zhvillojë marrëdhënie të shkëlqyeshme me të gjitha vendet, përfshirë edhe ato që nuk na kanë njohur ende, sepse do të na njohin, por vendimi përfundimtar u takon vendeve veç e veç dhe kjo duhet të kuptohet qartë dhe vetëm si e tillë duhet të kuptohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbia ka bërë kërkesë në Kombet e Bashkuara që Gjyqi i Hagës të debatojë për, siç thonë ata, legalitetin e pavarësisë së Kosovës. Si do t'i përgjigjeni ju kësaj kërkese të Serbisë?

SKËNDER HYSENI
Për aq sa kam unë informacion, dhe kam informacion të plotë ju siguroj, Serbia mëton të kërkojë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë një interpretim juridik të aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Dhe, ta them troç, edhe po qe se do të ketë sukses kjo iniciativë serbe, për Kosovën nuk ka asnjë implikim juridik, sepse deklarimi i pavarësisë së një shteti dhe njohja e pavarësisë së atij shteti, nuk është akt juridik, është akt i skajshëm politik, është akt i një qëndrimi politik që mban një vend ose një tjetër karshi një vendi të ri të pavarur.

Mund të prodhojë pasoja të natyrës tjetër, mund ta ngadalësojë procesin e njohjeve të Kosovës, gjithnjë po flasim po qe se do të ketë sukses. Kosova, Ministria e Punëve të Jashtme, presidenti, kryeministri, janë duke punuar sistematikisht dhe ngjeshur në kanale të ndryshme, me partnerë në bashkësinë ndërkombëtare, që kjo të mos ketë sukses.

Do ta bëjmë të gjithë punën që është në potencialin tonë që kjo iniciativë të mos ketë sukses, sepse është shumë e dëmshme jo vetëm për Kosovën, por është barabartë e dëmshme edhe për Serbinë, për marrëdheniet mes vendeve në rajon, për të ardhmen evropiane të rajonit.

Nuk mund të pajtosh qëndrimin serb për t'u integruar në Unionin Evropian në njërën anë me një iniciativë që esencialisht vë në bankë të zezë tashti 21 shtete, sot 21 shtete anëtare të BE-së.

Sido që të jetë, ndonëse jam i bindur që ne do bëjmë punën tonë, miqtë e Kosovës do bëjnë punë dhe të gjitha këto përpjekje të koncertuara do të bëjnë që iniciativa serbe që është e dëmshme edhe për Serbinë, të dështojë në fund, dhe nuk do të mungojë puna për ta penguar këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat do të jenë angazhimet dhe prioritetet e diplomacisë kosovare në muajin shtator, kur edhe mblidhet Asambleja e Kombeve të Bashkuara?

SKËNDER HYSENI
Shikoni, duhet të kemi mirëkuptim pak që ndonjëherë veprimet, planet dhe agjenda e diplomacisë jo gjithmonë bëhen publike krejtësisht, sepse atëherë ua keni zbuluar strategjinë tuaj kundërshtarëve politikë.

Ka kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës që do të donin të dinin saktësisht se çfarë do të bëj unë ditën e parë kur të shkoj në Nju Jork për të qenë i pranishëm gjatë Asamblesë së Përgjithshme, sepse të merremi vesh, Kosova nuk do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme, sepse nuk jemi anëtarë të OKB-së.

Ne, presidenti dhe unë, do të jemi të pranishëm gjatë dy javëve të Asamblesë së Përgjithshme, për të pasur takime të shumta me delegacione të ndryshme, individualisht, takime bilaterale me delgacione të ndryshme anëtare të OKB-së.

Kemi bërë kërkesa të shumta për takime të ndryshme dhe do të ketë takime të shumta. Mund të them vetëm kaq tash për tash.

RADIO EVROPA E LIRË
Janë tërhequr shumë paralele këtyre ditëve në mes të rastit të Kosovës dhe atij të Gjeorgjisë. Si do t'i përgjigjeshit këtyre përpjekjeve?

SKËNDER HYSENI
Përgjigjja është shumë e thjeshtë dhe e shkurtër. Nuk ka asnjë paralele mes Kosovës dhe Gjeorgjisë, nuk mund të tërhiqet asnjë krahasim mes Kosovës dhe Gjeorgjisë, sepse janë dy raste, dy situata krejtësisht të ndryshme.

Derisa Kosova është një shtet që ka dalë si rezultat i shpërbërjes së dhunshme të një federate ku Kosova ka qenë anëtare e barabartë me të drejta të plota, Gjeorgjia është një rast krejt tjetër dhe unë nuk do të elaboroj më shumë, përpos të konstatoj edhe njëherë më zë të lartë atë që tashmë është konstatuar nga presidenti Ahtisaari, është pranuar si definicion nga gjithë bota liridashëse dhe demokratike për Kosovën si një rast i veçantë, sui generis, i pakrahasueshëm me ndonjë rast dhe situatë tjetër në botë.
XS
SM
MD
LG