Ndërlidhjet

Kontrabanda me naftë në veri dëmton buxhetin e Kosovës


Pika kufitare Jarinë, 19 shkurt 2008.
Pika kufitare Jarinë, 19 shkurt 2008.

Mungesa e kontrollit në pikat doganore në veri të Kosovës mundëson kontrabandën me naftë dhe derivate të naftës. Kështu thonë ekspertët në Kosovë, sipas të cilëve, dëmi financiar, të cilin po e shkakton kontrabanda në veri, i shkakton humbje të mëdha buxhetit të vendit. Shërbimi Doganor i Kosovës pohon të kundërtën.

Kontrabanda me naftë dhe derivate të naftës në pikat doganore në veri të Kosovës po i shkakton humbje të konsiderueshme buxhetit të konsoliduar të Kosovës. Kështu vlerësojnë ekspertët në Kosovë, të cilët thonë se dëmi financiar vjen si pasojë e mospagesës së taksave nga importuesit që vijnë nga Serbia tek institucionet e Kosovës.

Udhëheqësi i Institutit për studime të avancuara GAP, Shpend Ahmeti, thotë se dallimi i çmimeve të derivateve të naftës në veri është shumë i lartë në krahasim me çmimin të cilin e paguajnë qytetarët në pjesët e tjera të Kosovës. Kështu, një litër benzinë në veri të Kosovës kushton rreth 90 cent, ndërkohë që çmimi i një litri në pjesët e tjera të Kosovës sillet prej 1 euro e 20 e deri në 1 euro e 30 cent.

"Përderisa çmimet në qendër të Kosovës apo në pjesë të tjera të Kosovës për një litër benzinë sillen nga 1 euro e 20 deri në 1 euro e 30 cent, në veri mund ta gjeni me çmim prej 90 centëve, për arsye se nuk po paguhen tatimet, nuk po paguhet TVSH-ja dhe të gjitha taksat që duhet paguar shtetit të Kosovës", thotë Ahmeti.

Në anën tjetër, Shërbimi Doganor i Kosovës vlerëson se kontrabanda me dervate të naftës në pjesën veriore të vendit është minimale. Zëdhënësi i Shërbimit Doganor, Adriatik Stavileci, thotë se kontrabanda me dervate të naftës, e cila, sipas tij, sillet diku rreth 1%, nuk ka mundur të pengojë sasinë e importit të këtij produkti.

"Në rast se shikohen të hyrat sa janë dhe në rast se shikohet importi i naftës sa është, atëherë kjo tregon shumë qartë se kjo kontrabandë është shumë minimale. Nëse flasim në përqindje, atëherë mund të themi se është më e ulët se 1%", thotë Stavileci.

Por, Shpend Ahmeti nënvizon se Qeveria e Kosovës duhet sa më parë t'i rifunksionalizojë pikat doganore në veri të Kosovës, të cilat vazhdojnë të jenë jashtë autoritetit të mekanizmave vendorë që nga shpallja e pavarësisë.

"Këtu duhet të jetë një ushtrim sa më efektiv i administratës dhe këtu duhet të vendosen sa më parë pikat kufitare e doganore, në mënyrë që të jetë një kontroll më i rreptë që të mos ndodhin këto kontrabandime",
thekson Ahmeti.

Në anën tjetër, administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë shpreson që t'i kthejë sa më parë nën kontroll pikat doganore në kufi për të kontrolluar qarkullimin e mallrave në atë pjesë.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, pohon se kontranbanda, jo vetëm me naftë, por edhe me produkte të tjera, është problem, i cili dëmton sikurse Ksoovën, ashtu dhe Beogradin. Por, sipas tij, ky problem nuk mund të zgjidhet me përdorimin e forcës, por duhet të zgjidhet përmes një marrëveshjeje.

"Sa i përket kontrabandës, mund të them se që të dyja palët po humbin shumë, për shkak të kësaj. Kjo është edhe njëra ndër arsyet, për shkak të së cilës ne duhet të vendosim kontrollin sa më parë në pikat doganore".

"Kontrabandimi është një problem për të dyja palët dhe zgjidhja e këtij problemi do të marrë kohë. Kjo nuk është një çështje ku mund të përdorim forcën, por mbi këtë çështje duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet palëve. Por, ajo që dua të them, është se edhe Beogradi ka humbje nga kontrabanda", thotë Ivanko.

Mungesa e autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare në veri të Kosovës vazhdon të jetë shqetësuese dhe njëra ndër sfidat më të mëdha me të cilat po ballafaqohet Republika, sidomos që nga shpallja e pavarësisë.

XS
SM
MD
LG