Ndërlidhjet

Borxhet e serbëve dhe planet e KEK-ut


Termocentrali Kosova A
Termocentrali Kosova A

Konsumatorët serbë që jetojnë nëpër enklava, që nga viti 1999, asnjëherë nuk i kanë paguar faturat e shpenzuara të energjisë elektrike, thonë zyrtarë të KEK-ut. Me qëllim të shlyerjes së pagesës së faturave të shpenzuara, Korporata Energjetike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta udhëzojë korporatën se si të veprojë me këtë problem. Në të kundërtën, edhe këta borxhlinj do të shkyçen nga rrjeti elektrik.

Mbi 110 milionë euro është borxhi që i kanë Korporatës Energjetike të Kosovës konsumatorët serbë që jetojnë nëpër enklava, të cilët që nga përfundimi i luftës asnjëherë nuk i kanë paguar faturat e shpenzuara. Kështu thotë Nezir Sinani, zëdhënës në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Ai thotë se bordi i drejtorëve të KEK-ut ka vendosur që faturat për shpenzimin e energjisë elektrike të konsumatorëve t’i dërgojë në Qeverinë e Kosovës e jo më në UNMIK.

“Qysh nga mesi i vitit 1999 e deri më sot, publiku është i njoftuar që konsumatorët tanë që jetojnë nëpër enklava, që janë të komunitetit serb, nuk kanë paguar për borxhin e tyre për shpenzimin e energjisë elektrike. Deri më sot, borxhi total i këtyre konsumatorëve ndaj korporatës është mbi 110 milionë euro”, tha Sinani.

Për këtë qëllim, Sinani thotë se bordi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të udhëzojë korporatën se si të veprojë me këtë problem, pasi që, sipas tij, pamundësia e KEK-ut për të shkyçur konsumtorët që nuk e paguajnë energjinë nëpër enklava, është çështje politike dhe jo teknike.

“Për momentin jemi në pritje të udhëzimeve nga Qeveria e Kosovës, respektivisht nga MEM-i, se si të veprohet. Në rast se do të marrim një udhëzim të duhur, ne do të veprojmë në përputhje me atë udhëzim. Mirëpo, në rast se një udhëzim i tillë nuk lëshohet nga qeveria, atëherë korporata do të jetë e obliguar që këta konsumatorë t’i shkyçë nga rrjeti distributiv dhe të veprojë në përputhje me ligjet në fuqi, që kanë të bëjnë me mospagesën dhe abuzimin me energji elektrike”, deklaroi Sinani.

Sinani tregon se në rastet kur konsumatorët serbë janë shkyçur nga rrjeti elektrik, mënjëherë ka reaguar UNMIK-u për rikyçjen e tyre.

“Korporatës i është kërkuar që të bëjë rikyçjen e këtyre konsumatorëve dhe mos të bëjë trajtimin e tyre njësoj si të konsumatorëve të tjerë. Kështu që gjithmonë ka pasur ndërhyrje politike nga jashtë në korporatë, që të mos bëhet shkyçja e konsumatorëve. KEK-u është ngulfatur nga pamundësia për të vepruar në këtë drejtim, meqenëse 110 milionë euro janë të papërballueshme për KEK-un që t'i humbasë”, tha Sinani.

Por, ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, thotë se korporata nuk duhet t'i trajtojë konsumatorët në baza etnike. Ai, ndërkaq, thotë se korporata nuk duhet të presë udhëzim nga qeveria se si t'i trajtojë konsumatorët.

“KEK-u nuk duhet të mbështetet në udhëzime administrative dhe ndërhyrje politike, por duhet të mbështetet nëpërmes mekanizmave institucionalë. Duhet të krijohet infrastrukturë e tillë ligjore që konsumatori ta ndjejë peshën e ligjit dhe veprimit. Prandaj, duhet të përfundojnë njëherë e përgjithmonë politizimet dhe lojërat politike që janë duke u bërë. KEK-u duhet të sillet si një kompani biznesore”, theksoi Çeku.

Ndryshe, më pak se gjysma e popullatës në Kosovë e paguan energjinë e shpenzuar. Mbi 320 milionë euro është shuma totale që konsumtorët i kanë borxh KEK-ut, që prej përfundimit të luftës.

Me qëllim të rritjes se inkasimit të energjisë , KEK-u tashmë ka filluar një aksion për shkyçjen e konsumtorëve komercialë nga rrjeti elektrik, ndërkaq nga mesi i muajit shtator do të fillojë edhe shkyçja e borxhlinjëve të amvisërisë.
XS
SM
MD
LG