Ndërlidhjet

Çështja e emrit mund të mbetet e hapur për disa vite


Pamje në Shkup
Pamje në Shkup

Gjatë javës së ardhshme në Nju Jork pritet të realizohet raundi i ri i negociatave për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, kur edhe është paralajmëruar presion plotësues për të dyja palët nga faktori ndërkombëtar; me këtë, t'i hapet rrugë edhe procesit të integrimit të Maqedonisë.

Ekspertët e vendit vlerësojnë se Maqedonia duhet të shfrytëzojë me çdo kusht këtë shans, ndërkohë që shefi i diplomacisë maqedonase ka lënë të kuptohet se kjo çeshtje do të mbetet e hapur edhe disa vite.

"Parashikimi im për katër vjetët e ardhshëm është se në Maqedoni do të ketë lajme për një Maqedoni stabile, zhvillim solid ekonomik dhe herë pas here mosmarrëveshje ose diskutime rreth kontestit të emrit me Greqinë", ka theksuar shefi i diplomacisë maqedonase, Antonio Milloshovski, duke ripërsëritur qëndrimin se është Athina zyrtare ajo që pengon zgjidhjen e emrit.

Nga ana tjetër, eksperti për çështje politike, Jovan Donev, thotë se shanset më të mira as nuk janë humbur e as nuk do të vijnë nga pakoja, e cila do t`u ofrohet palëve kontestuese në shtator. Andaj, kjo ofertë nga ndërmjetësuesi i OKB-së, Metju Nimic, duhet shfrytëzuar, thotë Donev, duke nënvizuar se formula e dyfishtë është zgjidhja më e mirë.

"Ne mund ta lejojmë Greqinë të na emërtojë si shtet siç dëshiron ajo, por shtetet tjera duhet ta njohin Maqedoninë me emrin kushtetues", thotë eksperti për çështje politike, Jovan Donev.

Ndryshe nga ai, politikologu shqiptar, Qani Nuhiu, thotë se insistimi në formulën e dyfishtë, një emër për botën dhe një në raport me Greqinë, vetëm i thellon dallimet dhe fare nuk çon kah zgjidhja e kontestit.

"Pozicioni edhe i Maqedonisë në përgjithësi, edhe i Qeverisë së Maqedonisë për formulim të dyfishtë dhe insistimi i Qeverisë greke që përveç emrit të futet dhe identiteti i Maqedonisë dhe çështja e gjuhës maqedonase, njësoj e largojnë projektin nga gjetja e zgjidhjes".

"Domethënë, largohen nga pozicionet në të cilat ishin para disa muajve, kur edhe në njëfarë forme nga ana e Qeverisë maqedonase, të paktën siç u tha, u pranua se mund të gjendet një emër i përbashkët për përdorim të përgjithshëm", tha Nuhiu.
XS
SM
MD
LG