Ndërlidhjet

Vetëvrasjet në Kosovë


Në Kosovë, sot shënohet dita ndërkombëtare për parandalimin e vetëvrasjeve. Ky fenomen pas përfundimit të luftës ka filluar të marrë përmasa shqetësuese, thonë organet e rendit dhe ekspertë të shëndetit mendor. Prej vitit 2000 e deri në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, vetëvrasje kanë bërë 460 persona.

Që nga viti 2000, numri i vetëvrasjeve në Kosovë ka filluar të rritet, thonë organet e rendit dhe ekspertë të shëndetit mendor, në ditën ndërkombëtare për parandalimin e vetëvrasjeve. Ata thonë se ky fenomen në Kosovë ka filluar të paraqitet si shqetësues për institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi.

Violeta Elezaj, zëdhënëse në Policinë e Kosovës, thotë se që nga viti 2000 e deri në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, vetëvrasje kanë bërë 460 persona, ndërkaq tentim -vetëvrasje 746 persona. Sipas statistikave, numri më i madh i personave që kanë bërë vetëvrasje sillet prej 18 deri në 30 vjeç.

"Në bazë të statistikave që policia posedon, duke bërë një krahasim me vitet e kaluara, në vitin 2003 kemi 67 raste të vetëvrasjeve, në vitin 2004 - 63 raste, në vitin 2005 -53 raste, 2006 -54 persona kanë bërë vetëvrasje, në vitin 2007- 58 raste, ndërkaq në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, 25 persona kanë bërë vetëvrasje, ndërkaq 105 tentim - vetëvrasje”, thotë Elezaj.

Edhe zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se vetëvrasjet në Kosovë kanë filluar të zgjerohen dhe numri i tyre po rritet dita-ditës. Gani Shabani, nga zyra për shëndetin mendor në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se ndër arsyet kryesore për rritjen e numrit të vetëvrasjeve janë traumat e luftës dhe periudha e tranzicionit nëpër të cilën po kalon Kosova.

“Shkaktarët kryesorë janë traumat e ndryshme, depresionet, abuzimet e substancave, të cilat më së shumti shoqërojnë vetëvrasjet dhe tentim-vetëvrasjet. Mirëpo, përveç këtyre, janë edhe periudhat e tranzicioneve socio-ekonomike të shoqërise sonë, familja apo krizat individuale që mund të përjetojë një person, rritja e sjelljeve psiko-patologjike, dezintegrimi i familjes në tërësi”, tha Shabani.

Por, ekspertë të shëndetit mendor thonë se vetëvrasja sikurse edhe format tjera të dhunës mund të parandalohet. Psikologu Dashamir Bërxulli thotë se në parandalimin e saj ekzistojnë dy hapa të rëndësishëm - i pari, zbulimi i shenjave paralajmëruese dhe më pas gjetja e ndihmës. Por, shton ai, në këtë luftë duhet të përfshihen edhe institucionet shtetërore.

“Për parandalimin e vetëvrasjeve duhet të jepet një kontribut i shtuar nga të gjitha segmentet e shoqërisë, por normalisht pesha më e madhe e punës i bie institucioneve të shëndetit mendor”,
thotë Bërxulli.

Ministria e Shëndetësisë është duke bërë përpjekje të vazhdueshme për parandalimin e kësaj dukurie, thotë Gani Shabani.

“Për parandalimin e këtij fenomeni, Ministria e Shëndetësisë është duke bërë shumë brenda mundësive. Me planin strategjik që është miratuar nga Ministria e Shëndetësisë është një ndër prioritetet në vitin 2008 themelimi i një grupi për hulumtimin e vetëvrasjeve në Kosovë”, thotë Shabani.

Ndryshe, rajonet më të prekura nga vetëvrasjet janë kryesisht ato që kanë nivel të lartë të papunësisë dhe varfërisë.
XS
SM
MD
LG