Ndërlidhjet

Edhe vendimi negativ i GJND-së - pa efekt për Kosovën


Selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë
Selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Ekspertët ligjorë në Kosovë konsiderojnë se iniciativa e Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë mendimin e saj lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, nuk do të ketë sukses.

Ismet Salihu, ekspert ligjor, konsideron se një insistim i tillë nga Serbia do të dështojë.

"Sipas konventave ndërkombëtare, kjo iniciativë e Serbisë dhe eventualisht ndonjë vendim negativ i gjykatës, nuk mund të ketë kurrfarë efekti, për shkak se sipas konventave dhe akteve tjera më të rëndësishme, më relevante ndërkombëtare, Kosova ka pasur të drejtën e vetëvendosjes, ka pasur të drejtë të pavarësohet prej asaj krijese të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë”, thotë Salihu.

Për ekspertin Salihu, një iniciativë si ajo e Serbisë, mund të kalojë për shqyrtim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara vetëm nëse arrihet numër i konsiderueshëm i votave nga vendet anëtare të OKB-së.

"Nëse në OKB arrihet numër i caktuar i votave për të proceduar këtë çështje në Gjykatën e Drejtësisë, atëherë ajo do të shkojë. Nuk e di saktësisht, por më shumë se gjysma e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara duhet të votojnë, edhe pse edhe aty mund të mos fitohet numri caktuar i votave", thekson Salihu.

Nga ana tjetër, edhe profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Qerim Qerimi, thotë se ende nuk dihet se a do të kalojë kjo kërkesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

"Nuk është e lehtë të parashikohet me saktësi nëse kjo do të kalojë apo jo. Nga kjo që kemi parë deri tash, ka shumë vende që nuk janë deklaruar dhe po ashtu shumë më tepër vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të cilat mund të mendohet se mund ta mbështesin ketë lloj kërkese. Madje, ka edhe shtete që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe që janë deklaruar se do ta respektojnë këtë kërkesë për një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë", tha Qerimi.

Nëse kjo iniciativë e Serbisë kalon dhe merr miratimin e OKB-së, eksperti Salihu pohon se ajo mund ta zvarrisë edhe më shumë procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet, të cilat deri më tash nuk e kanë ndërmarrë një hap të tillë.

Por, zoti Qerim Qerimi mendon se ende është herët të thuhet se cilat do të jenë pasojat për Kosovën, pasi që, sipas tij, duhet të pritet vendimi se a do të kalojë kjo çështje në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

"Është e vështirë të thuhet se çka në të vërtetë do të thotë. Duhet të pritet nëse kërkesa do të miratohet në Asamblenë e Përgjithshme, e pastaj, pasi kjo të miratohet, i takon gjykatës që të vendosë; gjykata mund të vendosë nëse do të japë një opinion këshillues ose jo. Gjykata e përcakton nëse ka juridiksion që të japë një opinion për këtë çështje. Pasi t’i përgjigjet pyetjes së juridiksionit, gjykata vendos nëse dëshiron ta lëshojë këtë opinion apo jo", tha Qerimi.

Zoti Salihu gjithashtu konsideron se një politikë si kjo e Beogradit, bëhet vetëm për politika të brendshme të vendit.

"Pushteti, Qeveria e Serbisë e ka ndërmarrë më se tepërmi me qëllim që brendapërbrenda popullit të vet të thotë se ne të gjitha masat i morëm, por nuk mundëm asgjë të bëjmë që ta kthejmë, ta mbajmë Kosovën nën juridiksion. Kështu që kjo më shumë do të ketë efekt për përdorim të brendshëm të serbëve”,
tha Salihu.

Ndryshe, edhe institucionet e Kosovës kanë shprehur bindjen e tyre se nisma e Serbisë për të kërkuar mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me pavarësinë e Kosovës, do të dështojë.
XS
SM
MD
LG