Ndërlidhjet

Policët serbë presin marrëveshjen Beograd-UNMIK


Policët e suspenduar serbë
Policët e suspenduar serbë

Përfaqësuesit serbë në Kosovë thonë se bisedimet me UNMIK-un për statusin e policëve serbë të suspenduar, do të intensifikohen, me kërkesën që ata të kthehen në punë nën komandën e policisë ndërkombëtare. UNMIK-u hedh poshtë një mundësi të tillë.


Ministria për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka paralajmëruar se do të vazhdojë dialogun me UNMIK-un, mbi kërkesat e pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës, që të jenë nën komandën e policisë ndërkombëtare. Këtë, për radion tonë, e ka konfirmuar kryetari i Qendrës Koordinuese për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Zvonomir Steviq.

“Qëndrimet zyrtare të politikës së Beogradit, përkatësisht Ministrisë për Kosovën dhe Qendrës Koordinuese, janë të pandryshueshme. Kjo nënkupton që të gjithë 805 pjesëtarët e SHPK-së, që e kanë lëshuar atë shërbim pas sjelljes në fuqi të Kushtetutës dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës, janë të gatshëm që të kthehen, por natyrisht nën komandën e administratës së UNMIK-ut. Ky është qëndrimi zyrtar i Qeverisë së Republikës së Serbisë”, ka deklaruar Steviq.

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, dhe ministri për Kosovën, Goran Bogdanoviq, javën e kaluar, në Beograd, ndër të tjera kanë biseduar edhe për problemin e policëve serbë të suspenduar. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko, thotë se me këtë rast kryeadministratori Zannier ka pasur qëndrim të qartë.

“Ne gjithmonë i kemi inkurajuar serbët e Kosovës që të kthehen në polici, sepse janë të nevojshëm për komunitetin e tyre, por kemi theksuar qartë se zinxhiri komandues mbetet policia e Kosovës”, ka thënë Ivanko.

Qindra pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës, që gjashtë muaj bojkotojnë punën në këtë shërbim, sepse nuk duan të punojnë në institucionet e Kosovës së pavarur. Ata duan të kthehen në punë, por nën komandën e UNMIK-ut.

Mirëpo, një propozim i tillë është refuzuar, për shkak se në të gjitha rajonet, përveç në Mitrovicë, është bërë tranzicioni nga UNMIK-u tek Policia e Kosovës dhe ato stacione janë nën komandën e shërbimit në Prishtinë.

“Shpresojmë që do të ketë kompromis, por kreu i UNMIK-ut, Zannier, ka thënë qartë se nuk do të ketë kthim mbrapa, sepse ka të bëjë me kalimin e kompetencave”, ka thënë Ivanko.

Megjithatë, pala serbe shpreson se do të arrihet një marrëveshje. Steviq thotë se nga bisedimet duhet kërkuar zgjidhje, për shkak të gjendjes së rëndë sociale të policëve serbë dhe familjeve të tyre.

“Ajo çka bën EULEX-i, për politikën zyrtare të Beogradit dhe për Ministrinë për Kosovën, është e papranueshme, dhe ne, pa vendim të ri të Këshillit të Sigurimit, tash për tash, e shpresoj edhe në të ardhmen, nuk kemi të drejtë të sillemi ndryshe. Do të thotë, do të ketë bisedime, sepse kemi problem serioz. Janë 805 njerëz që kanë probleme personale dhe familjare, të tjerët janë pa punë, nuk kanë të ardhura, në ndërkohë kanë marrë kredi, kështu që ai problem duhet të zgjidhet sa më parë”, ka thënë Steviq.

Kur Qeveria e Serbisë u ka bërë thirrje policëve serbë që t’i lëshojnë institucionet e Kosovës, ka premtuar që do të përkujdeset për ta, pasi në ndërkohë ata janë suspenduar. Ky do të jetë opsioni nëse UNMIK-u nuk merr parasysh kërkesat e serbëve, ka thënë Steviq, duke mos dhënë detaje.

“Përderisa administrata e UNMIK-ut dhe institucionet e Kosovës të jenë aq të ashpra dhe nuk pranojnë policët serbë të SHPK-së, atëherë Qeveria ka marrë vendim që të definojë statusin e tyre, kurse çfarë statusi do të jetë, nuk është vendosur ende”, ka deklaruar Steviq.
XS
SM
MD
LG