Ndërlidhjet

“Prapë shtyhet njohja e Kosovës nga Maqedonia?”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Konfuzioni rreth njohjes së shtetit të Kosovës nga Maqedonia duket që do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Informatat që vijnë prej Shkupit, prej qarqeve të afërta me Qeverinë e Maqedonisë të kryeministrit Nikola Gruevski, megjithatë, duket që më shumë anojnë kah një tjetër shtyrje e vendimit të Shkupit zyrtar për ta pranuar pavarësinë e shtetit fqinj, Kosovës, megjithëse në dy javët e fundit, madje, janë zënë në gojë edhe datat konkrete (22 dhe 23 shtatori), kur pritej që Qeveria e Maqedonisë ta bëjë publik vendimin e saj rreth Kosovës. Burimet diplomatike perëndimore i kanë thënë gazetës "Zëri" që kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, që njihet personalisht me kryetarin e Maqedonisë, Branko Cërvenkovskin, ka ftuar këtë të fundit që mos të ndërmarrë veprime për njohjen e Kosovës, derisa të mos kryhet procesi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku Beogradi llogarit që mund ta fitojë përkrahjen për nismën e tij të involvimit të GJND-së, për ta vlerësuar aktin e pavarësimit të Kosovës. Në anën tjetër, në Shkup, në qarqet qeveritare, kanë marrë hov spekulimet për vendimin e Athinës zyrtare, të komunikuar para disa ditësh, për njohjen e pasaportave të Republikës së Kosovës. Deri me tash, Shkupi zyrtar ka artikuluar dy kushte që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ai i pari kishte të bënte me përparimin, apo edhe përfundimin e shënjimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, obligim ky që del nga Propozimi Gjithëpërfshirës i Presidentit Ahtisaari (mars, 2007); ndërsa i dyti, që Kosova ta njohë Maqedoninë me emrin kushtetues, Republika e Maqedonisë...

EXPRESS
Misioni i Bashkimit Evropian në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë ka hyrë në një fazë intensive të zbarkimit. Gjatë fundjavës së fundit rreth 50 pjesëtarë të rinj të EULEX-it kanë arritur në Kosovë për t'iu bashkuar këtij misioni. Shefi i EULEX-it, Yves de Ker-mabon, ka thënë të hënën se ky është hapi i parë i rëndësishëm në zbarkimin e shkallës së gjerë të EUELX-it dhe ka paralajmëruar ardhje në grupe të mëdha të pjesëtareve të rinj. "Pas këtyre pjesëtarëve të rinj, për çdo javë do të zbarkojnë rreth 100 pjesëtarë të EULEX-it. Jam i gëzuar dhe krenar të pres kolegët tanë të rinj. Është një nder për mua të punoj me kaq shumë profesionistë të shkathtë, që vijnë nga shumë vende të ndryshme", ka thënë De Kermabon. Kreu i Misionit të BE-së ka deklaruar se kontributet e tyre do të ndihmojnë qeverinë lokale që të ndërtojë një sundim të fuqishëm të ligjit, të lirë nga ndërhyrjet politike, që vepron brenda kornizës së shëndoshë ligjore dhe në koordinim të afërt dhe në bashkëpunim me të gjithë faktorët relevantë, duke promovuar shumetnicitetin, të drejtat e njeriut, dhe në përputhje me standardet e pranuara evropiane, praktikat e mira dhe "acquis communautaire" në fushën e sundimit të ligjit...

KOHA DITORE

Një pritje ceremoniale që presidenti amerikan, George Bush, organizoi të hënën mbrëma në Nju Jork, për të nderuar pjesëmarrësit e Asamblesë së 63-të të Përgjithshme të OKB-së, ka mbledhur në një vend krerët e shteteve dhe qeverive të botës, në mesin e të cilëve ishte edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu... Pjesëmarrja e presidentit Sejdiu në pritje shënon edhe ndër rastet e para për të takuar zyrtarë botërorë, të cilët marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që nis punimet të martën. Në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme është edhe një rezolutë e parashtruar nga Serbia, me të cilën kërkohet që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë te vlerësojë ligjshmërinë e pavarësisë së shpallur të Kosovës. Delegacioni serb që lufton për të fituar shumicën e votave në Asamble udhëhiqet nga presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, i cili po ashtu ishte i ftuar në pritjen e presidentit amerikan Bush. Delegacioni kosovar, në të cilin, pos presidentit Sejdiu, bën pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, pos kundërshtimit të rezolutës së propozuar të Serbisë në takimet e parapara do të kërkojnë edhe njohjen e Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë bërë ketë. Siç raporton KTV-ja, presidenti Sejdiu dhe ministri Hyseni, të hënën, para pritjes presidenciale në hotelin "Waldorf Astoria", kanë takuar edhe ambasadorin e SHBA-së në OKB, Zalmay Khalilzad, me të cilin është biseduar për procesin e njohjes së Kosovës dhe rrjedhën e punimeve në Asamblenë e Përgjithshme...

EPOKA E RE
Çështja e statusit të Kovës tashmë ka përfunduar dhe se rikthimi i saj në tryezat e bisedimeve të çfarëdo niveli është i panevojshëm, ka theksuar sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice. Ajo këtë qëndrim e ka shprehur gjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, me të cilin ka biseduar për Kosovën, në kontekst të nismës serbe në Kombet e Bashkuara, për ta kërkuar mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ky qëndrim i Condoleezza Rice është shprehur edhe nga përfaqësuesi i SHBA-së në Komitetin e Përgjithshëm me rastin e shqyrtimit të kërkesës së Serbisë. Po ky qëndrim pritet të shprehet edhe gjatë sesionit të 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kur do të jetë në rend dite kërkesa e Serbisë...

KOSOVA SOT
Njëra ndër temat qendrore, me të cilat do të merret sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e vet të rregullt, është gjetja e zgjidhjes përfundimtare rreth raportit të Komisionit për Legjislacion dhe Kushtetutë lidhur me procedimin në seancë plenare të tri kandidaturave për Avokatin e Popullit, që janë përzgjedhje e ngushtë nga konkursi i fundit, i shpallur në pranverë për këtë pozicion. Këshilltari për media i kryetarit të Kuvendit të Kosovës,
Ismet Hajrullahu, i tha dje gazetës se Kryesia e ka renditur për mbledhjen e sotme edhe këtë çështje dhe pritet që përfundimisht të merret një vendim, i cili do të dalë si rezultat i diskutimit dhe i qëndrimeve që do të shprehen në Kryesi. "Çështja është renditur në rendin e ditës të mbledhjes së Kryesisë dhe pritet që të merret një vendim, i cili do të komunikohet pas mbledhjes", tha Hajrullahu, duke mos paragjykuar paraprakisht formën e atij vendimi. Ndonëse në mbledhjen e kaluar të Kryesisë se Kuvendit është lënë mundësia që deri në mbledhjen e radhës, pra mbledhjen që mbahet sot, grupet parlamentare të takohen dhe t'i harmonizojnë qëndrimet e tyre rreth kësaj çështjeje. Konsulta të tilla mësohet se paraprakisht nuk ka pasur. "Jo, deri sot nuk ka pasur ndonjë konsultim në mes nesh, shefave të grupeve parlamentare, por besoj që krejt kjo çështje do të debatohet dhe do të merret vendimi adekuat gjatë mbledhjes së përbashkët me Kryesinë e Kuvendit dhe kjo çështje do të qartësohet", tha shefi i Grupit Parlamentar të LDD-së, Lulzim Zeneli...

INFOPRESS
Nisma e Serbisë për të kërkuar opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e aktit të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, gjithnjë e më tepër është duke i ngjasuar shitjes së aksioneve në bursë, sesa ndonjë veprimi racional të qeverisë së këtij shteti. Pra, ajo që po bën Serbia është peshimi i vlerës së argumenteve të këtij shteti përballë realitetit të njohjes së Kosovës nga 47 shtete, angazhimit të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe aderimit të Kosovës në një varg të konventave më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe marrëveshjeve tjera - si garancitë dhe postulatet kryesore të themelimit të shtetit të Kosovës. Serbia ka si argument vetëm politikën e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe paranojën e saj kolektive - si mburojë, për të fshehur dështimet e veta në planin shoqëror dhe ekonomik. Me nismën e saj për të kërkuar opinion nga GJND, Serbia praktikisht është duke e sfiduar kredibilitetin e OKB-së, sidomos kur merren parasysh 8 vjetët e administrimit të Kosovës nga OKB-ja dhe arritjet e kësaj organizate botërore në Kosovë - cilatdo qofshin ato. Dhe, nga ky kënd, nuk ka asgjë të re...

BOTA SOT
Kryeministri Hashim Thaçi, duke komentuar kërkesën e Greqisë që Kosova të mos e njohë Maqedoninë me emrin e saj kushtetues, tha se Kosova është pjesë e komunitetit ndërkombëtar dhe qëndrimi i këtij komuniteti është i ngjashëm me qëndrimin e Prishtinës sa i përket njohjes së Maqedonisë me emrin kushtetues. Ai tha se Prishtina është e gatshme dhe pret njohjen e Kosovës nga të dy vendet, nga Maqedonia dhe Greqia, dhe kjo, sipas kryeministrit Thaçi, do të ndodhë. "Falënderoj qeverinë greke për hapat që ka bërë për njohjen e pasaportave dhe përkushtimin e ri që është duke treguar për ndërmarrjen e hapit tjetër për njohjen e Kosovës si shtet. Kosova është pjesë e komunitetit ndërkombëtar dhe qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar, i Bashkimit Evropian dhe i SHBA-së është edhe qëndrim i Prishtinës”, tha kryeministri, duke mos dashur të komentojë më shumë kërkesën sa i përket njohjes së Maqedonisë me emrin e saj kushtetues. Ndonëse është përfolur se Maqedonia do ta njohë Republikën e Kosovës më 22 ose 23 të këtij muaji, një gjë e tillë duket se nuk do të ndodhë nga Shkupi zyrtar...

LAJM
Qeveria e Kosovës u është përgjigjur negativisht të hënën këshillave të disa ekspertëve të së Drejtës Ndërkombëtare, të cilët rekomandojnë që institucionet e Kosovës të mos e njohin juridiksionin e OKB-së, respektivisht Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kur behet fjalë për opinionin rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi habitet me idetë e ekspertëve që Kosova t'i refuzojë institucionet dhe të drejtën ndërkombëtare. "Ne nuk jemi qeveri aq naive sa ta mohojmë autoritetin dhe Kartën e OKB-së. Ne, edhe kur nuk na ka dalë mirë, siç është rasti i disa individëve, kemi shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për bashkëpunim të plotë me OKB-në. Kosova është zotuar se do ta respektojë të Drejtën Ndërkombëtare. Ne nuk duam të jetojmë në një vend që e refuzon këtë të drejtë", tha Kuçi për "Lajm", i cili njëherësh është profesor i Marrëdhënieve dhe i së Drejtës Evropiane. Para disa ditësh, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në AUK, Robert Muharremi, i kritikoi ashpër bartësit e institucioneve të Kosovës, të cilët, sipas tij, nuk po e shfrytëzojnë mundësinë juridike që e kanë në dispozicion. "Institucionet duhet t'u shkruajnë OKB-së dhe vetë Gjykatës Ndërkombëtare dhe t'u thonë se Kosova nuk e njeh juridiksionin e OKB-së dhe të Gjykatës Ndërkombëtare, pasi nuk është anëtare e OKB-së. Kur një shtet nuk është anëtar i OKB-së, siç është Kosova dhe e refuzon shprehimisht juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare, atëherë gjykata këtë e merr parasysh", ka thënë Muharremi për “Lajm"...
XS
SM
MD
LG