Ndërlidhjet

Dhoma Përfaqësuese refuzoi planin e Bushit


George W. Bush, 29 shtator 2008.
George W. Bush, 29 shtator 2008.

Dhoma Përfaqësuese e Kongresit të Shteteve të Bashkuara mbrëmë refuzoi propozimin e presidentit Bush për injektimin e 700 miliardë dollarëve për ta shpëtuar sistemin financiar amerikan. Këtij refuzimi në masë të madhe i kontribuuan anëtarët republikanë të Dhomës Përfaqësuese. Tash pritet vazhdimi i negociatave për votimin e dytë eventual, para votimit në Senat, që është planifikuar për nesër.

Presidenti George Bush tha se ishte i zhgënjyer që Dhoma Përfaqësuese dështoi ta miratojw propozimin e tij, por ka premtuar se do të vazhdojw të shtyjë planin e tij për shpëtimin e sistemit financiar amerikan.

“Ne e paraqitëm këtë plan të madh, pasi ne kemi problem të madh. Do të bisedoj me këshilltarët e mi ekonomikë dhe do të punojmë me anëtarët dhe liderët e Kongresit për rrugën e mundshme përpara”, tha presidenti George Bush.

Lideri i pakicës republikane në Dhomën Përfaqësuese, John Boehner, paralajmëroi punë të përbashkët në përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes.

“Kjo nuk ka të bëjë me demokratët apo republikanët. Kjo ka të bëjë me ekonominë tonë dhe ajo që është më e mira për popullin amerikan. Pavarësisht nga ajo se çka ka ndodhur, ne nuk kemi zgjidhje tjetër, pos të punojmë së bashku për ta gjetur një zgjidhje që do të mbrojë ekonominë tonë”,
tha republikani John Boehner.

Punë të përbashkët kërkoi edhe kryesuesja e Dhomës Përfaqësuese, demokratja Nensi Pelosi.

“Legjislacioni ka dështuar. Kriza nuk është larguar. Ne duhet të punojmë së bashku, pra të dy partitë, që të kemi një zgjidhje”, tha Nensi Pelosi.

Anëtari i Dhomës Përfaqësuese, Trent Frenks, votoi kundër propozimit të administratës. Sipas tij, Amerika është vend mbi bazën e tregut të lirë.

“Mendoj se tash kemi rast që të bashkohemi dhe të bëjmë diçka që do ta ftojw sektorin privat që vetë ta ripërtërijë këtë sistem. Nuk duhet të harrohet se parimi i parë themelor i Shteteve të Bashkuara është tregu i lirë dhe ndërmarrja e lirë”, tha Trent Frenks.

Por, ata që votuan për planin, siç është Greg Valden, thonë se mosmiratimi i këtij propozimi është lojë me zjarr.

Lidhur me refuzimin e Dhomës Përfaqësuese që ta miratojw këtë plan, reaguan edhe kandidatët për president amerikan, demokrati Barack Obama dhe republikani John McCain.

Barack Obama kërkoi miratimin e planit, pasi, sipas tij, ai është për të mirën e amerikanëve.

“Njëri nga mesazhet që unë i kam për Kongres, është që kjo të kryhet. Demokratët dhe republikanët duhet ta bëjnë këtë. Kjo është për të mirën e popullit amerikan”,
tha Barack Obama.

Republikani John McCain kërkoi që problemi të zgjidhet duke mos pasur parasysh ngjyrat partiake.

“I bëjë thirrje Kongresit që menjëherë të kthehet dhe ta shqyrtojw këtë krizë. Liderët tanë duhet ta lënë politikën partiake dhe të ulen e t'i zgjidhin problemet tona. Senatori Obama dhe aleatët e tij në Kongres në këtë krizë jodomosdoshmërish e kanë injektuar besnikërinë partiake. Tash është koha për zgjidhje të problemit e jo për fajësime”, tha McCain.

Propozimi i administratës, që i ishte dorëzuar Kongresit para më tepër se 10 ditëve, ishte i shkurtër dhe kishte vetëm tri faqe. Sipas këtij plani, sekretari i thesarit, pa mbikëqyrje, do të kishte të drejtë t'i shpenzojw 700 miliardë dollarë për stabilizimin e sistemit financiar amerikan.

Por, shumë anëtarë të Kongresit dhe shumë amerikanë konsiderojnë se ky plan nuk është në rregull. Gjatë debatit, i cili përshkohej edhe me manovra politike, u bënë shumë përmirësime në këtë propozim, kështu që ai tash ka 110 faqe.

Ndër përmirësimet që i janë bërë planit, veçohet ai se shpenzimi eventual i 700 miliardë dollarëve do të bëhej me mbikëqyrjen e një komiteti të ri dypartiak të Kongresit.
XS
SM
MD
LG