Ndërlidhjet

Sarkozy: Nobeli, fakt se Ahtisaari kishte të drejtë për Kosovën


Presidenti francez Nicolas Sarkozy tha sot se duke i dhënë Çmimin Nobel për Paqe diplomatit finlandez Martti Ahtisaari, justifikohet vendimi i tij për ta vënë Kosovën në rrugën drejt pavarësisë.

"Franca, që vazhdon të ofrojë përkrahje gjatë kësaj kohe të vështirë, e sheh çmimin Nobel në veçanti si një mirënjohje se propozimi i Ahtisaarit ishte i duhuri", ka thënë Sarkozy në një deklaratë për media.

Dhënia e çmimit Nobel Ahtisaarit, duhet të ndihmojë "për t'i dhënë fund kontradiktave dhe të na lejojë që të lëvizim përpara dhe t'i japim mundësinë evropiane Ballkanit", ka thënë Sarkozy.

Derisa Ahtisaari ka marrë lëvdata gjithandej nga liderët perëndimorë, i dërguari i Rusisë në NATO e ka akuzuar Ahtisaarin se në mënyrë sistematike e ka shkatërruar ligjin ndërkombëtar duke ndihmuar Kosovën drejt pavarësisë.

"Më vjen trup për njerëzit në Komitetin e Nobelit", ka thënë Dmitry Rogozin.

Ish-kryeministri serb Vojisllav Koshtunica ka thënë se deklarata e sekretarit të Komitetit të Nobelit, se "pavarësia e Kosovës ishte pa alternativë" tregon se vendimi për të shpërblyer Ahtisaarin ishte politik.

Por, jo vetëm për ndërmjetësimin në Kosovë është shquar Ahtisaari.

Presidenti i Indonezisë Susilo Bambang Yudhoyono e ka quajtur Ahtisaarin "kampion të paqes", për mbikëqyrjen që i bëri marrëveshjes së paqes së vitit 2005 mes qeverisë së tij dhe rebeleve në provincën e Acehut, duke ndihmuar që të përfundojë konflikti tre dekadësh që la të vdekur 15 mijë njerëz.
XS
SM
MD
LG