Ndërlidhjet

“EULEX fillon punën në dhjetor – jo dhe në veri”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
BOTA SOT
Kuvendi i Kosovës, në seancën e së premtes, më 17 tetor, në një seancë solemne do të miratojë Rezolutën e Mijëvjeçarit, nëpërmjet së cilës Kosova merr përsipër të zbatojë objektivat e Mijëvjeçarit të përcaktuara nga OKB-ja. Deputetëve me këtë rast do t’u drejtohet presidenti dhe kryeministri i Kosovës, ndërkohë miratimin e Rezolutës nëpërmjet një letre do ta mbështesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon. Kryesia vendosi që po këtë ditë të mbahet edhe seanca e rregullt plenare, në të cilën do të shqyrtohen disa projektligje. “U morëm vesh në Kryesi që të kemi dy seanca, më 17 të këtij muaji, njëra do të jetë seancë solemne, e cila mbahet me rastin që Kuvendi i Kosovës do të miratojë një Rezolutë për Mijëvjeçarin, ku do të jetë edhe një përshëndetje nga kreu i OKB-së, Ban Ki Moon, ndërkaq seanca tjetër do të vazhdojë në orën 12 me pikat e rendit të ditës”, tha kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi...

ZËRI
Partia më e “rebeluar” parlamentare e pozitës, Lidhja Demokratike e Dardanisë, ngriti të martën shqetësimin se Kuvendi i Kosovës po shndërrohet në instrument të Qeverisë Thaçi për të mbrojtur shkelësit e ligjit, ndërsa akuzoi disa ligjvënës për përfshirje klasike në korrupsion. Shqetësimet e LDD-së i ngriti të martën në një konferencë për media, Lulzim Zeneli, shef i Grupit Parlamentar të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës. Ai tha se logjika që është instaluar së fundi në ligjvënës, ka bërë që në këtë institucion të rikthehet logjika komuniste e monopolit. “Të gjithë indikatorët po tregojnë se në Kosovë po instalohet në logjikë e diktatit, monopolit dhe kontrollit të plotë në raport me çdo institucion të vendit, dhe ky fenomen ka marrë përmasa shqetësuese”, u shpreh Zeneli...

LAJM
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, u ka shkruar të martën një letër kryetarëve të parlamenteve të vendeve të ndryshme të botës, me kërkesë që të njihet shteti i Kosovës. Çështja e Kosovës, shkruan Krasniqi, lindi nga padrejtësia historike e vitit 1913, kur gjysma e kombit shqiptar dhe e territorit të tij, me dhunë iu aneksua Serbisë e më vonë Jugosllavisë, me të cilat nuk e lidhte asgjë përveç zinxhirëve të robërisë. “nëntëdhjetë vjet të sundimit serb, Kosova ishte nën terror, shfarosje sistematike të popullsisë, shfrytëzim kolonial dhe shtypje të lëvizjeve të pareshtura çlirimtare. Me përpjekje dhe gjak Kosova kishte arritur që më 1974 të bëhet njësi konstituive (me kufijtë dhe kushtetutën e saj) të Federatës Jugosllave, sikur republikat tjera, por më 1989 regjimi i Millosheviqit e suprimoi me tanke statusin e saj, duke ushtruar për 10 vjet gjenocid mbi shqiptarët dhe spastrim etnik të Kosovës...”, thuhet ndër të tjera në këtë letër...

EXPRESS
Pasi u mbajtën dy ditë grevë, të martën u arrit një marrëveshje mes Qeverisë dhe federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, që nëpër të gjitha institucionet shëndetësorë u pajtuan që të ndërpritet greva. Sindikalistët shëndetësorë, pas shuam këmbënguljeve që grevën ta vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, në prani të presidentit dhe kryeministrit, ministri i Shëndetësisë, dhanë kompromisin e tyre. Në marrëveshjen me ministrin Alush Gashi, ata janë pajtuar të marrin rritjen e pagave për 44 euro deri në janar të vitit tjetër për secilin punëtor shëndetësor. Por, nga 1 janari ata janë pajtuar që t’iu rritet paga ashtu siç e kanë kërkuar sindikalistët për 50 për qind për secilin punonjës shëndetësor...

KOHA DITORE
Misioni i bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë (EULEX) synon që në fillim të muajit dhjetor të jetë operacional në Kosovë, por, sipas burimeve perëndimore, në këtë planifikim nuk përfshihet edhe veriu i Kosovës. Shkak për këtë vazhdon të jetë kundërshtim i fuqishëm i Serbisë dhe mosarritja e një konsensusi ndërmjet Brukselit dhe Beogradit për zbarkimin e misionarëve evropianë në këtë pjesë të territorit të Kosovës. “Ne po mendojmë dhe po synojmë që të jemi operacionalë në fillim të dhjetorit. Por, gjërat në veri ende nuk është e qartë se në cilin drejtim po shkojnë”, kanë thënë për gazetën burime perëndimore, duke kërkuar që të mos iu përmendet emri...

INFOPRESS
Këshilli i Ministrave i bashkimit Evropian ka miratuar pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në misionin EULEX në Kosovës, është bërë e ditur zyrtarisht të martën në Bruksel. Këshilli ka miratuar dokumentin për pjesëmarrjen e SHBA-ve dhe, sipas tij, Uashingtoni do të sigurojë se “zyrtarët e këtij vendi do të kryejnë misionin në pajtim me Aksionin e përbashkët dhe planin operativ të EULEX-it”. Yves de Kermabon, shef i EULEX-it, sipas kësaj marrëveshjeje, do të komandojë dhe do t’i kontrollojë ekipet dhe njësitë e këtij misioni. SHBA-të ndërkaq, kanë kërkuar dy përjashtime: çfarëdo mase disiplinore “do të mbetet nën kompetencat e SHBA-ve”, dhe se “statusi i pjesëtarëve amerikanë në këtë mision do të jetë nën kompetenca ekskluzive juridike”, thuhet në komunikatën e lëshuar pas takimit dyditor të Këshillit të Ministrave...

KOSOVA SOT
As dita e sotme nuk do të sjellë ndonjë zhvillim të ri në Lidhjen Demokratike të Kosovës lidhur me përcaktimin e dy emrave për postet e zbrazëta të zëvendësministrit të Forcës së Sigurisë dhe atë të Tregtisë. Kjo çështje, ndonëse ende mbetet e shtruar në tavolinën e Kryesisë, kjo e fundit, siç bëhet e ditur, nuk ka paralajmërime se do të mbajë të mërkurën mbledhjen e rregullt. Zëdhënësi i këtij subjekti, Vehbi Miftari, thotë se “asgjë nuk është paraparë për ditën e nesërme dhe nuk ka ndonjë kërkesë për mbajtjen e mbledhjes”. Mospërcaktimi me kohë i emrave për këto dy poste ka lënë hapësirë për konceptimin e një krize brenda këtij subjekti, edhe pse një gjë e tillë mohohet zëshëm...

EPOKA E RE
Përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e ish-UÇK-së, në një konferencë të mbajtur të martën, kanë akuzuar rektorin e Universitetit të Prishtinës, Enver Hasanin, për mosrespektim të memorandumit të arritur në vitin 2006, në mes të kësaj shoqate dhe UP-së. Në atë memorandum ishte shprehur gatishmëri nga UP-ja që t’i ndihmojë studentët që vijnë nga kategoritë e UÇK-së, në segmente të ndryshme, si në regjistrim, në ofrimin lehtësirave financiare, mbështetjen me bursa dhe forma të tjera të ndihmave. Xhavit Jashari, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, ka thënë se memorandumi i nënshkruar nga ish-rektori Arsim Bajrami, me ardhjen e rektorit Hasnai, nuk po gjen zbatim. “Ne kemi bërë kërkesë që të kemi një takim me rektorin Enver Hasani, por nuk kemi marrë përgjigje...”
XS
SM
MD
LG