Ndërlidhjet

Beqiri: Postet e shumëfisha e dëmtojnë LDK-në


Ismet Beqiri
Ismet Beqiri

"Në LDK ka shumë zyrtarë që mbajnë poste të shumëfishta dhe nuk është vetëm presidenti ai, i cili mban dy poste", thotë Ismet Beqiri, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.






RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Beqiri, cili është fati i reformave në Lidhjen Demokratike të Kosovës pas dorëheqjes së kryeshefit ekzekutiv të kësaj partie, Blerim Kuçi?

ISMET BEQIRI
Sigurisht që procesi i reformave në Lidhjen Demokratike të Kosovës, i filluar kohë më parë dhe i përkrahur, po e them që në fillim, nga vetë presidenti i Kosovës dhe kryetari i LDK-së, është një proces, i cili pashmangshëm duhet të vazhdojë.

Fakti që i kemi humbur zgjedhjet, na bën të obligueshme edhe më shumë nevojën e reformimit dhe të gjetjes së kaheve të reja të zhvillimit të partisë. Sa më shpejt që e kuptojmë se i kemi humbur zgjedhjet, ne mund t’i kemi punët më mirë.

Pavarësisht që zoti Kuçi ka ofruar dorëheqje të parevokueshme, se si do të zhvillohen çështjet më tutje, sigurisht se duhet të bisedohet në Kryesinë qendrore të partisë. Por, procesi i reformave nuk bën dhe nuk guxon të ndalet.

Reformimi sigurisht se është i dhimbshëm dhe kërkon sakrifica. Duhet marrë si normale se gjatë reformimit mund të ketë edhe zhvillime të tilla që ndoshta edhe për individë janë të pakëndshme. Kur them për individë, po filloj prej Kryesisë, cilitdo prej nesh që jemi në Kryesi.

Ne nuk duhet të jemi pengesë e zhvillimit të reformave. Duhet të jemi të përgjegjshëm që nëse reforma kërkon prej nesh që të lëshojmë rrugë, ne duhet të lëshojmë rrugë, duhet të jemi të sinqertë ndaj anëtarësisë.

Dhe, përgjegjësisë nuk mund t’i ikim asnjëri, prej zotit Kryeziu, nënkryetarit të parë të partisë, e deri te Ismet Beqiri që po e lë anëtarin e fundit të Kryesisë – që të gjithë kemi përgjegjësi për zgjedhjet që i kemi humbur, por duhet gjetur rrugën. Mendoj që kemi forcë dhe këtë do ta bëjmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga anëtarët e Kryesisë së LDK-së ka kërkuar dorëheqjen e presidentit Sejdiu nga njëri post. A është diskutuar kjo ndonjëherë në LDK dhe cili është mendimi juaj, sa e dëmton interferimi i presidentit vetë LDK-në?

ISMET BEQIRI
Kjo nuk është shtruar asnjëherë. Edhe unë po them, siç e thotë shumica dërrmuese e anëtarësisë, se megjithatë zoti Sejdiu është kryetar legjitim i LDK-së. Këtë nuk e kontestojmë asnjëri, apo shumica nuk e kontestojmë. Këtë nuk e konteston as zoti Haraqija, nuk mund ta kontestojë se është legjitim.

Ajo që i ka bërë thirrje ai, është diçka tjetër, është prononcim i anëtarit të Kryesisë, por nuk është kontestim i legjitimitetit të kryetarit të LDK-së dhe presidentit të Kosovës. Është çështje tjetër dhe nuk e kemi parë të arsyeshme të shtrohet në Kryesi çështja e kryetarit tonë.

Ne duhet ta kuptojmë një gjë; pavarësisht asaj, unë e di që shkruan në Kushtetutë, krejt në rregull që shkruan, por, megjithatë, kryetari i Kosovës është i zgjedhur, gjegjësisht i deleguar dhe postin që e ka i takon LDK-së dhe nuk mund të ketë ndonjë shkëputje siç mendohet.

Dhe, nuk është vetëm kryetari Sejdiu; ka edhe të tjerë aty që i kanë postet e shumëfishta. Ne kemi marrë qëndrim që një ndër pikat tona të ardhme të jenë që të mos shumëfishohen postet, sepse pamundësojnë punën efikase në parti. Secili e di se cilët janë ata që kanë poste të shumëfishta; kur je gjithkund, nganjëherë je askund.

Unë po them që procesi i reformave, kur të përgatitet mirë, kompetent është kryetari që të thërrasë këshillin e përgjithshëm; këshilli i përgjithshëm është ai që merr vendime të caktuara.

Ky këshill i përgjithshëm mund t’i shkarkojë të gjithë anëtarët e Kryesisë, mund t’i fusë në votëbesim, që për mua do të ishte normale, sepse i kemi humbur zgjedhjet, është pjesë e përgjegjësisë; mund të marrë vendim edhe për zgjedhje të reja në parti.

RADIO EVROPA E LIRË
Procesi i reformave, sipas analizave të ndryshme, mund të pasojë edhe me thyerje të reja në LDK. A konsideroni ju se LDK-ja është në prag të një rreziku të ri për thyerje, për ndarje të reja?

ISMET BEQIRI
Unë mendoj që secili prej nesh e ka obligimin dhe përgjegjësinë e madhe që me asnjë veprim të tij personal të mos e dërgojë LDK-në në drejtim të tillë. Është obligim i yni që mbi të gjitha të shohim interesin e partisë.

Interesin e shtetit e kemi materializuar në kuptimin e jetësimit të shtetësisë, e kemi dhënë kontributin si parti, edhe hyrja në koalicion ka qenë pjesë e kësaj përgjegjësie, sepse nuk mund të themi që ne jemi të kënaqur edhe me zhvillimet, edhe me proceset se si po shkojnë - gjithmonë ka mundësi të punohet më shumë.

Po flas tash edhe për koalicion, gjithmonë ka mundësi të gjenden zgjidhje më të mira. Por, megjithatë, kjo ka qenë diçka që kemi paguar me vetëdije për hir të jetësimit të shtetësisë së Kosovës.

Partnerit të koalicionit mund të mos i pëlqejë, është shumë normale të mos i pëlqejë, sepse pjesa dërrmuese, e gjithë anëtarësia e LDK-së dëshiron të jetë numër një. Jemi të gjithë të vetëdijshëm që nuk do të lejojmë që LDK-ja të ketë, përkundër pakënaqësive që janë prezente, edhe ndonjë thyerje tjetër.

Ne kemi pasur mjaft thyerje – vdekja e presidentit Rugova ka qenë goditje e rëndë për ne, sikurse edhe Kuvendi i Gjashtë, pastaj zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar. Nuk do të na falë askush po qe se lejojmë të ndodhin qoftë edhe fërkime të reja.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët koalicionin qeverisës – sa mund të ndikojnë këto reforma në LDK në koalicionin aktual ndërmjet PDK-së dhe LDK-së?

ISMET BEQIRI
E gjithë skena politike e Kosovës, të mos them është në një lloj lëvizjeje. Secila parti, mund të thonë se kemi një stabilitet të brendshëm dhe t’i bëjnë qejf vetes, kushtimisht thënë.

Mendoj se është një lëvizje, se një numër i madh i qytetarëve është i pakënaqur ndoshta edhe me këto parti aktualisht, e ndoshta numri më i madh i të pakënaqurve ka qenë i vetë anëtarësisë së LDK-së. Dhe, vetë pjesëmarrja në zgjedhje tregon se është përqindje shumë e lartë.

Prandaj, ajo parti që do të ketë mençuri më të madhe, që besoj se do ta ketë LDK-ja, përkundër çështjeve që i kemi dhe zhvillimeve aktuale, sepse vetë kjo zhurmë që bëhet, tregon se LDK-ja është faktor stabilizues. Jemi faktor i rëndësishëm, kushtimisht thënë, jemi dikush, një parti që mund të krijojë stabilitet dhe duhet të krijojë stabilitet.

Thashë se e gjithë skena politike është në një lloj lëvizjeje, prandaj nuk do të thosha se reformat në parti, në LDK, kanë të bëjnë me koalicionin. Këto kanë të bëjnë me nevojat tona të brendshme, që të kthehemi atje ku kemi vendin, ku e kemi pasur për 17 vjet si subjekti numër një.

Kjo është nevoja jonë, kjo është domosdoja jonë dhe kështu duhen shikuar gjërat. Do të vijë koha, unë besoj shumë shpejt, që edhe lëshimet që i kemi bërë, t’i përmirësojmë dhe të ecim tutje.
XS
SM
MD
LG