Ndërlidhjet

WP, LAT: “Mitet mbi zgjedhjet”


“Washington Post”, “Los Angeles Times”

Dita e zgjedhjeve, si rëndom, është me përplot rreziqe, shkruan në numrin e sotëm e përditshmja Washington Post, duke numëruar disa nga mitet mbi zgjedhjet.

Një prej tyre është edhe konkluzioni se Partia Republikane do të përfitojë nga të qenit jashtë Zyrës Ovale. Jo domosdoshmërish. Ata republikanë që e ngushëllojnë vetveten me një argument të këtillë, duhet të kujtojnë shembullin e Partisë Konzervative në Britaninë e Madhe, e cila që prej fitores së Tony Blairit, më 1997, e ka kaluar dekadën e fundit duke e dërmuar veten copë-copë.

Miti tjetër, shkruan WP, ka të bëjë me thënien se Partia Demokratike do të jetë më e vëmendshme dhe më e përgjegjshme me marrjen e pushtetit. Edhe këtu, historia ka një rrëfim tjetër.

Pas disa dekadash në opozitë, republikanët morën kontrollin mbi Dhomën e Përfaqësuesve më 1994, duke u zotuar për reformimin e Kongresit. Kongresistët republikanë dëshmuan të jenë shpenzues më të mëdhenj se paraardhësit e tyre. Edhe kongresistët demokratë, deri më tash, nuk janë dëshmuar ndryshe.

Gazeta shkruan edhe për thënien e shumëpërfolur se me fitoren e Barack Obamas, imazhi amerikan në botë do të përmirësohet menjëherë, vetëm për faktin se ai është "ndryshe". Megjithatë, pas një kohe shoku dhe befasie, realiteti do të jetë ndryshe, kur votuesit amerikanë dhe të huajt të zbulojnë se presidenti amerikan nuk është edhe aq i pushtetshëm sa mendohet të jetë.

Dhe, konstatimet se pas zgjedhjeve, do të ndalen debatet mbi politikën, janë gjithashtu të pavërteta. WP shkruan se nëse Obama fiton, çdo lëvizje e tij do të jetë temë debatesh, meqë jo vetëm që do të jetë presidenti i parë me ngjyrë dhe demokrati i parë pas tetë vjetësh, por do të jetë edhe demokrati i parë në zyrë pas 11 shtatorit.

Dhe, nëse John McCain fiton, çdo organizatë sondazhi në Shtetet e Bashkuara, së bashku me gjithë spektrin e komentatorëve politikë, do të jenë pafundësisht të diskredituara, shkruan gazeta.

E përditshmja tjetër amerikane, Los Angeles Times, shkruan ndërkaq për një mit tjetër, atë që njihet me emrin "Efekti Bradley", një fenomen ky i supozuar, në bazë të të cilit votuesit e bardhë, të cilët në heshtje ushqejnë animozitete raciste ndaj kandidatëve zezakë, turpërohen ta pranojnë në sondazhe.

Gazeta shkruan se edhe pse nuk ka dyshim se në Amerikë racizmi ekziston, ekzistojnë edhe dy arsye të fuqishme që e vënë në dyshim këtë efekt të supozuar. Fillimisht, ata që e kundërshtojë Barack Obaman për shkak të racës së tij, njëkohësisht mund të kenë edhe arsye të tjera që do ta mbështesnin senatorin John MCcain, qoftë për shkak të përvojës së tij apo për shkak të pozicionit mbi Irakun dhe taksat.

Së dyti, shkruan LAT, këto zgjedhje mund të shënojnë një rritje tek votuesit e rinj. Ata duket se anojnë me të madhe nga Obama dhe komunikojnë më shumë me celularë, duke e pamundësuar anketimin e tyre. Prandaj, çdo racist që mund të ketë gënjyer në sondazh, do të jetë i balansuar me votuesin e padisponueshëm për anketim, shkruan në fund LAT.
XS
SM
MD
LG