Ndërlidhjet

Kuçi: Gjashtëpikëshi cenon tërësinë e Kosovës


Hajredin Kuçi
Hajredin Kuçi

"Dhe, si rezultat i kësaj, nuk janë pranuar ato pika dhe kemi ofruar propozimet tona. Ne jemi të hapur për dialog", thotë për radion Evropa e Lirë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.




RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kuçi, Prishtina zyrtare e ka refuzuar planin gjashtëpikësh të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Çfarë pritet pas kësaj?

HAJREDIN KUÇI
Ne kemi analizuar me kujdes këto ditë, kemi diskutuar edhe me përfaqësuesit e Unionit Evropian, edhe të SHBA-ve. Kemi ardhur në përfundim se propozimi gjashtëpikësh ka pika esenciale që nuk përputhen me zhvillimet juridike dhe politike në Kosovë dhe aq më pak nuk e garanton sistemin unik të funksionimit në Kosovë.

Dhe, si rezultat i kësaj, kemi reaguar, apo dua të them, nuk janë pranuar ato pika, dhe kemi ofruar propozimet tona. Ne jemi të hapur për dialog. Kjo nuk nënkupton që kemi mohuar të drejtën e bisedave të mëtejme; ne do t’i bëjmë të gjitha orvatjet e duhura që të shtrijmë autoritetin e EULEX-it në Kosovë.

Të gjitha orvatjet edhe në këtë rast, edhe në të tjera, do të jenë se si të fitohet mandati i EULEX-it në tërë territorin e Kosovës. Në këtë rast, dua të them që Kosova nuk e vë asnjë kusht, përkundrazi dëshiron që të shtrihet mandati i EULEX-it pa kushte, ashtu siç parashihet në Kushtetutë dhe në dokumentin e presidentit Ahtisaari.

Fatkeqësisht, Serbia, sipas fuqisë së saj destruktive, po ndikon negativisht në shtrirjen e EULEX-it, ndërsa, në anën tjetër, në kuptimin legal, por edhe politik e moral, nuk ka të drejtë.

Unë jam i bindur se në bisedat që do t’i kemi me përfaqësuesit e Unionit Evropian, me përfaqësuesit e SHBA-ve dhe të tjerët, do të arrijmë një zgjidhje të pranueshme, që garanton tërësinë territoriale të Kosovës, funksionalitetin e institucioneve në kuptimin hiearkik, pra një sistem, dhe që garanton zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË

A mund të ketë ndonjë ndryshim deri të premtën, për kur edhe është paralajmëruar mbledhja e Këshillit të Sigurimit?

HAJREDIN KUÇI

Pala e Kosovës i ka dhënë propozimet e veta. Propozimet janë në përputhje me ndryshimet që kanë ndodhur në Kosovë – do të thotë si shtet sovran dhe i pavarur.

Ajo që dua të theksoj është se edhe Kushtetuta e Kosovës është kompromis, edhe dokumenti i presidentit Ahtisaari ka qenë kompromis dhe mendoj që kompromis mbi kompromiset nuk do të ketë dhe, në anën tjetër, neve na obligojnë aktet legale. Të gjitha ato që i kemi arritur deri më sot në Kosovë, i kemi arritur në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar.

Dhe, atë që e kemi sot, atë që e synojmë përmes dokumenteve tona, përmes obligimeve tona, është një kompromis që është arritur me bashkësinë ndërkombëtare. Mendoj që presioni duhet të jetë në palën e Serbisë, që së paku të mos bëjë veprime destruktive në territorin e Kosovës.

Ne jemi të hapur për çdolloj bisedimesh dhe dialogu, në kuptimin e asaj se si ta gjejmë metodën më të mirë për shtrirjen e EULEX-it, por jo në kuptimin e shtrirjes së EULEX-it si iluzion për dikë, apo si shtrirje e EULEX-it që krijon sisteme paralele, aq më shumë që krijon mundësinë e ndarjes efektive të institucioneve të Kosovës.

Ne do të bashkëpunojmë shumë afër me EULEX-in, me misionin e BE-së, me SHBA-të dhe besoj që do ta bëjmë zgjidhjen më të mirë. Çelësi i bashkëpunimit të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare ka treguar që është çelës i suksesshëm dhe ne do ta vazhdojmë një gjë të tillë.

Nayrisht, bisedat dhe dialogjet do të vazhdojnë, me siguri në kuptimin Kosovë – bashkësi ndërkombëtare. Besoj se bashkësia ndërkombëtare i ka kuptuar drejt kërkesat tona, ka kuptuar drejt qëndrimin tonë dhe mendoj se edhe qëllimi, edhe qëndrimi do të jetë i arsyeshëm, plotësisht në përputhje me të arriturat tona dhe të bashkësisë ndërkombëtare, që i kemi deri më tani.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka gjasë për tensionim raportesh midis jush dhe faktorit ndërkombëtar që ka qenë i përfshirë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë?

HAJREDIN KUÇI
Jo, përkundrazi. Kemi pasur bisedime të hapura, kemi pasur argumentim të qëndrimeve tona. Natyrisht që argumentimet shpeshherë nuk janë në përputhje të plotë me qëndrimet e njëri-tjetrit, por qëllimi ka qenë i përbashkët.

Edhe bashkësia ndërkombëtare, edhe Kosova kanë një qëndrim dhe një qëllim – si të zbatohet misioni i EULEX-it në tërë territorin e Kosovës, si të sundojë rendi dhe ligji. Ndërsa, ka të tjerë që dëshirojnë që në Kosovë të mos sundojë rendi dhe ligji dhe të mos sundojë në kuptimin hiearkik, institucional dhe funksional pavarësia e Kosovës.

Mendoj që e drejta është në anën tonë dhe do të punojmë ngushtë me faktorin ndërkombëtar që t’i arrijmë të gjitha standardet e një shteti modern, demokratik dhe në përputhje me synimet tona për integrime evropiane.

Mendoj që Serbia shumë hapur po pretendon prekjen e statusit politik të Kosovës dhe të tërësisë territoriale, duke tentuar që të pengojë edhe funksionimin demokratik të institucioneve tona në tërë territorin. Unë dua të them që burimi i krizës në Ballkan, mbi dy dekada, ka qenë në Serbi dhe fatkeqësisht po mbetet edhe sot e kësaj dite.

Kosova dëshiron fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet, përfshirë edhe Serbinë, por si dy shtete sovrane, si partnere dhe si kontribuuese për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe për integrime evropiane, por gjithmonë duke ruajtur tërësinë territoriale, sovranitetin e saj dhe angazhimet tona që i kemi marrë përballë bashkësisë ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë drejtim, kur mendoni se do të mund të shtrihet misioni i EULEX-it në gjithë Kosovën?

HAJREDIN KUÇI
Qëllimi ynë ka qenë që ky mision të jetë sa më shpejt që është e mundur, që të jetë edhe në kohën e hyrjes në fuqi të Kushtetutës. Pastaj, kemi bërë edhe kërkesën, gjatë këtyre ditëve, që një veprim i tillë të jetë sa më shpejt që është e mundur dhe më së largu në fillim të 2009-ës.

Arsyeja kryesore është që në një pjesë të Kosovës, ku nuk sundon EULEX-i, nuk ka shtrirje të plotë të autoriteteve tona, fatkeqësisht po sundon kontrabanda, po sundon krimi i organizuar dhe, në një mënyrë ose tjetër, me pengimin që po e bën për shtrirjen e autoritetit të institucioneve tona dhe të EULEX-it, Serbia po e stimulon krimin e organizuar dhe kontrabandën në atë pjesë të Kosovës apo, në një mënyrë, në tërë rajonin.

Unë dua të besoj që ne do të punojmë ngushtë me faktorin ndërkombëtar, do ta shtrijmë autoritetin tonë, jemi të bindur se do ta bëjmë një gjë të tillë, i dimë përgjegjësitë tona. Por, gjithmonë do të jemi të kujdesshëm që veprimet tona të jenë plotësisht të koordinuara me faktorin ndërkombëtar.

Nëse varet nga pala kosovare, që nga sot do të ndodhte një gjë e tillë, por pengesat janë në anën tjetër, por besoj që bota demokratike do t’i zgjidhë ato pengesa dhe nuk do ta lejojë Beogradin të bëjë obstruksion jo vetëm për zhvillimet politike dhe demokratike në Kosovë, por edhe për qëllimet demokratike të botës perëndimore në Kosovë.
XS
SM
MD
LG