Ndërlidhjet

Prishtina kundërshton imponimet për shtrirjen e EULEX-it


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Përfaqësuesit politikë kosovarë thonë se janë të vetëdijshëm që kundërshtimi i 6-pikëshit nuk e ka hequr këtë plan nga tavolina e bisedimeve ndërkombëtare për shtrirjen e EULEX-it. Por, ata shprehin besimin se OKB e BE s'do të marrin ndonjë vendim imponues që shkel mbi sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

Misioni i EULEX-it e humb kuptimin që ka nëse do të shtrihej pa respektuar Kushtetutën e Kosovës, thonë përfaqësuesit politikë kosovarë. Ndërsa Prishtina e ka hedhur poshtë planin 6-pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, duke konsideruar se ai shkel në sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, megjithatë ai mbetet në tavolinën e bisedimeve ndërkombëtare kur flitet për fillimin e misionit të EULEX-it.

Se ky plan është ende në tavolinë, pranohet edhe nga përfaqësuesit kosovarë, por ata besojnë se Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk do të imponojë një mision që do të ndryshonte mandatin, krahasuar me atë që është paraparë me pakon e Ahtisaarit. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se qëndrimi i Prishtinës duhet të përfillet kur është në pyetje vendosja e EULEX-it.

“Besoj se ka logjikë racionale edhe në Këshillin e Sigurimit, ka mirëkuptim sidomos nga shtetet me ndikim në botën demokratike, që zgjidhjet të jenë racionale në kuadër të kornizës që ka Kosova dhe gjithmonë në përputhje me zhvillimet dhe trendet për bashkëpunim rajonal. Plani 6-pikësh çfarë është tani, nëse implementohet, krijon kriza të reja dhe jostabilitet”, tha Kuçi.

Ndërkohë, deputeti dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se planet e fundit që po mbështeten edhe nga Beogradi, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës, kthimin e procesit prapa, që mund të kenë pasoja të mëdha për Kosovën dhe rajonin.

“Çdo tendencë e Beogradit për rikthim të pikave të caktuara, është tendencë për të shkaktuar konfuzion dhe ta çojë Kosovën drejt një problemi të ngrirë, që është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm. Beogradi po pretendon të risjellë në tavolinë ndarjen funksionale në Kosovë. Gjithçka që çon në këtë drejtim, është kërcënuese për Kosovën”, deklaroi Haziri.

Në anën tjetër, opozita konsideron se institucionet e Kosovës me vonesë i kanë thënë 'jo' planit 6-pikësh. Deputeti dhe nënkryetari i AAK-së, Bajram Kosumi, thotë se lidershipi i Kosovës nuk ishte transparent gjatë fazës së bisedimeve indirekte me Beogradin, çka, sipas tij, tash po dëshmohet se i ka rrezikuar seriozisht proceset në Kosovë.

“Ne kemi treguar se nuk po bëjmë shtet. Ne kemi festuar për shtetin, por shtetin nuk e kemi bërë. Të tjerët e kanë zënë hapësirën dhe të tjerët po na godasin dhe ne tash duhet t’i përballojmë ato goditje. Klasa politike, ky lidership i Kosovës po dështon në misionin e stabilizimit të shtetit të Kosovës. Është zënë me punë të tjera, qoftë të karrigave, bajraktarllëqeve, qoftë të partive apo interesave tjera, por shtet-bërjen e ka lënë në plan të dytë”, tha Kosumi.

Edhe deputeti dhe nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli, vlerëson se qëndrimi i Prishtinës nuk ishte aq i prerë në fillimin e bisedimeve për EULEX-in. Ai thotë se rrëfimi për 6-pikëshin nuk ka përfunduar, por refuzimi i këtij plani, sipas Makollit, është i mundshëm vetëm nëse institucionet e Kosovës me të vërtetë do të tregohen të palëkundura në pozicionet e tyre kundërshtuese ndaj këtij plani.

“Mendoj se ‘jo’ e Prishtinës nuk e zhvendos çështjen nga ajo që tashmë po ndodh në arenën ndërkombëtare tash e sa kohë. Kjo çështje do të vazhdojë të sillet nëpër tavolinat e kancelarive të ndryshme, qoftë në Bruksel apo në Kombet e Bashkuara, por ajo që është me rëndësi në këtë proces, është që Prishtina të ketë një qëndrim të qartë dhe në asnjë rast të mos pranojë çfarëdo qoftë që ka të bëjë tashmë me zhvillimin e jetës së përgjithshme në Kosovë, që të tjerët të vendosin për Kosovën pa Kosovën”, thotë Makolli.

Javën e ardhshme pritet që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, të paraqesë raportin e tij për Kosovën, ku pritet të prezantohet edhe vizioni për shtrirjen e EULEX-it. Deri atëherë, bisedimet OKB - BE për EULEX-in do të vazhdojnë, ndërkaq kosovarët besojnë se në Nju Jork nuk do të merret ndonjë vendim, i cili do të ishte në kundërshtim me qëndrimet e palës kosovare.
XS
SM
MD
LG