Ndërlidhjet

Pragë:Gjykata do vendosë për Traktatin e BE-së


Gjykata Kushtetuese e Çekisë e ka filluar seancën dëgjimore për të vendosur nëse Traktati i Lisbonës i BE-së është në përputhje me Kushtetutën e Çekisë.

Presidenti Vaclav Klaus, një kundërshtar i Traktatit të Lisbonës, tha se traktati është në kundërshtim me parimet themelore të kushtetuetës së Çekisë.

"Nëse ky traktat hyn në fuqi, ai do ta ndryshojë pozicionin ndërkombëtar të vendit tonë dhe marrëdhëniet e brendshme. Ai gjithashtu do ta dobësojë pozicionin e vendit në procesin e vendimmarrjes të Bashkimit Evropian. Kjo do t'i ndryshonte kushtet e anëtarësimit në BE, për të cilat qytetarët tanë votuan në referendum", tha Klaus.

Gjykata e shtyu seancën dëgjimore për të mërkurën.

Çekia është vendi i fundit i BE-së që do t'i thotë 'po' ose 'jo' traktatit, i cili synon të krijojë lehtësi në vendimmarrjen e BE-së.

Kryeministri Mirek Topolanek e ka nënshkruar traktatin, por ka pranuar se tash për tash nuk ka gjasa që ai të ratifikohet përpara se Çekia të marrë presidencën e radhës së BE-së në muajin janar.
XS
SM
MD
LG