Ndërlidhjet

Rashiti: Rreziku nga legalizimi i ndarjes administrative


Naim Rashiti
Naim Rashiti

“Rreziku për ndarjen e Kosovës ka ekzistuar edhe pa këto gjashtë pika. Por, hendikepi në mes të veriut dhe Prishtinës është rritur pas pavarësisë, është rritur edhe gjatë procesit të Ahtisaarit", thotë Naim Rashiti, hulumtues në Grupin Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë.






RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Rashiti, deklarata presidenciale e Këshillit të Sigurimit, me të cilën mbështetet shtrirja e EULEX-it në Kosovë, është pritur me kundërthënie në Kosovë. Si e shihni ju këtë vendim të KS-së?

NAIM RASHITI
Pa hyrë në detaje në përbërjen e raportit të Sekretarit Gjeneral dhe deklaratën presidenciale të Këshillit të Sigurimit, vlen t’i them dy avantazhe të këtij vendimi – raporti i Sekretarit Gjeneral dhe kjo deklaratë presidenciale e mundëson kthimin e UNMIK-ut në tavolinën për planifikimin e tranzicionit dhe nga presioni brenda Këshillit të Sigurimit ka dalë në marsin e këtij viti.

Do të thotë, tani mundëson që në mënyrë të lirshme, EULEX-i, UNMIK-u dhe Prishtina të negociojnë, e veçanërisht UNMIK-u dhe EULEX-i të negociojnë për tranzicionin ose, siç po quhet në gjuhën e Kombeve të Bashkuara, rikonfigurimin, që do të thotë EULEX-i vendoset, UNMIK-u largohet.

Dhe, e dyta, përfundimisht ka bërë të mundur vendosjen e EULEX-it gjithandej Kosovës. Edhe pse ky raport është publik dhe i jep mbështetje të fuqishme angazhimit të EULEX-it, edhe pse deklarata presidenciale thërret angazhimin e EULEX-it, mund të shohim manovrime të ndryshme sidomos nga Beogradi, që të vazhdojë ndërlidhjen me implementimin e gjashtë pikave të tyre – që po i quajnë ata të tyre, se nuk janë krejtësisht të Beogradit - me angazhimin e EULEX-it sidomos në veri. Dhe, EULEX-i, po të ketë kurajo, ka mekanizmin e mjaftueshëm politik, për t’i thënë Beogradit se ka marrë fund.

Kjo është ftesa e Sekretarit Gjeneral, deklarata presidenciale – EUELX-i mund të vendoset në gjithë territorin e Kosovës, sipas një agjende që përcakton vetë EULEX-i. Pra, angazhimin e EULEX-it nuk mund ta përcaktojë askush tjetër.

Një aspekt i vogël pozitiv i deklaratës presidenciale është se për herë të parë del një vendim unanim nga Këshilli i Sigurimit për Kosovën. Kjo, po qe se menaxhohen hapat e muajve të ardhshëm që për ne, për Grupin Ndërkombëtar të Krizave, është tranzicion, duhet të jetë tranzicion, mund të jetë një veprim i duhur në momentin e fundit drejt konsolidimit të shtetit të Kosovës në gjithë territorin e Kosovës.

Përndryshe, reagimet dhe zhvillimet e fundit në Prishtinë që kanë ndodhur, kanë krijuar tension mjaft të madh, në një pjesë të madhe ndoshta të panevojshëm, më shumë nga frika e zhvillimeve, e rrjedhës së atyre zhvillimeve, sesa nga substanca.

Edhe më tutje po shihet se nuk ka ndonjë mekanizëm të veçantë ose ndonjë vëmendje të theksuar për t’u marrë me substancën e këtyre zhvillimeve, por le të shohim muajt e ardhshëm se çka do të sjellin të re.

RADIO EVROPA E LIRË
Në raport është përfshirë edhe plani gjashtëpikësh, i mbështetur nga Beogradi, dhe ai katërpikësh i Prishtinës. Të dy këta e përjashtojnë njëri-tjetrin. Si e shihni ju zbatimin e këtij raporti?

NAIM RASHITI

I thashë më herët anët pozitive të raportit. Ana negative e këtij raporti është përfshirja në mënyrë eksplicite dhe e përshkruar në detaje e planit gjashtëpikësh, për të cilin Prishtina deri diku është konsultuar, por nuk ka qenë pjesë e barabartë e këtyre negociatave. Kjo është e meta kryesore e këtij dialogu që UNMIK-u e ka udhëhequr.

Dhe, me këtë plan, përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara ka rrëshqitur nga ai mandati i vet që fillimisht e kishte proklamuar si fasilitator i negociatave mes Prishtinës e Beogradit. Pikërisht në gusht kishte thënë kështu, në tetor vjen me një vendim, e quan dokument percepcioni, por bjen me konkluzat e veta.

Dhe, në anën tjetër, kemi të përfshira, me shumë mund, presion, katër pikat e Prishtinës në një aneks. Nuk duhet injoruar; edhe pse janë në një aneks, ato pika janë qëndrim i Prishtinës, i shprehur në raportin e Sekretarit Gjeneral.

Kontradita mes këtyre dy dokumenteve është shumë e madhe. Ajo që është pak më shqetësuese është mënyra e përshkrimit eksplicit të gjashtë pikave në raport të Sekretarit Gjeneral. Dhe, me këtë është tentuar të tregohet se ky është një dokument i Kombeve të Bashkuara, nuk është dokument i prodhuar i Kosovës, apo i Beogradit.

Është provuar të portretizohet si dokument i Kombeve të Bashkuara dhe kjo të jep të kuptosh se këtu do të ketë një tentativë për implementimin e të gjitha këtyre pikave si pjesë e një raporti të Sekretarit Gjeneral. Fundi i fundit, Sekretari Gjeneral do të duhet të raportojë për implementimin e tyre ndoshta marsin e ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË

Prishtina zyrtare dhe analistë të ndryshëm konsiderojnë se me planin gjashtëpikësh të Ban Ki Moonit rrezikohet tërësia territoriale. A ka rrezik të ndarjes së Kosovës?

NAIM RASHITI
Kur flasim për planin gjashtëpikësh, duhet ta bëjmë të qartë se ky plan nuk është plan kosovar, nuk është plan i prodhuar nga Kosova, qoftë edhe nga Kombet e Bashkuara që janë të angazhuara në Kosovë, qoftë edhe nga Quint-i, qoftë nga prania e ardhshme ndërkombëtare, qoftë nga Prishtina.

Mos të harrojmë se roli i UNMIK-ut, Rezoluta 1244, janë për Kosovën, jo mbi Kosovën, dhe këtu ka pasur prapë një shkarje, në percepcionin e UN-it. Plani gjashtëpikësh, kuptojmë plotësisht Prishtinën që mund të jetë i papranueshëm, por në esencë mund të interpretohet në dy aspekte. Po qe se menaxhohet mirë një pjesë e tij, konkretisht doganat, gjyqësia, që janë pikat e para me të cilat me siguri UNMIK-u do të merret, mund të bëjë një zbutje në ndarjet ndëretnike kryesisht me veriun.

Po qe se menaxhohet keq, mund të shtyjë edhe më tutje ndarjen, t'i bëjë edhe më faktike ndarjet mes Prishtinës dhe veriut. Shqetësimet janë për t’u vlerësuar, se mund të ketë edhe anën negative. Ana negative është se mund të bëjnë legalizimin e njëfarë ndarjeje administrative.

Rreziku për ndarjen e Kosovës ose për shkarje më të madhe, më të mëtutjeshme mes serbëve dhe shqiptarëve në relacion me veriun, ka ekzistuar edhe pa këto gjashtë pika. Ne kemi thënë edhe në një raport më të mëhershëm se hendikepi në mes të veriut dhe Prishtinës është rritur pas pavarësisë, është rritur edhe gjatë procesit të Ahtisaarit; dinamika ka qenë gjithmonë në atë drejtim, nuk ka qenë në drejtim të riintegrimit.

Ka qenë dinamikë e shkallës më të ultë, nuk ka qenë e legalizuar, nuk ka qenë e zyrtarizuar në mënyrë administrative. Ka qenë e penguar nga disa faktorë, nga njohja e Kosovës si shtet brenda kufijve ekzistues, nga shtrirja gjeografike e komunitetit serb në tërë Kosovën.

Është një hendikep i madh për Serbinë dhe për serbët, për radikalët në veri. Po të mos ishin enklavat e mëdha në jug, sigurisht se serbët në veri do ta bënin këtë lëvizje shumë më herët. Por, tendencat e reja mund të jenë; mund t’i shfrytëzojë dikush tendencat e reja për një formalizim administrativ të këtij hendikepi që është krijuar. Kjo është e rrezikshme. Unë mendoj thellësisht se ende ka hapësirë për t’i ikur këtij formalizimi administrativ.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se do të ketë problem në mes të Zyrës Civile Ndërkombëtare, UNMIK-ut, institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it?

NAIM RASHITI

Nuk do të duhej të kishte problem. Fatkeqësisht, Zyra Civile Ndërkombëtare është margjinalizuar në masë të madhe dhe kjo është një dëm i madh që i është bërë Kosovës. Zyra Civile Ndërkombëtare është mekanizëm politik për ta ndihmuar ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Edhe nëse mund të ketë tentativa, edhe Këshilli i Sigurimit nuk do ta përkrahë Zyrën Civile, për muaj e vite me radhë ndoshta, duhet mekanizma të tjerë, vetë Prishtina së pari, por edhe Brukseli, Quint-i, shtetet anëtare të grupit mbikëqyrës ta forcojnë rolin e Zyrës Civile.
XS
SM
MD
LG