Ndërlidhjet

Serbët s’e kundërshtojnë EULEX-in në veri


Pjesëtarë të misionit EULEX
Pjesëtarë të misionit EULEX

Bashkësia serbe nuk do ta kundërshtojë vendosjen e misionit të EULEX-it në pjesën veriore të Kosovës, por do të kërkohet që ky mision së pari të bisedojë me përfaqësuesit e komunitetit, thonë në Këshillin Nacional Serb.



Para se EULEX-i të shtrihet në pjesën veriore, ky mision duhet të bisedojë dhe të merret vesh me serbët e kësaj pjese të Kosovës, thonë përfaqësuesit e këtij komuniteti nga pjesa veriore.

Nebojsha Joviq, kryetar i Këshillit Nacional Serb për veriun, thotë se marrëveshja e fundit ndërmjet OKB-së dhe Serbisë e bën më të pranueshëm EULEX-in edhe për serbët.

Sipas tij, pas kësaj marrëveshjeje, nuk pritet që EULEX-i të hasë në probleme gjatë shtrirjes nëpër vendbanimet serbe, por, sipas tij, data 9 dhjetor është paksa e shpejtë që ky mision të zë vend në veri të Kosovës.

“Mendoj se para se të shtrijë veprimin e vet në veri, ky mision së pari duhet të bisedojë me përfaqësuesit politikë për mënyrën se si do të funksionojë ky mision”, thotë Joviq, duke e cilësuar datën 9 dhjetor si afat shumë të shpejtë që EULEX-i të shtrihet në veri.

Joviq thotë se Beogradi me marrëveshjen gjashtëpikëshe ka arritur që në letër t’i plotësojë kërkesat e serbëve sa i përket EULEX-it. Por, sipas tij, serbët do ta përcjellin me vëmendje punën e EULEX-it dhe nëse ky mision i përsërit gabimet e UNMIK-ut, do të kishte fatin e njëjtë me administratën e OKB-së.

Ndërkaq, duke iu përgjigjur disa deklaratave të zyrtarëve të BE-së se nëse ka rezistencë, EULEX-i do të shtrihet edhe me forcë, Joviq thotë se nuk beson se do të ketë farë tensionesh.

“Jam më se i sigurt se nuk do të ketë probleme të natyrës së sigurisë, ngase incidentet nuk u duhen as serbëve, as shqiptarëve apo bashkësisë ndërkombëtare”,
thotë Joviq.

EULEX-i mirëpritet edhe nga partitë politike serbe që marrin pjesë në institucionet e Kosovës.

Petar Miletiq, sekretar i përgjithshëm i Partisë së Pavarur Liberale, thotë se misioni i BE-së është më se i mirëseardhur, pasi që fusha e sundimit të ligjit, që do të jetë nën përgjegjësinë e këtij misioni, sipas tij, ka shënuar më së shumti ngecje në Kosovë.

“Ju kujtohet raporti i Kai Aides, ku drejtësia në Kosovë cilësohet si katastrofale... Kurse, në lidhje me policinë, pres që shumë çështje të pandriçuara, të fillojnë të zbardhen, ngjashëm edhe me çështjet pronësore”, thotë Miletiq.

Ai beson se me nisjen e misionit të EULEX-it, edhe gjykatësit, prokurorët dhe policët serbë që i kanë lëshuar vendet e punës pas shpalljes së pavarësisë, do të kthehen në punë.

“E përkrahim EULEX-in dhe shpresojmë që të jetë një mision më i suksesshëm, sesa që ishte misioni i UNMIK-ut”, thotë Miletiq.

Para arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Serbisë, serbët, sidomos ata të pjesës veriore, patën kundërshtuar EULEX-in, duke paralajmëruar se do ta pengojnë në shtrirje dhe në funksionim këtë mision.

Ndërkaq, pas marrëveshjes gjashtëpikëshe, EULEX-i tashmë mirëpritet edhe nga serbët, përderisa shtohen dilemat te një pjesë e partive dhe përfaqësuesve të shumicës shqiptare, nëse një mision i tillë, i cili do të jetë neutral ndaj statusit, do të jetë i dobishëm apo jo për Kosovën.
XS
SM
MD
LG