Ndërlidhjet

WP: “Blofi i zotit Putin”


"Washington Post"

Fushata e Vladimir Putinit për ta trembur presidentin e zgjedhur amerikan, po vazhdon.

Në paraqitjen e tij televizive këtë javë, kryeministri rus pohoi se ka vërejtur disa "sinjale pozitive" nga administrata e ardhshme amerikane.

Për shembull, zoti Putin tha se "kemi dëgjuar nga njerëzit e afërt me presidentin e zgjedhur se nuk do të ketë nxitim" kah anëtarësimi në NATO i Ukrainës dhe i Gjeorgjisë, pasi "nuk duhet të dëmtohen marrëdhëniet me Rusinë".

Po ashtu, kryeministri Putin tha se "ne tashmë kemi dëgjuar se Obama do ta shqyrtojë edhe një herë përshtatshmërinë e vendosjes" së sistemit mbrojtës raketor.

Me fjalë të tjera, ajo që zoti Putin thotë se e kupton, është ajo se Qeveria e re e Shteteve të Bashkuara do të tërhiqet nga dy pika presioni, të cilat Moska i ka shfrytëzuar në përpjekjet e saj për ta rikrijuar vetveten si një fuqi perandorake në Evropë dhe një kundërpeshë ndaj Shteteve të Bashkuara.

Ai ka sugjeruar se zoti Obama do të tërhiqet nga politika amerikane e mbështetjes për anëtarësimin eventual në NATO për dy vende që janë në fqinjësi të Rusisë, e të cilat po synojnë ta ndërtojnë vetveten si demokraci liberale dhe të tërhiqet nga marrëveshjet e administratës së presidentit Bush me qeveritë në Poloni dhe në Çeki, për ndërtimin e sistemit mbrojtës raketor, për kundërvënie eventuale ndaj Iranit.

Nuk besojmë se zoti Obama ka qëllime të tilla. Por, retorika e zotit Putin thekson dy çështje të vështira, të cilat administrata e ardhshme duhet t'i menaxhojë jo vetëm me Rusinë, por edhe me aleatët evropianë, që do të përpiqen që presidentin e ri ta tërheqin në drejtime të ndryshme.

Në takimin e fundit ministror të NATO-s, këtë javë, administrata e presidentit Bush ia doli pothuajse me mjeshtri që të pozicionohet në çështjen e Gjeorgjisë dhe të Ukrainës.

Me gjithë vendosmërinë e NATO-s në samitin e këtij viti, që të dy vendet eventualisht do të bëheshin anëtare, Gjermania dhe Italia tash e udhëheqin një grup të shteteve, që pas invadimit të Rusisë në Gjeorgji, në muajin gusht, dëshirojnë ta ndalin çfarëdo hapi që çon kah ky qëllim.

Ish-vendet e Paktit të Varshavës, siç janë Polonia dhe Lituania, përkundrazi, argumentojnë se vetëm mbështetja e fuqishme e NATO-s për Ukrainën dhe Gjeorgjinë dhe prania më e prekshme në vendet e tyre, do ta zmbrapsin Rusinë nga agresioni i mëtejshëm.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, përfundimisht është pajtuar për një kompromis, sipas të cilit Gjeorgjia dhe Ukraina do t'i fillojnë programet për përgatitje për NATO, por, tash për tash, nuk do të shpërblehen me "planin aksional për pranim", që është përdorur për kandidatët e mëparshëm. NATO-ja po ashtu e ka ripërtërirë mbështetjen për mbrojtjen raketore në Evropë.

Këto dy nisma esencialisht i mbeten administratës Obama që të vendosë nëse do ta përdorë dykuptimësinë e mandatit të NATO-s për realizimin e mbështetjes së fuqishme për Ukrainën dhe Gjeorgjinë dhe nëse do të shkojë përpara me planet për sistemin mbrojtës raketor, i hartuar nga administrata Bush.

Ekzistojnë pyetje legjitime nëse administrata aktuale amerikane ka nxituar pa arsye kah sistemi i mbrojtjes raketore dhe për seriozitetin e qeverive aktuale në Gjeorgji dhe Ukrainë.

Por, fjalët e zotit Putin janë përkujtim i një realiteti tjetër: çfarëdo tërheqjeje e administratës së re në këto çështje, nga Kremlini do të merret si fitore për projektet e tij neo-imperialiste dhe si shenjë për dobësinë e presidentit të zgjedhur, Barack Obama.

"Sinjalet" që zoti Putin i merr nga presidenti i ri, duhet që të mos jenë provokuese ose antagoniste, por kur është puna te mbrojtja dhe pavarësia e fqinjëve demokratikë të Rusisë, mesazhi i zotit Obama duhet të jetë i fuqishëm.
XS
SM
MD
LG