Ndërlidhjet

Të rinjtë dhe papunësia


Zyrtarë të institucioneve të Kosovës thonë se më shumë se 45% e të rinjve kosovarë nuk kanë një vend pune, derisa çdo vit rritet në masë të madhe numri i të rinjve të aftë për punë.

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Gjergj Dedaj, konsideron se kjo është një situatë alarmante.

"Sipas të dhënave të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, shkalla e papunësisë është tepër e lartë në Kosovë. I kemi bërë disa herë transparente (të dhënat) dhe të njohura për opinionin e gjerë dhe ato sillen mbi 45%. Duke pasur parasysh që Kosova ka popullatën më të re në Evropë, atëherë një numër i përqindjes së konsiderueshme të papunëve në Kosovë – shumica prej tyre konsiderohen të jenë të rinj", tha Dedaj.

Edhe të dhënat që posedon Ministria e Kulturës dhe Rinisë, janë të ngjashme me ato të publikuara nga Ministria e Punës. Fatmir Hoxha është drejtor i Departamentit të Rinisë në Ministrinë e Rinisë.

"Në bazë të të dhënave që i kemi nga raportet tona të brendshme dhe nga raportet që janë bërë nga Banka Botërore, si dhe nga agjencitë e tjera ndërkombëtare dhe evropiane që janë në Kosovë, thuhet se numri i të papunëve në Kosovë arrin në shifrën 43 %, ku nga ta, 70% janë të rinj. Ne jemi munduar që gjatë vitit 2008, dhe do të vazhdojmë edhe gjatë vitit 2009, të bëjmë politika aktive, të cilat do të ndikojnë në përgatitjen e të rinjve për tregun aktiv të punëve", tha Hoxha.

Ndërsa, sipas statistikave që jepen nga UNICEF-i në Kosovë, numri i përqindjes së të rinjve, të cilët janë të papunë, arrin deri në 49 %. Arbena Kuriu, zyrtare për komunikim në UNICEF, konsideron se institucionet kosovare duhet të punojnë më shumë për uljen e kësaj papunësie.

"Kjo është një gjë serioze dhe kërkon që ministritë përkatëse të merren më seriozisht me zhvillimin e politikave që do t'i profilizojnë të rinjtë, do ta profilizojnë arsimimin e tyre, që do të jetë i përshtatur me ekonomitë e tregut dhe me kërkesën momentale në Kosovë. Normalisht, duhet të ndërmerren politika të posaçme, që në mënyrë më specifike t’i adresojnë të rinjtë dhe papunësimin e të rinjve", tha Kuriu.

Zonja Kuriu thotë se mosha e të rinjve, të cilët janë në kërkim të punës, sillet nga 15 deri në 30 vjeç. Ndërsa, sipas të dhënave që posedon UNICEF-i, çdo vit numri i atyre që kërkojnë punë, arrin rreth 30 mijë.

"Një fakt tjetër alarmues është se çdo vit, 30 mijë të rinj po hyjnë në radhët e atyre që kërkojnë punë", thekson ajo.

Zëvendësministri i Punës, Gjergj Dedaj, thotë se aktualisht kanë arritur disa marrëveshje me disa shtete për punësim sezonal të të rinjve. Sipas tij, fillimisht një projekt i tillë do të nisë me shtetin e Finlandës.

"Fillimisht në Finlandë; është një pilot-projekt, diku rreth 100 të rinj do të punësohen. Pastaj janë edhe disa marrëveshje të tjera, të cilat do të fillojmë t’i implementojmë. Unë them se tash është me rëndësi që vendet skandinave, por edhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian, kanë treguar një mirëkuptim tepër të madh për rininë kosovare dhe mendoj se jemi në rrugë të mbarë", tha Dedaj.

Altin Ademi, një i ri nga Prishtina, vlerëson se papunësia në Kosovë është shumë e madhe. Ai madje konsideron se pjesën më të madhe të të papunëve e përbën rinia, e cila, nga pamundësia për të gjetur një vend pune në vend, synim ka migrimin.

“Papunësia është dominante dhe kjo shkakton krizë të identitetit social. Njerëzit dëshirojnë të bëjnë zgjidhje dhe kanë më shumë prirje për ta zgjidhur këtë problem në mënyrë radikale, pa menduar shumë për zgjidhje afatgjate, prandaj vijnë edhe opsionet e tjera për të migruar në vende të ndryshme, për të bërë zgjidhje",
thotë Altin Ademi.

Sidoqoftë, sipas statistikave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në Kosovë llogaritet se 45 për qind e rinisë është e papunë. Kurse, ekspertë të ndryshëm konsiderojnë se krahas papunësisë së madhe, shqetësues mbetet edhe fakti i rritjes së varfërisë së skajshme.
XS
SM
MD
LG