Ndërlidhjet

2008: Mbaron koha e Bushit, ndryshon pushteti


George W. Bush
George W. Bush
Presidenti aktual amerikan, George Bush, shpesh e ka krahasuar veten me Harry Truman, presidentin e SHBA-ve të afro gjysmë shekulli më parë. Truman, ashtu si edhe Bushi, u largua nga Shtëpia e Bardhë me një shkallë shumë të ultë të popullaritetit. Por sot, Trumani vlerësohet si një udhëheqës i ndershëm dhe i vendosur.

"Ashtu siç e ka thënë edhe presidenti Truman në fund të presidencës së tij: ‘Kur historia thotë se mandatet e mia si president përkuan dhe me fillimin e Luftës së Ftohtë, ajo do të thotë gjithashtu se tetë vjetët e presidencës sime shtruan rrugën për fitoren e kësaj lufte’ - udhëheqja e tij shtroi rrugën për presidentët e ardhshëm Eisenhower, Kennedy dhe Regan, që të përballen dhe ta mundin Bashkimin Sovjetik".

"Sot, ne jemi në një luftë që asnjë vend tjetër nuk ka qenë i përfshirë më parë dhe ashtu si amerikanët e kohës së Trumanit, ne hodhëm themelet e fitores së kësaj lufte",
tha presidenti Bush, në majin e vitit 2006, gjatë një fjalimi në Akademinë Ushtarake në West Point.

Sipas Norman Ornstein, kërkues në Institutin amerikan Enterprise, Bushi do të kujtohet për ndërhyrjen ushtarake në Irak. Nëse historianët do ta shohin këtë hap si pozitiv apo negativ, kjo mbetet të shihet, pohon Ornstein për REL.

"Vlerësimi nëse largimi nga pushteti i Sadam Huseinit ishte pozitiv për Irakun dhe rajonin, duke sjellë transformimin e këtij të fundit, çka është dhe skenari për të cilin shpreson presidenti Bush, apo nëse do të kemi vlerësimin se ndërhyrja në Irak e largoi vëmendjen nga lufta kundër terrorizmit, ishte tepër e kushtueshme dhe gabim - kjo ka të bëjë sa me presidencën e Bushit, po aq dhe me shkrimin e historisë", thotë Ornstein.

Ai shton se padyshim presidenca e Bushit ka pasur dhe pikat e saj pozitive. Ornstein kujton këtu reagimin kurajoz të presidentit pas 11 Shtatorit dhe faktin se e mbajti popullin amerikan të bashkuar.

Bill Frentzel, i cili ka shërbyer në Kongresin Amerikan për gati 20 vjet, thotë se lufta në Irak do të jetë ajo që do ta përcaktojë presidencën Bush.

Duke qenë republikan, Frentzel është optimist për mënyrën se si historia do ta gjykojë Bushin.

"Një nga çështjet për të cilat do të çmohet Bushi, është sasia e fondeve që ai ka qenë i vullnetshëm të japë për të bllokuar përhapjen e epidemisë së SIDA-s. Së dyti, është ndihma për 'Sfidat e Mileniumit', ku ai u përpoq të racionalizonte ndihmën dhënë vendeve, duke e përdorur atë si nxitës për ndryshim", thotë Frentzel.

Vetëm në Afrikë, administrata Bush ka shpenzuar 150 miliardë dollarë për të luftuar SIDA-n.

Gjatë presidencës së tij, Bushi është ankuar për vështirësi në bashkëpunimin me Kongresin, i cili në periudha të caktuara dukej i paralizuar për shkak të qëndrimeve thellësisht partiake.

Edhe presidenti i ardhshëm amerikan, Barack Obama, e sheh këtë problem. Edhe kur bëri publik lajmin se do të futej në garën presidenciale, Obama foli kryesisht për qëndrimet thellësisht partiake në Uashington.

Barack Obama
"Nuk është thellësia e problemeve që më shqetëson më së tepërmi, por vogëlsia e politikës sonë. Amerika është përballur me probleme të mëdha dhe në të shkuarën, por udhëheqësit tanë sot duken të paaftë të punojnë së bashku në gjëra praktike me interes të përbashkët".



"Politika është bërë kaq e hidhur dhe partiake, e fokusuar tek paratë dhe influenca, duke bërë që të mos jetë në gjendje t'i zgjidhë problemet e mëdha që kërkojnë zgjidhje",
tha Obama në janar të 2007-ës, në videon e vendosur në internet.

Tani që po afrohet presidenca e Obamas, pyetja shtrohet - a do të mund Barack Obama të përballet me problemet pa qasjen partiake?

Të paktë janë ata që janë të gatshëm të bëjnë parashikime.

Frentzel thotë se në kohën kur ai ka shërbyer në Dhomën e Përfaqësuesve, ka qenë e mundur të punohej miqësisht me rivalët. Por, sipas tij, Kongresi tani është shndërruar në "një vend të trishtuar".

Por, Frentzel shton se emërimet e deritashme të Obamas i përkasin qendrës dhe nuk janë partiake.

"Nuk mund t'ju them se si do të jetë, por Obama na ka dhënë disa shenja të mira. Ai është treguar i gatshëm që të mbajë një republikan në kabinetin e tij dhe ndoshta do të mbajë dhe republikanë të tjerë në nivele më të ulëta të administratës. Megjithatë, nuk jam i sigurt se Obama do të mund të gjejë zgjidhje për të gjitha armiqësitë që vihen re në Kongres, por e ka nisur mbarë", thotë Frentzel.

Duke folur për politikën e jashtme të presidentit të ardhshëm amerikan, eksperti Ornstein, nga Instituti Enterprise, thotë:

"Shumë njerëz në botë mendojnë se jo vetëm do të shohin një qasje të re ndaj vendeve të tjera me presidentin e ri afro-amerikan, por presin dhe ndryshime dramatike në politikën e jashtme. E vërteta është se Obama do të zhvillojë politika që janë në interesin kombëtar të SHBA-ve dhe kjo do të zhgënjejë disa udhëheqës e një numër vendesh".

"Por, ideja se Obama jo vetëm që do të mund të sjellë ndryshime, por dhe do të na ndihmojë të kapërcejmë tri kriza, dy luftëra dhe katastrofën ekonomike, mendoj se do të na nxisë në kohë shumë të vështira",
thotë Ornstein.
XS
SM
MD
LG