Ndërlidhjet

A ishte 2008-ta kulmi i Rusisë?


Moskë
Moskë

2008-ta filloi si një vit ku fuqia e Rusisë po njihte rritje, si në planin ekonomik, edhe në atë politik. Por, pas viteve të shoqëruara me retorikë të ashpër, duket se Rusia ka filluar të bjerë, veçanërisht si pasojë e krizës globale financiare. A do të kujtohet 2008-ta si viti kur Rusia njohu kulmin, por edhe filloi rënien?


Fitorja historike e kampionatit botëror të hokejit në akull, të ardhurat që kapën nivele rekord nga eksporti i naftës dhe gazit apo edhe tregimi i muskujve në planin ndërkombëtar, duket se e bëjnë vitin 2008, ose së paku një pjesë të tij, një vit të mirë për Rusinë.

Shenjat u dukën që në 2 janarin e vitit 2008, kur çmimi i naftës i kaloi 100 dollarë për fuçi. Çdo rritje prej një dollarë e çmimit të naftës në tregun botëror, përkthehet në 1 miliard dollarë fitime shtesë për Rusinë. Çmimi i naftës në korrik arriti 147 dollarë për fuçi.

Nga ana tjetër, dështimi i BE-së për të sendërtuar projektin e tij të gazsjellësit Nabuko, e solli Rusinë më afër monopolit të furnizimit me gaz të Evropës, duke shtuar këtu edhe marrëveshjet për dy gazsjellësit e rinj rusë në Evropë, Rryma e Jugut dhe e Veriut.

Edhe në politikën e jashtme Rusia tregoi muskujt me fqinjët, veçanërisht pas dështimit të NATO-s që t'i ofronte Ukrainës dhe Gjeorgjisë bashkëpunim më të afërt e rrugë më të qartë drejt anëtarësimit.

"Arroganca arriti kulmin kur Mihail Sakashvili tragjikisht i krijoi Rusisë mundësinë për t’u futur në luftë në Osetinë e Jugut. Ajo u pa në Moskë dhe nga vetë Putini si mundësi që të vjen një herë në jetë për të larguar nga pushteti një nga armiqtë kryesorë dhe një nga njerëzit që më së shumti nuk të pëlqen. Prej asaj kohe, situata ka ndryshuar totalisht", thotë për REL, Paul Quinn Judge, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Lufta rezultoi me njohjen nga Moska të pavarësisë së Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, dy rajone të Gjeorgjisë. SHBA-të ishin mbështetësit kryesorë të Tbilisit, derisa Bashkimi Evropian, nisur dhe nga interesat energjetike, kishte një qasje më pragmatike.

Shumëçka do të ndryshonte për Rusinë kur çmimi i naftës filloi të bjerë dhe kur stuhia ekonomike e preku rëndë Moskën.

Rënia e çmimit të naftës dhe kriza ekonomike kanë bërë që rreth 200 miliardë dollarë kapitale të huaja dhe ruse të largohen nga Rusia që nga gushti i kaluar.

Bursa ruse ra me 70%, çfarë e detyroi qeverinë që ta mbyllte tërësisht. Të gjitha bënë që më 13 dhjetor, Rusia të pranonte se kishte rënë në recesion.

Shenjat më të qarta të ndalesës ekonomike të Rusisë vihen re në industrinë e ndërtimeve.

Mihail Deljagin, nga Instituti për Studime rreth Globalizimit me qendër në Moskë, e përshkruan situatën si vijon:

"Në vendin e varfëruar të viteve të 90-ta, ne ndërtuam kishën e Shpëtimit të Krishtit. Kjo ishte simbolike. Edhe ndërtimi i kompleksit të qeverisë federale është një simbol i Rusisë së Putinit. Ndërprerja e ndërtimit të këtij kompleksi është simbol i asaj se Rusia e Putinit ka prekur fundin", thotë Deljagin për REL.

Rënia ekonomike mund të sjellë një goditje serioze për legjitimitetin politik të Putinit.

"Putini është shumë i zemëruar me Perëndimin, e veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, që i quan përgjegjëse për krizën ekonomike. Ajo çka është interesante, lidhet me faktin se politikat e tij po duken gjithnjë e më të dështuara dhe ai mund të vihet nën presion nga njerëz brenda grupit të tij", thotë Quin Judge, nga GNK-ja.

Pafuqia e Rusisë, si pasojë e krizës ekonomike, e gërshetuar me zgjedhjen e Barack Obamas president, mund të sjellë ndryshim në raportet Moskë-Uashington.

"Në vitet e fundit ka ekzistuar mendimi se Rusia po e mbivlerësonte fuqinë e saj dhe po e tepronte me idenë e dobësisë së Amerikës. Kriza ekonomike do ta detyrojë Rusinë të bëjë reforma të thella dhe të rishohë politikat e jashtme",
thotë Andrew Kuchins, nga Qendra për Studime Strategjike në Uashington.

E derisa viti që filloi shumë premtues për Rusinë, po përfundon i zbehtë, shumë pyesin a ishte 2008-ta pika kulmore e Rusisë, pas së cilës fillon rënia...

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG