Ndërlidhjet

Knaus: Kërcënim për Kosovën - stagnimi


Gerald Knaus
Gerald Knaus

"Shpresoj se do të ruhet stabiliteti i 2008-ës dhe që ky stabilitet të mos kthehet në stagnim. Kërcënimi kryesor për Kosovën është nëse gjërat nuk ndryshojnë mjaftueshëm", thotë drejtuesi i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus.




RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Knaus, 2008-ta është vlerësuar nga disa si vit i Kosovës, për shkak të shpalljes së pavarësisë. Por, a përfundoi tërë puna këtë vit?

GERALD KNAUS
Jo, definitivisht jo. Pas shpalljes së pavarësisë dhe marrjes së përkrahjes nga shtetet e mëdha në Evropë dhe SHBA, para Kosovës shtrihen detyra më të rëndësishme.

Ekonomia ende nuk është në rrugë të drejtë, ndërtimi i institucioneve - siç është Ministria e Punëve të Jashtme (nuk ka përfunduar). Ajo duhet të fillojë jo vetëm të ekzistojë, por edhe të performojë.

Dhe, si prioritet kryesor i politikës së jashtme, duhet të jetë sigurimi i njohjeve nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, në mënyrë që të hapet rruga ka integrimet evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË

Meqë përmendët këto pesë shtete të BE-së - si e shihni ju këtë proces të njohjes dhe kush mund të bëjë më shumë që të rritet numri?

GERALD KNAUS
Mendoj se këtu duhet të përfshihen shumë njerëz. Përgjegjësia kryesore bie mbi Kosovën.

E di se është vështirë, por nëse Ministria e Punëve të Jashtme bën prioritetet, atëherë në krye të tyre duhet të vihet njohja nga këto pesë shtete, sepse kjo është shumë më e rëndësishme, sesa njohja nga 20 shtete tjera të botës. Kjo i lejon Kosovës që t'i ndjekë vendet e rajonit në rrugën drejt integrimit evropian.

Kështu që mendoj se prioritet kryesor i Ministrisë së Punëve të Jashtme është që të sigurojë njohjet e këtyre shteteve. Për ta bërë këtë, duhet të bëjë analizë të gjendjes së debatit në këto vende.

Për shembull në Spanjë, të shohë se kush çfarë opinioni ka dhe për çfarë arsyeje ka atë opinion. Kush janë njerëzit kryesorë, që krijojnë opinione në media... Kush janë njerëzit kryesorë në partitë politike, në opozitë, qeveri...

Duhet të zbuloni këtë e mandej të shkoni me mesazhe të qarta dhe të shënjestruara, të takoni njerëz, të mundoheni t'i bindni ata. Është në interes të Serbisë dhe Kosovës që Kosova të njihet nga të gjitha vendet e BE-së. Kjo duhet bërë nga ana e Kosovës.

Mendoj se BE-ja, ato vende që kanë njohur Kosovën, po ashtu duhet të bëjnë më tepër, sepse nëse nuk kanë një qëndrim të përbashkët ndaj Kosovës, siç nuk e kanë tashmë, në planin afatgjatë minojnë kredibilitetin e BE-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Një sfidë tjetër zoti Knaus ka qenë zbarkimi i EULEX-it, i cili tashmë është shtrirë, por baza legale e tij ka mbetur e paqartë, duke shkaktuar kështu interpretime të ndryshme nga Prishtina dhe Beogradi. Ku mendoni se çon kjo situatë?

GERALD KNAUS
Mendoj se nuk është ky problemi kryesor, për të cilin ka pasur debat të nxehtë javët e fundit. Çështja e vërtetë është se EULEX-i nuk është fytyra e BE-së që Kosovës i nevojitet më së shumti.

Është e dobishme që ta kemi BE-në në terren, ta kemi Kosovën si projekt prestigjioz të BE-së, por do të ishte më thelbësore që Kosova të ketë perspektivë të qartë evropiane. Këtë nuk e ofron EULEX-i.

Do t'ju jap një shembull konkret. Është me rëndësi që të punohet në sigurimin e kufijve, që të ndihmohen policia dhe prokurorët. Por, më e rëndësishme është që BE-ja t'i mundësojë Kosovës përmbushjen e kushteve për udhëtim pa viza.

Këto kushte i janë dhënë secilit shtet fqinj të Kosovës - udhëzuesit se çfarë një shtet duhet të bëjë për sigurimin e kufijve, pasaportave, ndërtimin e institucioneve.

Kosova ka nisur këtë vit prodhimin e pasaportave, që nuk janë biometrike dhe që do ta pengojnë Kosovën nga udhëtimi pa viza në Evropë. Ky është një vendim që vështirë kuptohet dhe BE-ja është dashur ta paralajmërojë Kosovën më parë.

Qëllimi i përbashkët (i BE-së) nuk duhet që ta ketë në Kosovë një mision të përhershëm, që i monitoron institucionet e Kosovës. Qëllimi i përbashkët duhet të jetë që të ketë regjim të lirë të vizave, që t'i jepet Kosovës statusi i kandidatit.

Kam frikë se EULEX-i nuk i ka në shënjestër këto qëllime, që me të vërtetë janë të rëndësishme për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Organizata juaj, ESI, e ka quajtur Mitrovicën si pikën më të nxehtë në Kosovë. Si e shihni zgjidhjen e problemit të këtij qyteti, a gjendet ajo në pakon e Ahtisaarit?

GERALD KNAUS
Është shumë me rëndësi që situata në Mitrovicë të mos nxehet më tepër. Është në interes të secilit që të mos ketë përsëritje të dhunës që e kemi parë në vitin 2004 dhe në fillim të këtij viti në Mitrovicë.

Mendoj se ka nevojë për një mesazh të qartë të vendeve të BE-së dërguar Serbisë, që ta mbajnë situatën atje të qetë. Sa për të tjerat, mendoj se nganjëherë Mitrovicës i është kushtuar më shumë vëmendje, sesa që duhet.

Është e rëndësishme, por nëse unë do të isha politikan kosovar, prioriteti im kryesor në këtë moment do të ishte që të ruaj parimet, përmes të cilave BE-ja e njeh Kosovën si unike dhe pastaj pjesën tjetër të Kosovës, në jug të lumit Ibër, ta bëja sa më atraktive, edhe për serbët.

Argumenti i vetëm për një Kosovë multietnike qëndron në trajtimin e serbëve në jug. Në këtë kuptim, mendoj se viti i kaluar nuk ka qenë i keq, nuk ka pasur frikë nga eksodi, ka pasur vetëm pak shembuj të dhunës ndëretnike. Institucionet e Kosovës kanë qenë shumë të matura dhe kjo është thelbësore.

Mendoj se sfida e vërtetë në 2009-ën nuk do të jetë Mitrovica, por pjesa tjetër e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË

Megjithatë, si e shihni integrimin e veriut, kur Serbia edhe së fundi vetëm sa po sforcon strukturat paralele në Kosovë?

GERALD KNAUS
Mendoj se këtu nuk ka asgjë të re. Kur bëmë një studim për Mitrovicën para disa vjetësh, strukturat paralele ekzistonin atje. Është problem. Problemi kryesor është për shembull me doganat, sepse mosfunksionimi i tyre dëmton tërë Kosovën. Kjo duhet të jetë prioritet kryesor për t'u zgjidhur.

Sa për të tjerat, mendoj se pjesërisht kanë të bëjnë me fushën e sundimit të ligjit - krimi në Mitrovicën veriore fshihet pas argumenteve nacionaliste.

Sërish nuk mendoj se suksesi për Kosovën si shtet është në gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë në Mitrovicën veriore; kjo do të tërhiqte vëmendjen nga çështjet e vërteta.

Gjendja e ambiguitetit nuk është problem shumë i madh në Kosovë, për aq kohë sa Mitrovica veriore të jetë e qetë, për aq kohë sa të jetë e sigurt Kosova në kufijtë e saj ekzistues dhe për aq kohë sa nuk do të ketë dhunë.

Nuk është mirë. Është keq edhe për veriun e Mitrovicës. Por, mendoj se prioritet kryesor për politikanët kosovarë duhet të jetë ndërtimi i sovranitetit aty ku kanë kontrollin, pra në shumicën e territorit në jug të Ibrit. Ndërsa, duhet t'u jepet fund sa më shpejt zhvillimeve që dëmtojnë Kosovën, si hapja e kufijve, që mundëson kontrabandën dhe evazionin fiskal.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni Kosovën në 2009-ën?

GERALD KNAUS
Shpresoj shumë se do të ruhet stabiliteti i 2008-ës dhe që ky stabilitet të mos kthehet në stagnim. Kërcënimi kryesor për Kosovën është nëse gjërat nuk ndryshojnë mjaftueshëm. Kosova ka nevojë për ndryshime dramatike, jo të dhunshme në frontin diplomatik, por edhe brenda Kosovës.

Shpresoj se për shembull do të ketë reformë të sistemit arsimor, që është thelbësor për dy gjeneratat e ardhshme, në mënyrë që të jenë të suksesshme në Evropë, brenda, por edhe nëse duan të migrojnë. Pra, t'u jepet një arsimim cilësor, të cilin gjeneratat e mëhershme nuk e kanë pasur, për shkak të rrethanave të këqija në Kosovë.

Kjo do ta ndryshonte imazhin e Kosovës jashtë dhe shpresoj se fundi i vitit 2009 do ta çojë Kosovën më afër perspektivës evropiane, përfshirë regjimin e lirë të vizave.
XS
SM
MD
LG