Ndërlidhjet

Raporti (s') ka ngjyrime politike


Përfaqësues të Freedom House thonë se kategorizimi që i është bërë Kosovës si vend jo i lirë, është bazuar në shumë faktorë. Por, zyrtarë dhe analistë kosovarë nuk pajtohen me këtë qëndrim, duke e quajtur raportin si jo objektiv.


Kosova është renditur si i vetmi vend jo i lirë në Evropë nga kategorizimi vjetor mbi lirinë në botë që ka bërë Freedom House. Kjo renditje, që merr për bazë faktin se sa një shtet ka respektuar të drejtat politike dhe liritë qytetare, nga disa zyrtarë kosovarë dhe analistë është vlerësuar si jo objektive. Por, drejtori i Kërkimeve në Freedom House, Arch Puddington, i tha Radios Evropa e Lirë se gjetjet janë bazuar në disa faktorë.

"E para, Kosova ende është një vend që është nën mbikëqyrjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe kjo ndikon në radhitjen. E dyta, korrupsioni endemik në Kosovë gjithmonë ka qenë problem serioz dhe ende është. Kosova nuk do të radhitet dukshëm më lart, derisa të bie korrupsioni. E treta, dhe shumë e rëndësishme, është marrëdhënia ndërmjet kosovarëve dhe serbëve. Kjo është një çështje, e cila ende është problematike. Unë e kuptoj se përgjegjësia për këto probleme bie mbi të dyja grupet, por kjo kërkon kujdes. Kur të zgjidhen këto çështje, jam i sigurt se Kosova do të ketë një notë në indeksin tonë, e cila do ta vë atë në kontekstin e vendeve të asaj pjese të Evropës", thotë Puddington.

Por, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, mendon se metodologjia e përdorur nga Freedom House, ka barë që konkluzionet të mos paraqesin gjendjen reale në terren.

"Ajo që na ka habitur neve është se për të ardhur te përfundimet këtë herë, citohet ta zëmë sondazhi i vitit 2006 që flet për korrupsionin, incidentet e vitit 2005-2006 që ndërlidhen me gazetarët; ende përmenden trazirat e marsit 2004, raporti i HRW-së për krimet më 2006, apo i Komisionit Evropian për trafikim i vitit 2006. Këto janë të gjitha para pavarësisë së Kosovës. Janë të gjitha gjëra që janë marrë parasysh në raport, por që flasin për vitin 2008, ndërsa kanë ndodhur shumë më herët",
thotë Krasniqi.

Sipas Freedom House, vende jo të lira janë ato ku mungojnë të drejtat bazike politike dhe ku në mënyrë sistematike dhe në masë të gjerë mohohen liritë qytetare. Arch Puddington thotë se vlerësimet janë bërë duke marrë parasysh gjendjen në terren, ndërsa vërejtjet, sipas tij, kanë të bëjnë edhe me Qeverinë e Kosovës, edhe me misionin e OKB-së, i cili ka filluar ristrukturimin disa muaj pas pavarësisë.

"Ato kanë të bëjnë me të dyja, me Qeverinë e Kosovës dhe me praninë ndërkombëtare. Por, ajo që ne bëjmë, është se e shohim gjendjen në teren. Ne nuk e vlerësojmë vetëm punën e Qeverisë. Ne shohim se çfarë ndodh brenda vendit. Dhe, nëse marrëdhëniet ndërmjet grupeve të ndryshme etnike nuk janë të shëndosha, atëherë kjo paraqet problem, pavarësisht se kush është përgjegjës për të. E njëjta vlen edhe për korrupsionin. Qeveria mund të mos jetë e korruptuar si krimi i organizuar, si bizneset private apo oligarkët, por ne megjithatë shohim se çfarë në të vërtetë po ndodh në terren. Dhe, nëse aty ka korrupsion, ne e regjistrojmë atë", tha Puddington.

Në anën tjetër, analisti për çështje politike, Ramush Tahiri, mendon se kësaj here Freedom House ka bërë disa lëshime në përpilimin e raportit për Kosovën. Ai mendon se në raport ka ngjyrime politike, sepse, sipas tij, edhe 11 muaj pas shpalljes së pavarësisë, kjo organizatë ende e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë. Tahiri po ashtu shpjegon se ka mangësi të mëdha edhe në përdorimin e kontekstit historik mbi Kosovën.

"Është metodologji e zbatuar gabimisht në Kosovë, sepse Freedom House e fut Kosovën nën Serbi, gjë që nuk është as me Rezolutën 1244. Raporti është i njëanshëm, ka ngjyrime politike, është i bërë nga pikëpamja nacionaliste serbe, e jo nga pikëpamja që e bën shoqëria civile, apo çfarë është një organizatë e lirë çfarë është Freedom House", tha Tahiri.

Por, Arch Puddington, nga Freedom House, këmbëngul se raporti është objektiv.

"Ne nuk kemi arsye të jemi kundër Kosovës. Në fakt, Freedom House, si organizatë, e ka mbështetur aksionin ushtarak, i cili Kosovës tash i dha pavarësinë. Prandaj, nëse për diçka, ne si organizatë kemi qenë shumë të ndjeshëm ndaj persekutimit të Kosovës nga Serbia. Por, duhet të shohim edhe si sillet një vend kur e ka fituar pavarësinë dhe ne nuk jemi aq të impresionuar me Kosovën", theksoi Puddington.

Në anën tjetër, kreu i Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Ismet Beqiri, konsideron se Freedom House nuk ka argumentuar vlerësimin se Kosova është vend jo i lirë.

"Mund të them se kjo nuk qëndron. Mendoj se nuk është e argumentuar", thotë Beqiri.

Por, kritika ndaj mosrespektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive tjera qytetare ka edhe ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit, Hilmi Jashari, i cili në shumë pika pajtohet me vlerësimet e Freedom House.

"Nuk do të thosha se ka përparime të dukshme apo progres në Kosovë. Gjendja mbetet ende relativisht jo e kënaqshme sa i përket të drejtave të njeriut. Në analiza të tilla për të drejtat e njeriut në një vend të caktuar, gjithmonë kyç është pozicioni që merr qeveria ose pushteti në atë vend ndaj lirive dhe të drejtave që janë të garantuara", u shpreh Jashari.

Ndryshe, në anketën e Freedom House, vendet e rajonit si Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina janë renditur në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira. Serbia, ndërkaq, bën pjesë në vendet e lira, që nënkupton vend ku respektohen të drejtat politike dhe liritë qytetare. Kosova në raport nuk figuron si shtet i pavarur, por si territor i kontestuar.

Freedom House është organizatë joqeveritare amerikane, e cila kryen hulumtime dhe promovon demokracinë, liritë politike dhe të drejtat e njeriut, ndërsa gjetjet i publikon në raport vjetor.
XS
SM
MD
LG