Ndërlidhjet

“Sejdiu: Zgjedhjet më 2011”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EXPRESS
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është pozicionuar për vitin 2011 si kornizë kohore për të votuar për mandatin e ri të rregullt të Parlamentit, të parin pas pavarësisë. Pasi të gjithë akterët politikë lokalë u deklaruan për zgjedhjet kohëve të fundit, duke tentuar t’i jepet fund paqartësisë së kornizës kohore për organizimin e tyre, pritej vetëm edhe qëndrimi i presidentit. Sejdiu më në fund lëvizi. “Qëndrimi i presidentit të Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu, sa i përket çështjes së shumëpërfolur të zgjedhjeve është ky: zgjedhjet e nivelit lokal do të duhej të mbaheshin përafërsisht gjatë muajit nëntor të këtij viti, ashtu siç është paraparë”, ka thënë të enjten për Express, zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri. “Ndërsa, sa u përket zgjedhjeve të nivelit qendror, ose zgjedhjeve nacionale, ato duhet të mbahen pasi të mbarojë mandati i rregullt i deputetëve të Kuvendit aktual të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Beqiri...

ZËRI
Informacionet shumë të pakta dhe spekulimet e shumëllojta janë duke përcjellë, njësoj si në fillim të nëntorit të viti të kaluar (kur temë e dialogut ishin gjashtë pikat e njohura të Ban Ki Moonit) takimet që kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, po i mbajnë me autoritetet më të larta ndërkombëtare në Kosovë, për çështjen e bisedimeve eventuale teknike midis Prishtinës dhe Beogradit. Në ditët para këtyre takimeve, zyrtarët kosovar përsëritën sërish që me Serbinë mund të bisedohet vetëm në bazë të parimit të dialogut midis dy shteteve të barabarta. Opinioni kosovar mund vetëm të hamendësojë se për çfarë bëhet fjalë, apo cila do të mund të ishte tema e bisedimeve, po qe se do të inicioheshin këto takime midis përfaqësuesve të Prishtinës dhe atyre të Beogradit. Qarqet diplomatike perëndimore i kanë thënë gazetës “Zëri” që realisht kemi të bëjmë me trashëgiminë që lidhet me Deklaratën Presidenciale të KS të OKB-së (nëntor, 2008) dhe me raportin e fundit të Ban Ki Moonit (24 nëntor 2008)...

LAJM
Zenun Pajaziti mund të japë urdhra që të zbatohet sovraniteti i Kosovës në portat e veriut, të goditet krimi i organizuar, të arrestohen autorët e krimeve në veri, që policët e suspenduar të nacionalitetit serb të mos marrin më rroga kot nga buxheti i Kosovës, madje disa nga ata që janë gjetur të përfshirë në vepra të ndryshme penale, të largohen tërësisht nga lista e policëve. Por, sipas tij, kjo nuk mund të bëhet, sepse gjendja do të përshkallëzohej edhe më tej dhe, mbase, veriu mund të shndërrohet në një Gazë të re në Ballkan. Derisa gjendja në resorin e tij vazhdon të jetë kaotike, me shumë fusha të pakontrolluara, në një intervistë për “Lajm” ministri Pajaziti jep një sinjal gjysmëfiktiv se situata në veri nuk mund të jetë pafundësisht e tillë dhe se platforma e Qeverisë së Kosovës parasheh vënie nën kontroll të shumë gjërave nëpër disa faza...

BOTA SOT
Është përkujtuar dje, nga personalitetet më të larta të shtetit si dhe nga ambasadori Uilliam Uoker, një nga ngjarjet më të përgjakshme në fshatin Reçak të Shtimes, ku forcat serbe të sigurimit vranë 45 civilë shqiptarë. Do të ishte pikërisht kjo masakër që do të bënte jehonë në mbarë botën, duke i hapur kështu rrugë fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s kundër objektivave serbe, pas dy muajsh të këtij krimi kundër njerëzimit. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i pranishëm në këtë ceremoni, tha se masakra e Reçakut ishte krim kundër njerëzimit. “Sot është një ditë dhembjeje ku ne të gjithë shprehim dhimbjen tonë për viktimat e kësaj masakre të tmerrshme, e cila solli para botës pamje, e cila nuk mundi të lë indiferent më askënd”, tha Sejdiu...

KOHA DITORE
Bisedimet për çështje teknike ndërmjet Prishtinës e Beogradit janë çështje e misioneve të tjera ndërkombëtare e jo UNMIK-ut, ka bërë me dije një zyrtar i lartë ndërkombëtar në Kosovë, të enjten. Sipas tij, janë ICO-ja dhe EULEX-i që po fasilitojnë (lehtësojnë) bisedimet në fjalë. “UNMIK-u nuk është lojtari kryesor për sa i përket kësaj çështjeje. Ato janë punë për të tjerët, jo për UNMIK-un. Më tepër se për këtë mision, ato janë punë për ICO-në dhe EULEX-in”, ka thënë ky zyrtar që ka preferuar të mos i përmendet emri në gazetë. Ai ka thënë se administrata e OKB-së, megjithatë, ka ofruar gatishmëri të ndihmojë në këtë proces. Zyra e Pieter Feith nuk ka mohuar për fshirjen e tij, por vetëm në cilësinë e të dërguarit të posaçëm të BE-së, EUSR dhe ka thënë se ai nuk ka një rol kryesor. “Ai ka një rol të rëndësishëm”, ka thënë Julia Rueter, zëdhënëse e EUSR-së...

EPOKA E RE
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, në një intervistë për “Epoka e Re”, ka thënë se në raportin njëvjetor të punës së Qeverisë janë publikuar gjërat në mënyrë reale. Sipas tij, gjërat kanë lëvizur pozitivisht në të gjitha segmentet. Ka thënë se në bashkëpunim dhe me përkrahjen e EULEX-it dhe institucioneve ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës shumë shpejt do të jetë në vijën e parë edhe në veri të vendit. Rolin e opozitës në Kosovë e ka vlerësuar negativisht, duke thënë se opozita në aktivitetin e saj jep vetëm kritika, por i mungojnë alternativat për çështjet të cilat i trajton. Sa i përket kërkesës së shumëpërfolur kohëve të fundit nga opozita për mbajtjen e zgjedhjeve, Kuçi ka thënë se përgjigjja zyrtare do të jepet brenda muajit janar...

INFOPRESS
Miliona euro nga taksat e kosovarëve derdhen në xhepin e biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazlliq. Ai, përmes kompanisë së tij “Rudnap” ka fituar tenderin për furnizimin e Korporatës Energjetike të Kosovës me energji elektrike. Fazlliq përfiton diku rreth 10 milionë euro nga ndërmarrjet publike në Kosovë. Ndërkaq, miliona euro ka fituar edhe në të kaluarën. Fazlliq është biznesmen, emri i të cili është lakuar në një numër të madh të skandaleve në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi dhe Kroaci. Fazlliq në Serbi njihet si lider i mafies së duhanit. Aktualisht, kompanitë e kontraktuara për import të energjisë elektrike janë Espada, EGL, EFT dhe Rudnap. Kompanisë së Fazlliqit i paguhet 119 euro një megavat energji elektrike e moduluar, ndërkaq 132.7 euro i paguhet energjia emergjente...

KOSOVA SOT
Agjencia për koordinim të zhvillimeve dhe integrimit evropian është duke përgatitur projektin final të planit të veprimit për partneritet evropian, i cili pritet nga fundi i muajit të gjendet në tavolinën e Qeverisë për aprovim. Procesi i integrimit të Kosovës drejt strukturave të BE-së është një nga prioritetet kryesore të Kosovës, për të cilin Presidenca çeke e BE-së është duke bërë përpjekje për gjetjen e rrugës më të mirë për realizimin e synimit të vendit. Ushtruesi i detyrës së shefit të zyrës së Agjencisë për integrim evropian, Besfort Rrecaj, shfaqi besimin se deri në fund të muajit, projekti final i planit të veprimit do të jetë i gatshëm për t’iu proceduar Qeverisë për aprovim. “Ky projekt final do të jetë rezultat i të gjitha obligimeve që ka marrë Qeveria dhe si rezultat i përgjegjësisë ndaj raportit të progresit të KE-së, tha Rrecaj...
XS
SM
MD
LG