Ndërlidhjet

Kur do kthehet fondi pensional nga Serbia?


Autoritetet kosovare ende nuk kanë marrë hapa konkretë për kthimin e fondit pensional nga Serbia. Ndërkohë që përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve kërkojnë që ata t’i bëjnë presion Serbisë, që t'i kthejë kontributet e tyre.



Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se në një të ardhme të afërt do të duhet që Beogradi dhe Prishtina zyrtare të ulen dhe të bisedojnë për kthimin e kontributeve të pensionistëve kosovarë, të cilat gjenden në Serbi që nga viti 1999.

Ata vlerësojnë se tani janë pjekur parakushtet për zhvillimin e bisedimeve teknike në mes këtyre dy shteteve. Megjithatë, përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve shprehen të pakënqur më hapat e bërë nga autoritetet kosovare në këtë proces.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës, Fatmir Fehmiu, thotë se deri më tani Prishtina zyrtare nuk ka bërë asgjë për kthimin e kontributeve të tyre, të cilat u takojnë me ligj.

"Vetëm në buxhetin e vitit 2007 ka pasur një suficit prej mbi 2 milionë eurosh të buxhetit të Kosovës, e në anën tjetër nuk parashihet restitucioni i të drejatve të njerëzve, i cili është i garantuar jo vetëm me norma të ligjeve që janë në fuqi, por edhe me konvenatat ndërkombëtare, e tani edhe me Kushtetutën e Kosovës", thotë ai.

Ndërkohë, Sindikata e Pavarur e Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës, kohë më parë, u ka elaboruar dhe dorëzuar autoriteteve të pushtetit të Kosovës analizën juridike dhe konstruksionin financiar të borxhit të Serbisë ndaj pensionistëve të Kosovës; si rezultat i kësaj ka pasuar kërkesa që fondi i Serbisë të paguajë borxhin.

"Fondi i Serbisë u ka borxh pensionistëve të Kosovës, pasi nuk ka realizuar obligimet e përcaktuara me ligjin e vitit 2002. Nga vlerësimet e bëra, borxhi i Serbisë ndaj pensionistëve të Kosovës është rreth 2 miliardë euro",
thotë Fehmiu.

Sindikata gjithashtu ka bërë padi kundër Serbisë për të shpaguar dëmshpërblimin, mirëpo Departamenti i drejtëisë pranë UNMIK-ut në atë kohë, nuk ka lejuar që ajo padi të shkojë në vendin e destinuar.

Zoti Fehmiu thotë se mekanizmat ndërkombëtarë nuk kanë treguar interesim këmbëngulës që fondi i Serbisë t'i përmbushë detyrimet e përcaktuara me rregulloret e shpallura nga vetë ata.

Ndërsa, zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Gjergj Dedaj, thotë se tani, pas zgjidhjes së statusit politik të Kosovës dhe njohjes si shtet i pavarur dhe sovran, duhet të ketë bisedime për çështje teknike në mes Kosovës dhe Serbisë.

"Tash mendoj se janë pjekur parakushtet që të merremi edhe me problemet teknike ndërmjet dy shteteve fqinje, sepse në një të ardhme të afërt duhet të hapen edhe kufijtë në mes Kosovës dhe Serbisë. Është me rëndësi që të gjitha ato obligime që i ka Serbia ndaj Kosovës dhe anasjelltas, të zgjidhen me bisedime dypalëshe", tha Dedaj.

Zëvendësministri Dedaj thekson se në të ardhmen e afërt duhet të formohet një komision në nivel të shtetit, i cili do t’i vë kontaktet me ndërmjetësim me autoritetet e Beogradit lidhur me këtë çështje, para këto të cilat në mënyrën më të mundshme urgjente duhet t'iu kthehen pronarëve të tyre.

"Ato janë mjete të pensionistëve kosovarë, të cilat i ka uzurpuar dhe i ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme, në kundërshtim me të gjitha normat humane, por edhe me të gjitha normat dhe standardet ndërkombëtare", thotë Dedaj.

Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë rekomandimet e veta, ku thuhet se Qeveria e Kosovës duhet të bashkëpunojë me UNMIK-un, që me rastin e bisedimeve me Qeverinë e Serbisë të përfshihet urgjentisht në agjendë edhe fondi pensional i grabitur nga Serbia.

Megjithatë, sipas zotit Fehmiu, e gjithë kjo ka mbetur formulë e shkruar, pasi që nuk është përfshirë në standardet për Kosovën dhe as në dokumentin e Ahtisaarit. Ai thotë se Qeveria e Kosovës duhet të marrë masa konkrete dhe ta kthejë fondin e plaçkitur nga Serbia.

Ndryshe, Serbia, vetëm në bazë të zvogëlimit të pensioneve për pensionistët dhe invalidët shqiptarë të punës prej 141 euro në 62 euro për periudhën 1990-1998, u ka borxh pensionistëve të Kosovës 730 milionë euro bruto, ndërsa për pensione të papaguara janar-korrik 1999, ka borxh 130 milionë euro.

Ndërkaq, nga buxheti i vendit, të gjithë personat mbi moshën 65 vjeç marrin në Kosovë pensione të pleqërisë në formë të ndihmave sociale, pasi që me përfundimin e luftës, fondet e pensionistëve janë plaçkitur nga Serbia.
XS
SM
MD
LG