Ndërlidhjet

“Kosovarët hartojnë deklaratën për GJND”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Pozita dhe opozita kanë ndarë mendime të ndryshme për punën që është duke kryer EULEX-i në Kosovë. Përderisa zyrtarë nga Qeveria mendojnë se është një fillim jashtëzakonisht i mirë i këtij misioni, opozita ka thënë se EULEX-i, krahas të mirave, po i zbaton edhe gjashtë pikat e planit të Ban Ki Moonit. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se është një shtrirje jashtëzakonisht e mirë e EULEX-it dhe se tashmë mund të flitet për operacionalizimin dhe funksionalizimin e tij. “Tanimë nuk flasim për shtrirjen e EULEX-it, e cila është jashtëzakonisht e mirë, por për operacionalizimin dhe funksionalizimin e tij”, ka theksuar Kuçi. Edhe Ibrahim Makolli, nga AKR-ja, ka thënë se misioni evropian është shtrirë në Kosovë me mjaft sukses, mirëpo, për fat të keq, ka shtuar ai, në disa raste, sidomos në veri të Kosovës, po zbatohen disa pika nga plani 6-pikësh...

KOSOVA SOT
Kontaktet diplomatike të Kosovës me vendet e jashtme kanë filluar të intensifikohen teksa diplomacia serbe ka shumëfishuar kërkesat adresuar vendeve të ndryshme, nga të cilat kërkon mbështetje për shqyrtimin e legjitimitetit të pavarësisë në GJND. Institucionet e larta shtetërore deri më 17 prill do të deponojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë deklaratat e tyre me shkrim lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë dhe se për këtë janë duke bërë përgatitjet. Ditëve të fundit, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, përveç turneut diplomatik, përmes një letre u është drejtuar 80 vendeve ta mbështesin Serbinë në GJND. Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, thotë se edhe Kosova ka ndërmarrë veprime të tilla. “Kontaktet e Prishtinës me shumë vende nuk kanë munguar, përkundrazi ato kanë një ritëm të lartë”, tha ajo. Mirëpo, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, ajo nuk ka dhënë ndonjë hollësi rreth kësaj çështjeje...

INFOPRESS
Kur kanë kaluar vetëm disa ditë që kur nisi punën Forca e Sigurisë së Kosovës, nuk kanë të ndalur akuzat për mënyrën e përzgjedhjes së pjesëtarëve të saj. Së fundi, kritika për përzgjedhjen lëshon edhe ish-komandanti i Gardës së Kosovës në kuadër të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, gjeneral Nuredin Lushtaku. Sipas tij, në FSK janë pranuar njerëzit pa kurrfarë kriteresh, janë pranuar njerëzit me dosje e pa kualifikim dhe kanë mbetur në rrugë shumë djem të kualifikuar që e kanë merituar të jenë pjesë e kësaj force. Lushtaku rrëfen për “Infopress” të gjitha parregullsitë që janë bërë në formimin e FSK-së...

ZËRI
Deklarimet e kryeministrit Thaçi para dy ditësh, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, se janë hetuar parregullsi në shfrytëzimin e 20 milionë eurove të ndara për fshatin Hade nga viti 2004-2007, kanë nxitur polemika e deklarata në qarqe të ndryshme gjatë ditës se djeshme. Fillimisht, në një konferencë për media, këto pohime i ka demantuar nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, i cili ka udhëhequr Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në periudhën për të cilën Thaçi thotë se ka pasur keqpërdorim të parasë publike. Duke e cilësuar deklarimin e kryeministrit si një insinuatë qesharake, Gjini tha se këtë e shohin edhe si nj tendencë për ta tërhequr vëmendjen e opinionit nga problemet shumë serioze, të cilat e rëndojnë jetën e qytetarëve të Kosovës dhe nga problemet serioze, të cilat rëndojnë edhe jetën institucionale të Kosovës...

KOHA DITORE
Për shërbime zyrtare paratë paguhen në konto private dhe kjo bëhet haptazi: me vendim të komunës. Punonjës të Komunës së Gjakovës, që janë njëherësh edhe anëtarë të një komisioni për legalizimin e objekteve pa leje në qytet, kanë pranuar nga palët në konton personale të tyre tetëpërqindëshin e pagesave për legalizim. Kjo është bërë në bazë të një vendimi që ka marrë Kuvendi i Komunës, por që bie ndesh me Ligjin për menaxhimin e parave publike dhe përgjegjësitë, i cili ndalon pagesën shtesë për shërbyesit civilë, sikurse që bën edhe rregullorja për shërbyesit civilë. Qeveria ka reaguar duke thënë se do të ndërhyjë “nëse konfirmohet se është shkelur ligji”. Kryetari i Komunës së Gjakovës u propozon gazetarëve që të mos merren “me këtë çështje”, ndërsa organizatat joqeveritare veprimin e KK të Gjakovës e konsiderojnë “instalim të krimit të organizuar brenda institucioneve”...

BOTA SOT

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Kameron Munter, ka deklaruar se çështja e Kosovës ka marrë fund, sepse është zgjidhur statusi i saj. Sipas tij, rihapja e kësaj çështjeje është joreale. Munter tha se liderët institucionalë të Serbisë dhe të Kosovës do të duhej të bisedonin si fqinjë dhe t’i zgjidhin problemet në mënyrën më të mirë të mundshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me shtetet më të fuqishme evropiane, janë duke punuar në krijimin e Kosovës si shtet multietnik dhe në zhvillimin e institucioneve të saj, ka thënë Munter...

EXPRESS
Rezoluta për komunizmin mund të lihet për një kohë tjetër ose të hiqet krejt prej rendit të ditës, ka thënë të dielën për Express, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Kuvendi debatoi gjatë javës së kaluar në përpjekje për të nxjerrë një rezolutë me të cilën do të pozicionohej në lidhje me periudhën nën komunizëm. Megjithatë, shanset e nxjerrjes së rezolutës u minimizuan pas sugjerimeve të diplomatëve perëndimorë në Prishtinë, se një lëvizje e tillë do të mund të prishte balancën politike aktuale në vend. Z. Krasniqi ka pranuar të dielën se ka pasur ndërhyrje diplomatike. “Shikoni, ndoshta ka pak, disa ndërhyrje”, është shprehur Krasniqi. “Por, detyra dhe obligimet e institucioneve më tepër duhet të jenë të kohës, sesa të merremi me të kaluarën. E thashë edhe në Parlament se e kaluara nuk mund të ndryshohet, por kemi obligim për të ndërtuar të tashmen dhe të ardhmen”. Ai ka thënë se debati për komunizmin është kryer...






XS
SM
MD
LG