Ndërlidhjet

SHBA-të dhe Gjykata Ndërkombëtare


Që nga krijimi i saj më 2002, Gjykata Penale Ndërkombëtare llogarit 108 vende anëtare të saj. Por, aty mungojnë vende të rëndësishme si Kina, India, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara. Së fundi, zyrtarë të lartë amerikanë kanë bërë deklarata që tregojnë afrim të marrëdhënieve me këtë Gjykatë.


Është përgjegjësi e Organizatës së Kombeve të Bashkuara të ndërhyjë kur shtetet shkelin të drejtat e qytetarëve të tyre, tha Susan Rice, ambasadorja e re amerikane në OKB, para Këshillit të Sigurimit.

Rice gjithashtu ka deklaruar se Uashingtoni e mbështet këtë përgjegjësi të OKB-së si dhe drejtësinë ndërkombëtare, e cila merret me rastet e krimeve të luftës.

Ambasadorja amerikane, e sapoemëruar në OKB, e ka cilësuar Gjykatën Penale Ndërkombëtare si "një instrument të rëndësishëm dhe të besueshëm" për të vënë para përgjegjësisë politikë-bërësit e akuzuar për krime lufte.

Susan Rice

Megjithatë, Rice nuk tha nëse Shtetet e Bashkuara do t'i bashkoheshin kësaj Gjykate.

Por, a mund të jetë e besueshme mbështetja amerikane për Gjykatën Penale Ndërkombëtare në kohën kur ata vetë nuk pranojnë të jenë anëtarë të saj?


Sipas Stephen Zunes, profesor i së drejtës në Universitetin e San Franciscos, i specializuar në të drejtat e njeriut, kjo është një çështje disi e komplikuar, duke pasur parasysh ligjin që ekziston prej 7 vjetësh në Shtetet e Bashkuara, e që e sheh Gjykatën në fjalë në një frymë negative.

Zunes sqaron se ligji kufizon ndihmën ushtarake amerikane për vendet që kanë mbështetur marrëveshjen që krijoi Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe i lejon Shtetet e Bashkuara të përdorin të gjitha mjetet e nevojshme, ku futet dhe forca ushtarake për të liruar çdo qytetar amerikan apo të ndonjë vendi aleat që mbahet nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.

Sipas ekspertit Zunes, më e mira që mund të bëjnë SHBA-të për momentin është që të lejojnë Gjykatën të bëjë punën e saj.

"Është një situatë me dy presa. Mendoj se gjëja e parë që mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara, është që të mos ndërhyjnë në punën e Gjykatës, si ka ndodhur gjatë viteve të fundit. Nëse është pjesë e qëllimit dhe dhënia e një roli SHBA-ve në Gjykatë, nuk e di si mund të ndodhë një gjë e tillë derisa Uashingtoni nuk është anëtar me të drejta të plota i Gjykatës", thotë Zunes.

Ka një mori arsyesh për kundërshtimin amerikan ndaj Gjykatës. E para lidhet me faktin se gjykimi i një qytetari amerikan nga Gjykata Ndërkombëtare mund të shihet si shitje e sovranitetit të vendit. Të tjerë kanë argumentuar se meqë SHBA-të janë superfuqi, udhëheqësit e saj politikë apo ushtarakë mund të përballeshin me një sërë akuzash të sajuara.

"Mendoj se bëhet fjalë për Shtetet e Bashkuara si superfuqi. Ne nuk dëshirojmë askënd të na tregojë se çfarë duhet të bëjmë. Mendoj se kjo ka të bëjë dhe me nacionalizmin apo anti-internacionalizmin që e shohim herë pas here të ngrejë kokë", thotë Zunes.

Për një numër vëzhguesish, komentet e Rice mund të jenë sinjal se presidenti Obama po shtron rrugën drejt anëtarësimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Por, Zunes nuk mendon se kjo do të ndodhë derisa beson se Obama do të përdorë më shumë diplomacinë dhe rrugë të tjera për të rivendosur autoritetin moral të Shteteve të Bashkuara në botë.
XS
SM
MD
LG