Ndërlidhjet

Sejdiu: Me Serbinë bisedojmë vetëm si dy shtete


Presidenti Fatmir Sejdiu
Presidenti Fatmir Sejdiu

Presidenti Fatmir Sejdiu konfirmoi dhe një herë pozicionin e Kosovës në bisedimet eventuale me Serbinë, duke bërë të qartë se Prishtina nuk do të pranojë asnjë formë të dialogut që synon kthimin në tavolinën e bisedimeve të çështjeve të statusit.


Kosova mund të hyjë në bisedime teknike me Serbinë vetëm në cilësinë e dy shteteve të barabarta, ku do të trajtohen çështje të interesave reciproke, tha sot presidenti Fatmir Sejdiu.

Ndërsa po vizitonte doganat e Kosovës, presidenti kosovar tha po ashtu se Prishtina nuk do të pranojë asnjë formë të bisedimeve që ka për qëllim trajtimin e çështjeve të statusit dhe sovranitetit të Kosovës.

Me Serbinë, shtoi presidenti, mund të bisedohet vetëm në kuadër të vendosjes së marrëdhënieve reciproke, ngjashëm si veprohet edhe me vendet tjera të rajonit.

“Në asnjë situatë, në asnjë vend, në asnjë hapësirë dhe në asnjë temë nuk mund të bisedohet për çështjet që kanë për qëllim hapjen e çështjeve statusore, çështjet që duan të ndërhyjnë në punët e brendshme të Kosovës, në sovranitetin, integritetin dhe funksionimin e institucioneve të saj. Prandaj, ne kemi thënë se në aso temash do të bisedojmë, në tema të kësaj ambicieje asnjëherë jo”, tha presidenti Sejdiu.

Pozicioni i Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë, që po përgatiten nga Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, pritet t’i prezantohet nesër shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier.

Që nga e premtja e kaluar, Zannier ka kërkuar që të takojë presidentin dhe kryeministrin e Kosovës, për t’ua paraqitur atyre përmbajtjen e një takimi që kishte zhvilluar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq, në Nju Jork, dhe në lidhje me angazhimet e Kombeve të Bashkuara për dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Presidenti Sejdiu tha se nuk pret diçka të veçantë nga ai takim, pos që do t’i ritheksohet UNMIK-ut edhe një herë pozicioni i Kosovës në lidhje me këto bisedime teknike.

“Ka kërkuar takim që të informojë për zhvillimet që ai ka në pjesën e vokacionit të tij do të thosha. Natyrisht se ne nuk e kemi shkëputur bashkëpunimin asnjëherë. Nuk ka ndonjë diçka tjetër; më tepër mund të jetë pjesë e informimit nga ana e tij”, tha Sejdiu.

Në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës përjashtohet çdo mundësi për bisedime me Beogradin pa përcaktuar qartë agjendën dhe nivelin teknik të këtij dialogu.

Kryeministri Hashim Thaçi thotë se në çështjet politike, Kosova dhe Serbia nuk mund të bisedojnë fare, kurse për çështjet teknike mund të bisedohet ngjashëm siç veprohet edhe në kuadër të dialogut që Kosova zhvillon me vendet fqinje.

Kryeministri Hashim Thaçi
“Kosova është shtet, Serbia është shtet. Për çështje politike, as me ndërmjetësues, as pa ndërmjetësuar, nuk do të bisedohet. Sa i përket çështjeve teknike, ne bisedojmë edhe me vendet tjera, sikur me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, mund të bisedojmë edhe me Beogradin. Por, Kosova tash e një vit është shtet i pavarur, i njohur nga 54 shtete të fuqishme”,
u shpreh Thaçi.

Një nga 6 pikat që Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka përfshirë në planin e tij të bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, janë edhe doganat.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, në kufirin verior mes Kosovës e Serbisë, në pikat 1 dhe 31, doganat mes dy shteteve nuk funksionojnë. Presidenti Sejdiu i ka inkurajuar sot doganat e Kosovës që në bashkëpunim me EULEX-in ta shtrijnë aktivitetin në të gjitha pikat doganore.

Një angazhim i tillë u konfirmua edhe nga drejtori i doganave, Naim Huruglica, i cili tha se pret që të vihet rregulli edhe në portat 1 dhe 31 në veri.

Djegia e pikës kufitare në Jarinë, 19 shkurt 2008.
“Më datën 19 shkurt 2008 aty pati një shkatërrim total të asaj infrastrukture. Tash jemi në ngritje të saj, domethënë vendosja e disa kontejnerëve mobilë. Fillimisht është një punë që ka filluar para dy-tri ditësh, një regjistrim, fillimisht i EULEX-it; tash hapi tjetër është kthimi. Nuk mund të them me siguri të plotë se kur do të jetë ajo ditë, por unë shpresoj të jetë shumë e shpejtë”,
tha Huruglica.

Në bazë të planit të Ban Ki Moonit për bisedimet teknike, Prishtina dhe Beogradi do të bisedonin për çështjet si policia, gjykatat, doganat, menaxhimi i vijës kufitare, transporti e telekomunikacioni, si dhe trashëgimia kulturore e fetare ortodokse serbe në Kosovë.

Mirëpo, këto fusha tashmë janë kundërshtuar nga Prishtina, kështu që mbetet të pritet se cili do të jetë edhe reagimi ndërkombëtar, pasi që Beogradi, në anën tjetër, ka një pozicion krejtësisht të kundërt nga Prishtina dhe kërkon që bisedimet të mbahen pikërisht mbi parimet e këtyre 6-pikave.
XS
SM
MD
LG