Ndërlidhjet

Feith kritikon Prishtinën dhe Beogradin


Pieter Feith
Pieter Feith

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, vlerësoi se situata në Kosovë gjatë një viti ishte stabile, por, sipas tij, reagimet në Prishtinë ndaj planit 6-pikësh dhe zhvillimet e fundit në Mitrovicë, theksojnë ndjeshmërinë e vazhdueshme të situatës në terren. Ai këto komente i bëri gjatë fjalimit të tij në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.


Pieter Feith foli për situatën aktuale në Kosovë, duke thënë se ajo është stabile, por mori si shembull reagimet e Prishtinës ndaj gjashtë pikave, sikur edhe protestat në veri të Mitrovicës si dëshmi se situata ende është e ndjeshme.

Pieter Feith foli për nevojën e bashkëpunimit të Beogradit dhe të Serbisë me misionin e Bashkimit Evropian atje.

“Një mbështetje më e mirë dhe e intensifikuar nga ana e Beogradit për punën e BE-së në Kosovë është kyçe, posaçërisht lidhur me sjelljen më kooperative të kryetarëve të komunave në veri dhe në përpjekje për izolimin e kriminelëve të linjës së fortë në veri”, ka thënë Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, duke folur në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

Edhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Joost Lagendijk, i cili pas rezolutës edhe vizitoi Kosovën, solli disa përshtypje në këtë debat, duke thënë po ashtu se jo vetëm që Beogradi duhet të bashkëpunojë me EULEX-in, por BE-ja duhet t’ia bëjë të qartë Beogradit se një bashkëpunim i tillë do të ishte i domosdoshëm nëse Serbia dëshiron të integrohet në BE.

“Në fund të fundit, ky mision i EULEX-it mund të ketë sukses vetëm nëse ka bashkëpunim nga ana e serbëve. E në Kosovë kam vërejtur gatishmëri nga ana e serbëve të Kosovës që të kyçen, por atyre u nevojitet leje nga Beogradi. Prandaj, BE-ja duhet t’ia bëjë me dije Beogradit, se duhet t’ua japë dritën e gjelbër serbëve të Kosovës që të bashkëpunojnë me Prishtinën, e jo dritën e kuqe që të mos kyçen. Nuk mund të ecë Beogradi drejt BE-së e në të njëjtën kohë ta bëjë jetën më të vështirë për BE-në në Kosovë”, ka thënë Joost Lagendijk.

Në paraqitjen e tij, Pieter Feith ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës për përparim jo të duhur sidomos në llogaridhënie dhe transparencë në shpenzimin e parave publike dhe ato të donatorëve. Po ashtu ka thënë se Parlamenti i Kosovës nuk është sa duhet i kyçur në vendimmarrje.

“Mendoj se Parlamenti është duke dështuar në përmbushjen e detyrës që ka në demokraci, atë që të jetë forumi kryesor i debatit politik. Shumë vendime ende merren vetëm në Qeveri, pa ndonjë përfshirje të rëndësishme të Parlamentit. Ndërsa, veprimi politik në Kosovë kanalizohet shumë përmes mediave apo edhe përmes rrugës”, ka thënë Pieter Feith.

Ndonëse ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke u dëshmuar si partner mjaft i mirë i bashkësisë ndërkombëtare, ai ka kërkuar më shumë angazhim nga institucionet e Kosovës dhe ka thënë se situata është stabile dhe e qetë, mirëpo ka potencial të destabilizimit.

Për mundësitë e krijimit të tensioneve, ai ka përmendur edhe faktin se krijimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës është mirëpritur, mirëpo ka shqetësim nga ana e disa ish-pjesëtarëve të TMK-së që nuk do të përfshihen në FSK.

Pieter Feith ka hedhur poshtë pohimet se krijimi i kësaj force është kërcënim për fqinjët, sepse ka thënë se një grupacion prej rreth 2000 vetash nuk mund të jetë kërcënim serioz për fqinjët.

Pieter Feith sot në Bruksel po ashtu ka kërkuar edhe angazhim më të madh të bashkësisë ndërkombëtare, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, për një dialog të mirëfilltë në mes të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, sepse, sipas tij, prioritet duhet të jetë edhe pajtimi ndëretnik atje.
XS
SM
MD
LG