Ndërlidhjet

Gjykatat në veri akoma jo tërësisht funksionale


Gjykatat në Mitrovicë
Gjykatat në Mitrovicë

Gjykatat në veri të Kosovës, edhe pas një viti të ndërprerjes së punës së zakonshme, për shkak të kundërshtimit të serbëve ndaj pjesëmarrjes në këto organe, funksionojnë vetëm me gjykatës ndërkombëtarë të EULEX-it.



Gjykatat në veri të Kosovës, edhe një vit pas ndërprerjes së punës, për shkak të bojkotimit të tyre nga serbët si shenjë kundërshtimi ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës, aktualisht funksionojnë vetëm me praninë e gjykatësve dhe prokurorëve të misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit, EULEX, dhe në mungesë të stafit kosovar.

Zëdhënësja e komponentës së drejtësisë në EULEX, Kristina Herodes, thotë se në gjykatat në veri janë të angazhuar rreth 7 pjesëtarë të EULEX-it, të cilët, sipas saj, do të mund të përmbushin mandatin e tyre vetëm me kthimin e gjykatësve dhe prokurorëve vendas.

"EULEX-i ka 7 persona që janë duke punuar në objektet e gjykatave në veri. Pra, atje i kemi gjykatësit, prokurorët dhe këshilltarët ligjorë. Natyrisht se këta do të mund të përmbushin mandatin e tyre vetëm me kthimin e stafit vendor të gjykatave", tha Herodes.

Misioni EULEX, si mision teknik, ka për obligim t'i mbikëqyrë, t'i ndihmojë dhe t'i këshillojë institucionet e Qeverisë së Kosovës në polici, dogana dhe drejtësi, andaj dhe, sipas zyrtarëve të këtij misioni, është i nevojshëm bashkëpunimi me kosovarët.

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Nekibe Kelmendi, njofton se lidhur me rifunksionalizimin e tërësishëm të gjykatave në veri, institucioneve kosovare u është vënë kusht nga EULEX-i që të kthejë fillimisht disa punonjës të komunitetit serb atje. Këtë gjë, Kelmendi e quan të pakuptimtë.

"Gjyqtarët e EULEX-it, përkatësisht udhëheqësi i komponentës së drejtësisë deklaron se ato gjykata nuk mund të funskionalizohen dhe nuk mund të punojnë me kapacitete të plota, përderisa në ato nuk kthehen të punojnë dhe gjyqtarët e komunitetit serb, që kanë punuar deri në ditën e shpalljes së pavarësisë, pra për 8 vjet me radhë", tha Kelmendi.

EULEX-i, ndërkaq, nuk ka dashur të komentojë këtë gjë, por njoftoi se konsultat me të gjitha palët e përfshira janë duke u zhvilluar, si përpjeke për gjatjen e një zgjidhjeje adekuate.

Në këto konsulta, sipas informatave, ka marrë pjesë dhe kryetari i Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës, Kapllan Baruti, i cili thekson se nga përfaqësues të EULEX-it i është thënë se arsye për moskthimin e gjykatësve shqiptarë në veri, janë dhe shkaqet e sigurisë.

"Nuk më kanë thënë asgjë tjetër, përveç se ende nuk janë krijuar kushtet e sigurisë për kthimin tonë. Për ne, kjo është e papranueshme, sepse është e pakuptueshme që të ketë kushte të sigurisë për gjyqtarët e EULEX-it, ndërsa për neve jo", u shpreh Baruti.

Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, thotë se rikthimi i gjykatësve vendorë në gjykatat në veri është parakusht për sundimin e ligjit në atë pjesë të vendit. Ajo konsideron se gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë duhet të kthehen atje sa më parë, ndërkaq vlerëson se edhe për punonjësit serbë të gjykatave ka një zgjidhje.

"Atyre 4 personave të komunitetit serb mund t'u rezervohen vendet e punës, qoftë si gjyqtarë, qoftë si prokurorë, për të punuar në të ardhmen. Mirëpo, të tjerët që janë shumicë, nuk guxojnë të jenë peng i atyre që nuk po kthehen për të punuar dhe po i zbatojnë politikat e Beogradit", theksoi ministrja Kelmendi.

Pas uzurpimit të gjykatave në veri nga protestuesit serbë në fillim të vitit 2008, punonjësit kosovarë të këtyre institucioneve ishin detyruar të zhvendosen në objektin e Gjykatës Komunale në Vushtrri, duke shqyrtuar vetëm rastet urgjente.
XS
SM
MD
LG