Ndërlidhjet

Prishtina shmang UNMIK-un


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës po injorojnë kërkesën e UNMIK-ut për të nisur bisedimet teknike mes Prishtinës e Beogradit, me gjithë insistimin e kreut të këtij misioni, Lamberto Zannier. Analistët e cilësojnë si kaotike gjendjen e krijuar rreth planit gjashtëpikësh të OKB-së.


UNMIK-u nuk heq dorë nga përpjekjet për të bindur Prishtinën dhe Beogradin në zhvillimin e bisedimeve teknike, që për bazë kanë planin gjashtëpikësh të Ban Ki Moonit.

Shefi i këtij misioni, Lamberto Zannier, është duke kërkuar që të takohet me liderët kosovarë për t’i informuar ata mbi bisedimet që ka pasur me zyrtarë të Beogradit dhe të Brukselit.

“Plani i PSSP-së është që sa më shpejt që të jetë e mundur të informojë Qeverinë këtu në Kosovë me takimet e tij në Bruksel dhe Beograd”, tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko, i cili pranon se të hënën ishte anuluar një takim mes Zannierit dhe zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi.

Sidoqoftë, Ivanko thotë se është koha që të dy kryeqytetet t’i nisin konsultimet teknike.

“UNMIK-u është i gatshëm që të ndihmojë në çdo mënyrë që është e pranueshme për Prishtinën dhe Beogradin”, shprehet Ivanko.

Por, përpjekjet e Lamberto Zannierit hasin në vesh të shurdhër, meqë Qeveria e Kosovës nuk është e interesuar për ndërmjetësim të UNMIK-ut në bisedimet eventuale mes Prishtinës dhe Beogradit.

Zyrtarë të lartë të ekzekutivit shprehen se për këtë çështje pranojnë si ndërmjetës vetëm SHBA-të dhe Bashkimin Evropian. Zëvendëskryeministri Kuçi shpjegon:

“Ne nuk kemi qasje personale kundër z. Zannier. Përkundrazi, ne e respektojmë autoritetin e tij, e respektojmë misionin e UNMIK-ut si të suksesshëm, që ka qenë deri më tani, por ajo që do të themi është se UNMIK-u nuk ka nevojë për një mandat të ri dhe nuk ka nevojë që të ngarkohet me aktivitetet që do t’ia zgjasnin jetën”, tha Kuçi.

Por, sa do të mund ta ruajë këtë qëndrim Prishtina zyrtare?

Analistët për çështje politike mendojnë se nëse Prishtina refuzon 6 pikat, duhet të ofrojë alternativën e saj. Megjithatë, sipas Ilir Dedës, për bisedimet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit nuk ka qartësi as në qendrat ndërkombëtare të vendosjes.

“Është një kaos apo duket si kaos i qendrave të ndryshme ndërkombëtare lidhur me këto bisedime. Duhet të jenë disa gjëra të qarta, e këto varen nga Qeveria e Kosovës. Nëse një nga prioritetet e bashkësisë ndërkombëtare është se duhet të ketë bisedime Prishtinë-Beograd, atëherë Prishtina duhet ta ketë agjendën e vet”.

“Nëse për ne janë të papranueshme 6 pikat, atëherë duhet t’i ofrojmë ato tema që ne mendojmë se duhet t’i bisedojmë me Serbinë, dhe a duhet të flasim me Serbinë tani për tani. Dhe, e dyta është se Beogradi ka fuqi në terren, në veri të Kosovës”, shprehet Deda.

Protestuesit serbë në veri të Mitrovicës penguan dje seancën e parë gjyqësore të paraparë të mbahet nga EULEX-i në Gjykatën e Qarkut të këtij qyteti. Një nga kërkesat e tyre ishte që çështja e drejtësisë të zgjidhet në kuadër të planit gjashtëpikësh.

Analisti Ilir Deda thotë se Beogradi, përmes serbëve lokalë, do të insistojë gjatë tërë kohës që të zbatohet 6-pikëshi.

“Ata mundohen që ta bllokojnë punën e EULEX-it dhe rifunksionalizimin e kësaj gjykate dhe fillimin e zbatimit të rendit dhe ligjit në veri, për shkak të 6 pikave. Ky është problem shumë i madh për EULEX-in dhe BE-në si tërësi”, konstaton Deda.

Plani gjashtëpikësh, i hartuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, parasheh aranzhime të reja për policinë, doganat, gjyqësinë, transportin, trashëgiminë kulturore e fetare serbe, si dhe administrimin e vijës kufitare.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës deri tash disa herë kanë theksuar se bisedimet nuk mund të zhvillohen mbi temat që shkelin Kushtetutën e Kosovës apo çfarëdo që e cenon sovranitetin e shtetit. Institucionet duan që të dyja palët si dy fqinje të interesuara për stabilitet, të bisedojnë për problemet, zgjidhja e të cilave është në interes të shqiptarëve dhe serbëve.
XS
SM
MD
LG