Ndërlidhjet

NYT: “Misioni i NATO-s”


“New York Times”


NATO do ta shënojë 60-vjetorin e vet me samitin në fillim të prillit, që do të mbahet në Gjermani dhe Francë. Pjesa më madhe e përgatitjeve janë festive, pjesërisht për shkak se tetë viteve të shqetësimeve për marrëdhëniet Trans-Atlantike duket sikur u ka ardhur fundi.

Presidenti Barack Obama ende gëzon popullaritet në Evropë, ndërsa liderët e sotëm evropianë janë një grumbull pro-amerikanësh.

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, gjithashtu ka vendosur që t'ia kthejë vendit të tij anëtarësimin e plotë në NATO, duke u dhënë fund ambicieve të gjata të De Gaulleit, që Parisi të jetë kundërpeshë e Uashingtonit.

E gjithë kjo i ka frymëzuar shpresat për sajimin e një misioni kuptimplotë për aleancën pas 20 vjetësh të endjes që pasoi periudhën e Luftës së Ftohtë. Që të ndodhë kjo, NATO duhet të korrë sukses në Afganistan. Por, për momentin, aleanca është afër dështimit.

Lufta kundër talebanëve dhe Al Kaedas është i pari operacion më i madh i aleancës jashtë Evropës. Kjo është një betejë kundër armiqve të rinj të shekullit të ri: terrorizmit nihilist, sundimit të korruptuar dhe të paqëndrueshëm.

Megjithëse aleanca ka 26 anëtarë, barrën e luftimeve të vërteta e mbajnë vetëm pesë vende: Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Holanda dhe Danimarka.

Ndërkohë, vendet tjera të NATO-s u kanë vënë pengesa forcave të veta, duke u vendosur kufizime se ku mund të dislokohen. Ushtarët gjermanë, p.sh. mund të përdoren vetëm në operacione joluftarake në pjesën relativisht të qetë, në veri të vendit. Ndikimi i këtillë në raportet ndërmjet aleatëve është gërryes.

Presidenti Obama dhe bashkëpunëtorët e tij duket sikur e kuptojnë se në Afganistan ka nevojë për një strategji më të mirë. Ai ka dërguar 17 mijë trupa amerikane shtesë dhe ka urdhëruar rishikimin e plotë të operacioneve atje, madje ua ka hapur dyert për bisedime edhe pjesëtarëve të moderuar talebanë.

Kjo duhet të jetë garanci për pjesën e ngathtë të NATO-s se Shtetet e Bashkuara tash janë gati të përdorin çfarëdo kombinimi të forcës ushtarake dhe diplomatike për të arritur rezultate.

Prandaj, arsyeja e vërtetë përse evropianët duhet të bëjnë më shumë në Afganistan, nuk është që t'u "ndihmojnë" Shteteve të Bashkuara, por për shkak se dështimi do të ishte një katastrofë edhe për ta.

Strehët e Al Kaedas në të dyja anët e kufirit afgano-pakistanez janë ato ku terroristët nuk hartojnë vetëm mizori, si ato në Nju Jork dhe Uashington, por edhe si ato në Londër, Madrid dhe Mumbai.

Diskutimet e samitit të prillit pritet kryesisht të fokusohen jo vetëm në formësimin e strukturave të reja për përballje me një numër sfidash të reja, prej bombave bërthamore, fundamentalizmit radikal e deri te fqinji i paparashikueshëm, Rusia.

Por, siç u tha edhe nënpresidenti Joe Biden aleatëve gjatë vizitës së tij të fundit në selinë e NATO-s, askund sfida nuk është më akute dhe më e menjëhershme si në Afganistan.
XS
SM
MD
LG