Ndërlidhjet

NATO mbështet planin e Obamës për Afganistanin


Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama ka shprehur kënaqësinë që aleatët e NATO-s janë zotuar për "përkrahje të fortë dhe unanime" për strategjinë e re amerikane për Afganistanin.

Komentet e tij u bënë në fund të samitit të aleancës në Strasbourg, ku ai u kërkoi aleatëve më shumë mbështetje për strategjinë e tij për Afganistanin.

"Ne po largohemi nga Starsbourg-u dhe Kehl-i me përkushtime konkrete për përkrahjen e NATO-s. Aleatët dhe partnerë tanë janë dakorduar të ofrojnë afro 5 mijë trupa dhe trainerë për ta çuar përpara strategjinë tonë të re, si dhe të rritin ndihmat civile", tha Obama.

Sekretari i përgjithshëm, Jaap de Hoop Scheffer tha se liderët e NATO-s janë zotuar ta rritin numrin e forcave të koalicionit në Afganistan, për t'i siguruar zgjedhjet presidenciale në muajin gusht, të ofrojnë më shumë trainim për forcat afgane, si dhe të ndajnë fonde për armatën afgane.

Më herët, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se "Afganistani është test i lakmusit" për NATO-n, dhe e lëvdoi Obamën për strategjinë e tij të re për Afganistanin.
XS
SM
MD
LG